Gjykata e Lartë e Izraelit ka lëshuar një urdhër në lidhje me mosmarrëveshjen e gjatë mbi përjashtimet ushtarake të ultra-ortodoksëve hebrenj, duke thelluar një krizë në qeveri.

Gjykata udhëzoi ngrirje fondesh për institucionet arsimore ultra-ortodokse ose Haredi, studentët e të cilëve kanë të drejtë për rekrutim. Partitë Haredi në qeveri kanë reaguar me zemërim, ndërsa një parti laike ka kërcënuar se do të largohet për këtë çështje. Përjashtimet ultra-ortodokse kundërshtohen nga shumica e izraelitëve. Komuniteti Haredi përbën rreth 12% të popullsisë, por ata që studiojnë Torah me kohë të plotë janë të përjashtuar nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak.

Rekrutimi zbatohet për pothuajse të gjithë izraelitët e tjerë, përveç arabëve izraelitë, që nga mosha 18 vjeçare si për burrat ashtu edhe për gratë. Qeveria po debaton një projekt-ligj i cili thuhet se kërkon të arrijë një kompromis duke lejuar përjashtime me kufizime. Por projekt-plani kundërshtohet ashpër nga partitë Haredi. Dy nga ato parti – Shas dhe Judaizmi i Torës së Bashkuar (UTJ) – mbajnë 18 vende në qeverinë emergjente prej 72 vendesh. Nga ana tjetër, partia laike, centriste e Bashkimit Kombëtar, e cila mban tetë vende, këmbëngul që përjashtimet të hiqen krejtësisht.

Udhëheqësi i partisë, Benny Gantz, ish-shef i shtabit të ushtrisë, ka kërcënuar se do të tërhiqet nga qeveria për planin aktual. “Populli nuk do ta tolerojë atë, Knesset nuk do të jetë në gjendje të votojë në favor të tij, dhe bashkëpunëtorët e mi dhe unë nuk mund të jemi pjesë e kësaj qeverie emergjente nëse ky ligj kalon”, tha ai të hënën.

Ndërsa disa hebrenj ultra-ortodoksë të moshës së shërbimit ushtarak shërbejnë në Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF), shumica dërrmuese nuk e bëjnë këtë, duke ia kushtuar jetën studimit të Torës në institucionet fetare, ose yeshivot. Gjykata e Lartë vendosi që fondet për Yeshivot, studentët e të cilëve kualifikohen për rekrutim që nga 1 korriku 2023, kur skadoi një ligj i mëparshëm për shtyrjet, por që nuk janë regjistruar ende, do të ngrihen. Raportohet se vendimi prek rreth 50,000 studentë yeshiva. Vendimi do të hyjë në fuqi më 1 prill, një ditë pas skadimit të një afati për qeverinë për të hartuar një ligj të ri.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb