Kreu i Aleancës në Kosovë, Ardian Gjini, ka përshëndetur vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të mos u përfshirë në qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.
LDK ka deklaruar se heq dorë nga kërkesat për postin e Presidentit, pjesëmarrjen në qeveri dhe drejtimin e Kuvendit, duke ia lënë Vetëvendosjes përgjegjësinë për krijimin e institucioneve.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gjini e ka cilësuar qëndrimin e LDK-së si “të drejtë dhe parimor”, ndërsa ka akuzuar Kurtin dhe Vetëvendosjen se po ndjekin një strategji për të marrë kontrollin e institucioneve.
Sipas tij, Kosova nuk duhet të drejtohet nga një individ i vetëm, ndërsa rendit edhe disa prej prioriteteve që, sipas Aleancës, duhet të jenë pjesë e programit të çdo qeverie të ardhshme.
Reagimi i plotë i Ardian Gjinit:
Aleanca ka kohë që ka nënvizuar me ngulm lojën e pandershme të Kurtit dhe partisë së tij.
Prandaj, qëndrimi i sotëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës për të mos marrur pjesë në qeverisje me Kurtin është i drejtë dhe parimor dhe si të tillë e përshëndes.
Ai synon të ketë kontroll të plotë mbi të gjitha institucionet dhe mbi gjithë shtetin të cilin po e degradon çdo ditë.
Aleanca mbetet e qartë.
Kosova nuk guxon të kontrollohet nga një njeri, si dhe cilado qeveri e ardhshme duhet të pranojë:
1. Gazin amerikan
2. Të ndërtojë kapacitete energjetike
3. Ta përfundojë infrastrukturën kryesore
4. Ta ngrisë pragun e TVSH për bizneset e vogla
5. T’i lirojë bujqit nga tatimi në pronë
6. Të investojë në kryeqytet.
