Kosova do të përfaqësohet me dy ekipe kombëtare në disiplinën e futbollit në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, që do të zhvillohen në Itali. Në këtë ngjarje të rëndësishme sportive, ngjyrat dardane do t’i mbrojnë Kombëtarja U21 e djemve dhe Kombëtarja U18 e vajzave.

Kombëtarja U21 e Kosovës sot ka zhvilluar stërvitjen e parë në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Dardanët e rinj, të udhëhequr nga përzgjedhësi Hekuran Kryeziu, para nisjes për në Itali do të zhvillojnë edhe një tjetër seancë stërvitore.

Kosova bën pjesë në Grupin B, së bashku me Italinë, Shqipërinë dhe Algjerinë.

Përzgjedhësi Hekuran Kryeziu e vlerësoi këtë pjesëmarrje si një përvojë të re për ekipin, duke theksuar vështirësitë që kanë sjellë datat e përcaktuara nga FIFA dhe UEFA dhe përbërjen e re të skuadrës.

“Është një përvojë e re për të gjithë ne që marrim pjesë në Lojërat Mesdhetare. Ka qenë pak e vështirë edhe përgatitja, shkaku që nuk janë data që përputhen me datat e lira nga FIFA dhe UEFA. E kemi një grup komplet të ri, një moshë të re. Stërvitja e parë ka qenë mirë, ka shkuar mirë dhe shpresojmë të kalojmë sa më mirë atje dhe të kemi rezultate pozitive. Është pak e vështirë për të analizuar kundërshtarët, pasi edhe ata kanë ndryshime të mëdha, po prapëseprapë besojmë që kemi me pasë ndeshje shumë interesante kundër Algjerisë, Shqipërisë edhe Italisë. Me lojtarët që i kemi, do të mundohemi ta nxjerrim maksimumin”, tha Kryeziu.

Edhe futbollistët e rinj u shprehen optimistë për paraqitjen e Kosovës në këtë turne.

Rin Ahmeti tha se seanca e parë stërvitore është zhvilluar me intensitet të mirë dhe se synimi i ekipit është të japë maksimumin në Itali.

“Sot ka qenë stërvitja e parë. Ka qenë një stërvitje me intensitet të mirë. Shpresojmë që do të shkojmë dhe të japim maksimumin atje, të kthehemi me medalje. Qysh e pashë ekipin sot, është 100% i gatshëm për të tri duelet”, tha Ahmeti.

Ndërkaq, Adem Imeri theksoi dëshirën e të gjithë ekipit për ta përfaqësuar Kosovën denjësisht.

“Shpresoj që kemi me dhënë paraqitje të mirë dhe të gjithë kemi qejf ta përfaqësojmë Kosovën sa më mirë”, tha Imeri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb