Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka bërë publike listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet miqësore ndaj Çekisë më 31 maj në Pragë dhe ndaj Andorrës më 7 qershor në Prishtinë.
Në këto dy duele testuese, Kombëtarja e Kosovës do të jetë pa disa prej futbollistëve titullarë, si Vedat Muriqi, Amir Rrahmani e Florent Muslija, derisa mungojnë edhe Milot Rashica, Fidan Aliti, Kreshnik Hajrizi dhe Florent Hadërgjonaj.
Në këtë grumbullim, përzgjedhësi Foda ka vendosur të përfshijë disa futbollistë të rinj, të cilët pritet të sjellin freski dhe konkurrencë në ekip, si Dardan Shabanhaxhaj, Valmir Matoshi dhe Rilind Nivokazi.
Shabanhaxhaj, i cili aktivizohet te Rubin Kazan, luan në krahët e sulmit dhe vjen nga përvoja me përfaqësueset e moshave të Austrisë. Matoshi, mesfushor i FC Thun, ka përfaqësuar më parë Zvicrën në grupmosha, ndërsa Nivokazi, sulmues i FC Sion, ka qenë pjesë e Kosovës U21 dhe tashmë i bashkohet konkurrencës në repartin ofensiv.
Po ashtu grupit të Dardanëve në këtë grumbullim i bashkohen edhe Ron Raçi dhe Andi Hoti, që kanë qenë edhe më herët në disa raste pjesë e listës, si dhe Bersant Celina, i cili rikthehet në kombëtare pas një periudhe të gjatë. Megjithatë, Celina për shkak të angazhimeve me klubin e tij, do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Foda vetëm nga 1 qershori.
Edhe kësaj here, Foda ka përpiluar edhe një listë rezervë, në rast të lëndimit të futbollistëve nga lista kryesore e ku janë përfshirë: Faton Maloku, Florian Haxha, Kreshnik Krasniqi, Ismet Lushaku, Bledian Krasniqi dhe Meriton Korenica.
Ndeshja ndaj Çekisë pritet të jetë një test i rëndësishëm për Kosovën, duke marrë parasysh nivelin e kundërshtarit dhe faktin se çekët janë kualifikuar në Botëror. Ndërkohë, përballja me Andorrën do të shërbejë më shumë si mundësi për rotacion dhe vëzhgim të detajuar të performancës së futbollistëve.
Në shtator, Dardanët e nisin ciklin e ri në Ligën e Kombeve, ku për herë të parë do të paraqiten në Ligën B, me synim paraqitje sa më dinjitoze dhe konsolidim të mëtejshëm të ekipit përfaqësues, në grup me Austrinë, Irlandën dhe Izraelin.


