Kryetar i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile, z. Bledar Doracaj inspektoi te zyrat e kompanisë ‘Aleat’ dhe te zyrat e gjendjes civile në bashkinë e Korçës, punën për shpërndarjen e kartave ID.

Ai iu bëri thirrje qytetarëve t’i rinovojnë dokumentet e identitetit.

“Siç e dini karta ID është dokumenti i vetëm identifikues i çdo banori në bashkinë e Korçës, por edhe në të gjithë vendin. Është dokumenti bazuar në të cilin institucionet shtetërore por edhe institucione private ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve. Prandaj pajisja me një kartë identiteti të vlefshme është jo vetëm një detyrim ndaj qytetarëve, por është mënyra përmes ata mund të marrin shërbime nga këto institucione.

Siç jeni në dijeni ka një numër të konsiderueshëm qytetarësh, të cilëve u ka skaduar karta ID, për shkak se është plotësuar afati dhjetëvjeçar, dhe tani do të duhet të riaplikojnë për këto karta ID. Prandaj do të doja sot, dhe ky është qëllimi i vizitës së sotme, që të shohim punën për pajisjen me karta ID nga zyrat tona këtu, por në të njëjtën kohë t’iu bëjmë thirrje të gjithë banorëve të qytetit të Korçës dhe të njësive administrative të bashkisë Korçë që të paraqiten pranë zyrave të ‘Aleat’ për t’u pajisur me këto karta ID.

Pajisja me kartë ID, përveç marrjes së shërbimeve të nevojshme për qytetarët, është shumë e rëndësishme edhe për të kryer detyrën e tyre në procesin zgjedhor.
Ju e dini që në 25 prill kemi zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri dhe votimi mund të kryhet duke pasur ose një kartë identiteti të vlefshme, ose një pasaportë të vlefshme. Prandaj pajisja me kartë i shërben edhe pjesëmarrjes në zgjedhje. Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe kompanisë ‘Aleat’ janë marrë masat që zyrat të punojnë me orare të zgjatura, të punojnë edhe ditën e shtunë, edhe zyra e bashkisë së Korçës, edhe zyra tjetër që ndodhet në njësinë e Bulgarecit, në rast se do të lindë e nevojshme, mund të hapen edhe zyra të tjera, në njësitë e tjera administrative që procesi të ecë me shpejtësi maksimale dhe banorët të mos kenë asnjë vështirësi apo pengesë për pajisjen me këto karta ID”,- tha Filo.

Ndërsa Bledar Doracaj, drejtor i DPGJC tha se tashmë Ministria e Brendshme ka filluar turin e takimeve dhe të sensibilizimit të qytetarëve, të gjithë shtetasve që u ka skaduar dokumenti biometrik i vlefshëm, në të gjithë bashkitë e vendit.

“Ditën e premte ishim në bashkinë e Vlorës. Së bashku me Kryetarin e bashkisë atje sensibilizuam të gjithë shtetasit, të cilët posedonin një dokument të pavlefshëm, të skaduar. Sot jemi me Kryetarin e Bashkisë së Korçës për të sensibilizuar të gjithë qytetarët e bashkisë së Korçës dhe jo vetëm, që kanë ose posedojnë një dokument të skaduar, të vijnë pranë zyrave të aplikimit dhe gjendjes civile për të bërë të mundur aplikimin dhe posedimin e një dokumenti të vlefshëm.

Nuk jemi më në të njëjtat ato kushte që ishim disa vite më parë kur një qytetar duhet të priste me orë të tëra në radhë në kushte aspak të përshtatshme për një shtetas. Sot jemi në kushte, siç e shikoni, absolutisht shumë komode, bashkëkohore, për çdo shtetas dhe prandaj kemi një arsye më shumë që t’u kërkojmë të gjithëve të vijnë dhe të posedojmë dokumentin.

Atë që tha edhe z. Filo, ID karta apo letërnjoftimi elektronik nuk është thjesht vetëm dokumenti me të cilin qytetari me 25 prill mund të shprehë bindjet e tij politike, por çelësi për të përfituar të gjitha shërbimet në institucionet publike dhe private.

Gjithashtu kemi lehtësuar ndjeshëm procedurën e aplikimit. Mjaftojnë vetëm pak sekonda me dokumentin e vjetër biometrik, dhe kuponin e blerë pranë zyrës së Postës Shqiptare për t’u paraqitur dhe në pak ditë dokumenti vjen mbrapsht.

Çdo shtetas, i cili posedon një dokument të skaduar mund të riaplikojnë në cilëndo zyrë të gjendjes civile, jo vetëm brenda bashkisë së Korçës por edhe në bashkitë e tjera të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Çdo ditë të shtunë dhe çdo ditë jave do punojmë në qoftë se ka fluks, edhe përtej orarit zyrtar për t’iu ofruar të gjithë atyre shtetasve që gjatë javës nuk kanë mundësi, apo nuk kanë mundësi brenda orës 16.00. Por të gjithë ato shtetas që edhe, ose vetëm ditën e shtunë kanë si ditë të lirë dhe mund t’i përkushtohen këtij procesi. Ne do të jemi në punë deri më datën 25 prill për të bërë të mundur pajisjen e të gjithë shtetasve me letërnjoftimin elektronik”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb