Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në aktivitetin për Mirëmbajtjen e rrugëve dhe krijimin e Flotës së Solidaritetit.

Tani, u shpreh kreu i qeverisë, “fillon puna konkrete në këtë drejtim me financimin masiv që është vënë dispozicion për mirëmbajtjen. Shuma për mirëmbajtjen është 13 milionë euro në vit për një total prej 1932 kilometra akse rrugore. Dhe pastaj rreth 2600 kilometra që do të mirëmbahen me një financim nga buxheti i shtetit me një financim prej 3.7 miliardësh”.

Kryeministri theksoi se, “kemi mundësi të bëjmë një ndryshim të madh dhe të hapim një kapitull të ri për mirëmbajtjen e rrugëve që është një nga dramat më të mëdha në të gjitha fushat”.

Mirëmbajtja, u shpreh Rama, “është pjesë integrale e një vepre apo projekti të ri. Ne i qëndrojmë bindjes se nëse sot s’kemi asnjë rrugë kombëtare që mund të certifikohet me standarde sigurie dhe qarkullueshmërie të BE, brenda këtyre 4 viteve kjo situatë do të ndryshojë dhe ne do kemi akse të rëndësishme kombëtare të certifikueshme nga BE. Për këtë vlen edhe financimi nga qeveria për disa akse të rëndësishme duke nisur nga aksi i hyrjes së Tiranës, duke ndërtuar aty një vepër arti infrastrukturore”.

Kryeministri renditi disa nga veprat kryesore që pritet të ndërtohen. “Vepër tjetër e rëndësishme si by passi poshtë në zonën e Tepelenës, përfundimi i rrugës legjendare Korçë – Ersekë, për të cilën kemi financuar. Fillimi i punës me Rrugën e Arbrit, nga programi i financimit “1 miliardë për rindërtim”. Çuarja përpara e kontratave brenda pjesës së parë të vitit për rrugën Thumanë-Kashar, Balldren – Milot. Fillimi i punës brenda këtij viti për rrugën Kashar – Rrogozhinë, që do të ndërtohet me sistem financimi me pagesë. Rindërtimi i rrugës nga Rrogozhina deri në Fier. Gjithashtu jemi pranë zgjidhjes së nyjes së tmerrshme të dy by passeve Fierit dhe Vlorës për të zhbllokuar edhe ato”.

Këto projekte, u shpreh Rama, “janë njëra anë e medaljes. Nga ana tjetër është mirëmbajtja. Janë kompani të mëdha që kanë eksperiencë të madhe në infrastrukturën rrugore që kanë marrë përsipër mirëmbajtjen”.

Krijimin e Flotës së Solidaritetit, Rama e cilësoi si “një garanci për reagimin e shpejtë dhe efikas në çdo situatë, duke garantuar kalueshmërinë e akseve kombëtare”.

“Kompanitë e mirëmbajtjes do të jenë edhe bërthama e Flotës së Solidaritetit, si një garanci për reagimin e shpejtë dhe efikas në çdo situatë, duke garantuar kalueshmërinë e akseve kombëtare pavarësisht motit të rënduar”, tha Rama.

Gjiknuri: Në prill, ndërhyrja masive për rehabilitimin e rrugëve
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri njoftoi sot se, duke filluar nga muaji prill do të kemi ndërhyrje masive për t’i sjellë rrugët në nivelet e duhura të sigurisë.

I pranishëm në takimin që u zhvillua sot për krijimin e Flotës së Solidaritetit, ministri Gjiknuri u shpreh se kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve në bashkëpunim me autoritetet do të angazhohen për të garantuar sigurinë e kalueshmërisë në akset kombëtare, në kushtet e motit të rënduar.

Sipas tij, sektori i mirëmbajtjes së rrugëve është një nga elementët kyç të domosdoshëm më të neglizhuar ndonjëherë. Përgjegjësi për këtë neglizhencë, sipas ministrit, kanë edhe bashkitë.

“Ne do të ndryshojmë ligjin, që disa nga këto akse të ketë mundësi t’i marrë në dorë edhe qeveria. Por edhe bashkive do u shikohet pjesa buxhetore, pasi nuk mund të lihen pa investime. Bëhet fjalë jo për rrugët nacionale, por për rrugë të tjera me rëndësi nga pikëpamja kombëtare”, tha ministri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: