TIRANË – Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një deklaratë për mediat, u shpreh se biznesi është në ditën e tij më të zezë. Meta thekoi se mbi 12 mijë biznese të ndershme po falimentojnë.

Ai tha se kjo ndodh, për shkak se në treg ka shumë biznese, që kanë parësor pastrimin e parave të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Meta akuzoi Ramën se po çon në faliment bizneset e ndershme, teksa ka përqendruar pasurinë e vendit në duart e pak njerëzve.

“Bizneset e ndershme po falimentojnë, duke lënë pa të ardhura mijëra qytetarë. Mbyllja e bizneseve godet të gjitha shtresat e shoqërisë. Me këto ritme, në 10 vitet e ardhshme do falimentojnë të gjitha bizneset e ndershme. Rama po përqendron pasurinë tek pak duar. Pastrimi i parave të korrupsionit dhe krimit të organizuar po shkatërron tregun e lirë.

Gjithashtu, edhe informaliteti është tepër i lartë, jo vetëm në vendin e punës, por edhe në transaksione. Pronat po blihen me para me prejardhje të dyshimtë. Edhe borxhi publik është rritur me shifra alarmuese. Borxhi për banor është rritur thuajse 2-fish”, u shpreh Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb