Policia e Kosovës ka goditur një grup të organizuar të dyshuar për trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në rajonin e Prishtinës. Në kuadër të operacionit të koduar “Heshtja”, të zhvilluar më 14 nëntor, janë arrestuar gjashtë persona, ndërsa një tjetër është lënë i lirë në procedurë të rregullt.

Gjatë aksionit, të realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, si dhe sasi të tjera të dyshuara narkotike, përfshirë marihuanë dhe tableta të dyshuara ekstazie.

Përveç drogës, autoritetet kanë sekuestruar gjashtë automjete luksoze, rreth 16 mijë euro para të gatshme në valuta të ndryshme, ora të markave të shtrenjta, stoli ari, armë zjarri dhe pajisje të përdorura për paketimin dhe shpërndarjen e narkotikëve. Vlera e përgjithshme e drogës dhe aseteve të sekuestruara llogaritet në rreth 301 mijë euro.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, operacioni është rezultat i një hetimi të gjatë, të zhvilluar përmes masave të veçanta hetimore, gjatë të cilit janë zbardhur dyshimet për funksionimin e një grupi me strukturë të organizuar dhe hierarki të qartë, nga drejtuesit deri te shpërndarësit e drogës në rrugë.

“Hetimi ka zbardhur dyshimet për funksionimin e një grupi me strukturë të organizuar dhe nivele të qarta hierarkike, nga personat e dyshuar në nivel drejtues deri te shpërndarësit e narkotikëve në rrugë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë kontrolleve në disa lokacione janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë automjete luksoze, mes tyre Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VW Tiguan. Po ashtu, janë sekuestruar telefona celularë, pajisje elektronike dhe komunikimi, sisteme vëzhgimi, ora luksoze Rolex dhe Franck Muller, si dhe dokumente e shënime të ndryshme.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar gjithashtu një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e lëndëve narkotike.

Sipas vlerësimeve të policisë, vetëm sasia e kokainës së sekuestruar, bazuar në çmimin e shitjes në tregun e rrugës, ka një vlerë të mundshme prej rreth 111 mijë eurosh.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjashtë të arrestuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë. Operacioni është zhvilluar nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda.

Policia bën me dije se hetimet dhe veprimet operative vijojnë, ndërsa operacioni synon goditjen e të gjitha niveleve të grupit të dyshuar kriminal, nga organizatorët dhe furnizuesit deri te personat që shpërndanin drogën në rrugë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb