Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, tha në një deklaratë për media, ku bëri një bilanc të përballjes së bizneseve me pandeminë e koronavirusit, se korrupsioni është kërcënimi më i madh për ekonominë shqiptare.

Sipas tij, nëse nuk adresohet dhe luftohet korrupsioni, ekonomia shqiptare nuk do të ketë të ardhme pozitive. Teksa renditi disa nga mundësitë që ofron Shqipëria për biznes, Jaço u shpreh se tashmë janë edhe dy oportunitete të tjera, si Evropa dhe SHBA.

“Kemi krijuar mekanizma të ndryshëm për të krijuar një program në luftën kundër korrupsionit, për zyrtarët e lartë e të mesëm që përfshihen në korrupsion. Lidhur me konsultimet publike ne kemi një ligj, por që nuk funksion mirë. Ne prodhojmë disa mekanizma, që ligji të ketë fuqi implementuese. Grupi i tretë në rekomandimet tona do të jetë oportuniteti për rritjen ekonomike. Kemi folur për avantazhet që Shqipëria ka në rajon për rritje ekonomike, siç është pozicioni strategjik, forca punonjëse e re dinamike dhe e aftë për të fituar aftësi të reja, burime natyrore, vend me siguri të lartë i NATO-s, etj. Së fundi kemi dhe dy potenciale të reja, Evropën dhe Amerikën, në sensin që së shpejti të gjithë presim që Shqipëria të hapë negociatat me BE dhe kjo sjell një avantazh dhe potencial, së pari për bizneset shqiptare, sepse mund të kenë akses në tregun e madh evropian, dhe së dyti është marrëveshja ekonomike mes Shqipërisë dhe SHBA.

Mendojmë se është koha për t’i maksimizuar këto potenciale të reja. Lidhur me këto ne rekomandojmë modernizim të sistemit të taksave, që të nxisë formalizimin e bizneseve, fuqizimin e eksporteve shqiptare, që kanë nevojë të mbështeten me politika tregtare e fiskale, fuqizimin e ekonomisë digjitale, do jetë e pamundur për çdo ekonomi të jetë e suksesshme pas pandemisë pa pasur një ekonomi digjitale. Kemi vënë re shenja pozitive në Shqipëri për këtë, por duhet më shumë mbështetje. Këto oportunitete janë të mëdha dhe ne jemi pozitivë për 10 vitet e ardhshme të ekonomisë shqiptare. Por, nuk do të bënim progres të madh, nëse nuk do të bënim progres në luftën ndaj korrupsionit. Korrupsioni është kërcënimi më i madh i të ardhmes së ekonomisë shqiptare. Nëse nuk e adresojmë, nuk do të kemi sukses të mëtejshëm. Kemi pasur plot raste kur forcat politike gjejnë gjuhën e duhur për gjëra madhore, dhe ne mendojmë se do e gjejnë edhe për këtë. Ne do të ndërmarrim një hap tjetër, që është pikëshënues për politikanët dhe deputetët, që vlerëson në mënyrë të vazhdueshme qëndrimin e këtyre të fundit në lidhje me agjendën e pro-biznesit”, u shpreh zyrtari i lartë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb