TIRANE- Deputetja e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë në Fier ku burri vrau gruan apo dhe horrori sot në Korçë, ku një baba vari dy fëmijët e tij e më pas u vetëvra. Me anë të një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ Hajdarmataj theksoi se familja shqiptare po lëngon nga mosekzistenca e shtetit për gratë.

Nga ana tjetër deputetja e djathtë i ka bërë apel Presidentit Bujar Nishani që të mbledhë KLD për të monitoruar drejtësinë e vendimeve të gjykatave për viktimat e dhunës. Sakaq, ajo bëri thirrje që të mbahet një seancë dëgjimore me ministrin e Brendshëm për të shpjeguar dështimin e policisë në zbatimin e urdhrave të mbrojtjes për gratë e dhunuara.

REAGIMI I HAJDARMATAJT
Çfarë na duhen kuotat gjinore në politikë kur vendi është në një emergjencë kombëtare për kuotat e sigurisë së jetës, sidomos të grave? Sot, në krizën më të thellë që po lëngon shoqëria dhe familja shqiptare nga mosekzistenca e shtetit, ne grave deputete, (absolutisht të pakushtëzuara nga forca politike), duhet të shpallim me emergjencë, një mision kombëtar: “Gratë për gratë, nënat për nënat dhe mbi të gjitha, të gjitha bashkë për fëmijët, për engjëjt e pambrojtur nga instiktet mizore”.
Duke përkrahur me vlerësim, kërkesat e koleges Bregu, mendoj se zëri i saj nuk mund të mbesë vetëm një jehonë, për institucionet që janë në përgjumje ose të kapura nga korrupsioni dhe interesat e qeverisë.
Askush më mirë dhe më me kompetencë se sa Aleanca e Grave Deputete, mund të ndërmarrë nismat e theksuara nga deputetja Bregu për;
-Apel Presidentit të Republikës të mbledhë KLD për të monitoruar drejtësinë e vendimeve të gjykatave për viktimat e dhunës.
-Të thirret në seanca dëgjimore, Ministri i Brendshëm për të shpjeguar dështimin e policisë në zbatimin e urdhrave të mbrojtjes për gratë e dhunuara.
-Propozime urgjente ligjore për rëndimin e sanksioneve në legjislacionin kundër dhunës në familje.
Nuk ndreqet asgjë me mallkime, sharje, trishtim apo lutje.
Nevojitet një plan kombëtar veprimi konkret, për masat kundër dhunës në familje, para se këtë vend ta marrë vertetë lumi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: