Janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus në vendin tonë. Pacientët janë babë e bir, të moshës 54 vjeç dhe 28 vjeç.

28 vjeçari mësohet se ka qëndruar disa ditë në Firence dhe se është kthyer në Shqipëri me rrugë tokësore nga pika e kalimit në Muriqan. Dyshohet se në Shqipëri ai ia ka transmetuar virusin edhe babait të tij.

Menjëherë pas shfaqjes së komplikacioneve ata lajmëruan urgjencën kombëtare ku u morën mostrat, të cilat u konfirmuan mbrëmjen e se dielës nga laboratori i virologjisë në IShP.

Dy rastet e konfirmuara me COVID-19 ndodhen në gjendje të stabilizuar dhe po trajtohen në spitalin Infektiv në QSUT.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të gjitha strukturat e urgjencës kombëtare dhe ISHP janë duke ndjekur protokollin klinik dhe epidemiologjik për të dy pacientët.

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve që udhëtojnë nga vendet e prekura dhe ndjejnë simptoma të ngjashme me gripin të telefonojnë në numrin 127 dhe mjekët do iu përgjigjen çdo rasti.

(A.Ago, BalkanWEb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb