KOSOVE- Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministër i Jashtëm i Republikës Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku, kanë takuar Todd Chapman, zëvendësi i parë i nënsekretarit në Zyrën për Çështje Politike-Ushtarake të Shteteve të Bashkuara, me të cilin kanë diskutuar për bashkëpunimin e Kosovës dhe SHBA-së në fushën e sigurisë dhe kompletimin e tërë strukturës së sigurisë të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Thaçi u shpreh se Kosova është gati të formojë Forcat e Armatosura të Kosovës dhe se për këtë ka marrë pajtimin e NATO-s dhe tani po kërkon edhe pëlqimin e Kuvendit të Kosovës.

“Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, përfshirja në programin e Partneritetit për Paqe dhe vendosja e dialogut politik me NATO-n, janë prioritet i Kosovës në fushën e sigurisë”, citon njoftimi dërguar nga Nju Jorku i MPJ-së kosovare.

Lufta kundër ISIL dhe kundër radikalizmit si dhe pjesëmarrja aktive e Kosovës në Koalicionin Global Kundër Terrorizmit ishin temë bisedimi, gjithashtu.”Ju sigurojmë se do të mbesim të pakompromis në luftimin e terrorizmit dhe radikalizmit”, u shpreh zëvendëskryeministri Thaçi.

Zëvendës-nënsekretari Chapman u shpreh se bashkëpunimi i mirë që SHBA-ja ka me Kosovën do të vazhdojë edhe më tutje dhe do të marrë forma edhe më konkrete të bashkëpunimit në të ardhmen.

“Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe thellimi i bashkëpunimit me NATO-n dhe partnerët e tjerë të Kosovës do ta konfirmojnë rolin që Kosova po luan tani si eksportuese e stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, konkludoi zëvendëskryeministri Thaçi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb