Nga: ANISA YMERI*
TIRANE- Disa kilometra të vijës bregdetare dhe parku me pisha në Zvërnec të Vlorës janë pastruar nga mëse 150 vullnetarë të lëvizjes Korpusi i Vullnetarëve, në këtë ndalesë të radhës të fushatës së pastrimit të zonave turistike.
Veç vullnetarëve nga Tiranë dhe nxënësve e nëpunësve nga Vlora, në aksionin e Zvërnecit janë bashkuar disa të dënuar që vuajnë dënimin në Burgun e Rrogozhinës, një mënyrë kjo për t’u integruar e për të dhënë kontributin e tyre në punë komunitare.
Drejtuesit e Drejtorisë së Burgjeve dhe Korpusi i Vullnetarëve do e vijojnë bashkëpunimin dhe personat që vuajnë dënimin do të jenë pjesë e aksioneve të ardhshme pasi është kjo një mundësi që të dënuarit të integrohen dhe të kontribuojnë.
Duke qenë një lëvizje e cila rreket të sensibilizojë duke punuar, duke pastruar zonat e ndotura, vullnetarët përcjellin këto mesazhe.
Ndonëse sezoni turistik zyrtarisht po çelet në disa prej plazheve më të mëdha në vend, plehrat mbeten shqetësim pasi në prag të zgjedhjeve vendore, komunat që i administrojnë një pjesë të plazheve nuk do të ekzistojnë më pasi kështu e dikton ndarja e re administrative, për çka nuk kanë ndërmarrë aksione pastrimi të zonave turistike.
(ma.ar/BalkanWeb)