TIRANE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka çertifikuar sot zgjedhjet e 21 qershorit 2015-të dhe shpall rezultatin përfundimtar.

Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi në një deklaratë për mediat vlerësoi procesin, duke i cilësuar zgjedhjet lokale 2015-të të lira, me standarde dhe të gjithëpranuara. Sipas Luzit, KQZ-ja ka kontribuar që ky proces të arrijë standarde.

“Si fillim, më lejoni të shpreh vlerësimin tim se ndryshe nga zgjedhjet e kaluara funksionimi i plotë i trupës së KQZ-së kontribuoi në funksion të ngritjes së një infrastrukture zgjedhore korrekte, transparente dhe të besueshme nga të gjitha palët në proces. KQZ si organi më i lartë përgjegjës për zhvillimin e zgjedhjeve, ka punuar intensivisht për përgatitjen e procesit shumë kohë para se të dekretohej data e zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Përgatitje të cilat ndikuan që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me bashkëpunimin e të gjithë aktorëve të përfshirë në procesin zgjedhor, të organizonin zgjedhje të lira, me standarde dhe të gjithëpranuara nga palët. Zgjedhjet vendore u realizuan me hartën e re territoriale dhe me ndryshimet në Kodin Zgjedhor vetëm pak ditë përpara datës së zgjedhjeve, megjithatë KQZ arriti të krijonte infrastrukturën e nevojshme zgjedhore përgatitore dhe funksionale, për garantimin e integritetit të procesit të lirë, të ndershëm dhe të pavarur zgjedhor.”, tha Luzi.

Sipas saj, “Fushata edukuese dhe informuese u realizua me efikasitet, pati materiale edukuese edhe për 5 pakicit kombëtar. Të verbrit votuan vetë, u garantua vota e tyre”.

Nga zgjedhjet vendore të 21 qershorit, Partia Socialiste mori një rezultat 25.78%, PD 20.33%, LSI 16.64%, e më pas renditen partitë e tjera me radhë. KQZ-ja sqaron se vota të vlefshme në këto zgjedhje ishin 1.562.161, prej të cilave, “Aleanca për Shqipërinë Europiane” siguroi 991.609 vota, “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet” 507.285 vota.

“Fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit për financimin e fushatës zgjedhore të partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e datës 21 qershor 2015 ishte 65 milionë lekë, i cili u pjesëtua me 1.439.377, shifër kjo që korrespondon me numrin e votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e datës 21 qershor 2015 dhe që fituan jo më pak se 0.5 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi. Rezultati, 45.16 lekë është vlera e një vote të vlefshme. Vlera 45.16 lekë u shumëzua rast pas rasti me numrin e votave të vlefshme të fituara nga secila parti që përfiton, pra që ka fituar jo më pak se 0.5 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi në zgjedhjet e datës 21 qershor 2015. Shifra që del është ajo që përfiton secila parti politike”, sqarohet në vendimin e KQZsë. Nga kjo shumë zbritet fondi i dhënë paradhënie, sipas përcaktimeve të nenit 87/3 të Kodit Zgjedhor. “Nëse shuma e marrë paradhënie është më e madhe se llogaritja përfundimtare, partia duhet të kthejë fondet në buxhetin e shtetit; në rast të kundërt përfiton fonde shtesë nga buxheti i shtetit”, përcaktohet nga KQZ-ja. Partitë që kanë kundërshtime, mund të ankohen në Kolegjin Zgjedhor brenda 5 ditëve nga shpallja e tij.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: