Departamenti Amerikan i Shtetit ngre shqetësime të forta për klimën e investimeve në Shqipëri, duke evidentuar korrupsionin, krimin e organizuar, pastrimin e parave, konkurrencën e pandershme dhe problemet me pronën si disa prej pengesave kryesore për biznesin.
Në raportin për Klimën e Investimeve për vitin 2026, DASH vëren se Shqipëria ruan stabilitetin makroekonomik, ka shënuar rritje ekonomike dhe ka një kuadër ligjor që në përgjithësi nuk diskriminon investitorët e huaj. Por panorama ndryshon kur analizohet mënyra se si funksionojnë në praktikë tregu dhe institucionet.
Sipas raportit, investitorët e huaj vazhdojnë ta konsiderojnë Shqipërinë një vend të vështirë për të bërë biznes. Mes problemeve që ata evidentojnë janë korrupsioni në sektorin publik dhe në gjyqësor, problemet në prokurimet publike, konkurrenca e pandershme, pastrimi i parave, informaliteti, ndryshimet e shpeshta fiskale, pasiguria mbi pronën dhe dobësitë në zbatimin e kontratave.
Një nga konstatimet më të forta lidhet me ndikimin e ekonomisë kriminale në treg. DASH thekson se të ardhurat e paligjshme që vijnë nga trafiku i drogës dhe evazioni fiskal shtrembërojnë konkurrencën.
Por raporti shkon edhe më tej. Investitorët raportojnë rreziqe zhvatjeje që lidhen me administratën publike, median dhe grupet kriminale.
Në lupën e DASH janë vendosur edhe partneritetet publike-private. Sipas raportit, kontratat PPP kufizojnë mundësitë për konkurrencë dhe vuajnë nga analiza e dobët dhe mungesa e ekspertizës teknike.
Kritika ka edhe për investimet strategjike. DASH evidenton se relativisht pak investitorë të huaj kanë përfituar statusin e investitorit strategjik dhe se kjo ka ushqyer perceptimin mes investitorëve të huaj se ligji ka favorizuar kryesisht kompani vendase me lidhje të afërta me shumicën qeverisëse.
Një kapitull i veçantë i kushtohet korrupsionit. Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson se ai vazhdon të minojë shtetin e së drejtës, të rrezikojë zhvillimin ekonomik dhe të pengojë Shqipërinë që të arrijë potencialin e saj të plotë.
Korrupsioni, krimi i organizuar dhe problematikat e lidhura me to renditen nga investitorët e huaj mes shqetësimeve më të mëdha për mjedisin e biznesit. DASH kërkon gjithashtu bashkëpunim më të mirë mes institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe për të adresuar atë që raporti e cilëson si një “kulturë të përhapur të pandëshkueshmërisë”.
Ndërkohë, raporti vlerëson punën e SPAK dhe BKH në hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë çështjet ndaj zyrtarëve të lartë aktualë dhe të mëparshëm.
Probleme evidentohen edhe në sistemin gjyqësor. Investitorët e huaj ankohen se korrupsioni në drejtësi dhe procedurat joefikase të gjykatave dobësojnë mbrojtjen e investimeve, duke bërë që në shumë raste të kërkohet arbitrazhi ndërkombëtar për zgjidhjen e konflikteve me shtetin shqiptar.
Një tjetër pikë e nxehtë mbeten pronat. Sipas DASH, individët dhe investitorët vazhdojnë të hasin vështirësi të konsiderueshme në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë, ndërsa sektori perceptohet si një prej më të ekspozuarve ndaj korrupsionit. Vetëm 10% e hartave kadastrale rezultonin të digjitalizuara, ndërsa rreth 80% e të dhënave të regjistruara më parë kërkonin ende verifikim për saktësinë.
Raporti evidenton gjithashtu se Shqipëria, megjithëse doli nga “lista gri” e FATF në vitin 2023, vijon të jetë në kategorinë “Major Money Laundering Jurisdictions” në raportin amerikan të vitit 2025 për kontrollin ndërkombëtar të narkotikëve.
Një tjetër shqetësim është emigracioni. DASH, duke iu referuar të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, shkruan se rreth 40% e fuqisë punëtore shqiptare punon jashtë vendit, ndërsa mungesa e punonjësve të kualifikuar po kthehet në pengesë për biznesin.
Megjithatë, raporti evidenton edhe tregues pozitivë. Ekonomia shqiptare u rrit me 3.7% gjatë vitit 2025, ndërsa investimet e huaja direkte arritën nivelin rekord prej 1.84 miliardë dollarësh. Stoku i investimeve të huaja arriti në 17 miliardë dollarë, ndërsa janë rritur edhe investimet amerikane.
Por përtej rritjes së flukseve financiare, raporti amerikan e vendos theksin te problemet strukturore që vazhdojnë të rëndojnë klimën e biznesit: korrupsioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave, informaliteti, dobësitë e gjyqësorit, pasiguria mbi pronën dhe konkurrenca e shtrembëruar.
