Gjithçka është gati për aktin e fundit të Kupës së Botës 2026. Argjentina dhe Spanja do të përballen në një finale historike, një duel që premton spektakël dhe emocione deri në sekondën e fundit.
FIFA organizoi një aktivitet të veçantë në kuadër të Fanatics Fest në Nju Jork, ku trajnerët dhe futbollistët e Argjentinës dhe Spanjës iu përgjigjën pyetjeve të emrave të mëdhenj të sportit botëror, si Tom Brady, Novak Djokovic, Kevin Durant dhe Rio Ferdinand, përpara një publiku që kishte mbushur sallën plot.
Megjithatë, eventi nuk kaloi pa polemika. Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, u largua i irrituar, duke e konsideruar aktivitetin një promovim të tepruar në favor të Lionel Messit dhe Argjentinës. Debat shkaktoi edhe organizimi i konferencave për shtyp. Ndërsa Spanja respektoi protokollin duke paraqitur trajnerin dhe kapitenin në konferencën zyrtare, Lionel Messi foli vetëm në aktivitetin me pagesë, ndërsa Lionel Scaloni dhe Emiliano Martínez mbërritën me rreth 40 minuta vonesë në konferencën tradicionale.
Pavarësisht polemikave, atmosfera mbeti festive. Yjet e sportit botëror diskutuan me protagonistët e finales mbi presionin e ndeshjeve të mëdha, sfidat e suksesit dhe emocionet që shoqërojnë betejën për trofeun më të rëndësishëm të futbollit.
Një event unik, që si rrallë ndonjëherë bashkoi disa nga personazhet më emblematike të sportit të 20 viteve të fundit. Edhe njëherë SHBA tregojnë se nuk e ndajnë dot aktivitetet sportive nga shfaqjet zbabitëse për publikun.
