Katër humbjet e fundit kanë futur zyrtarisht në krizë Elbasanin, skuadër që deri pak javë më parë shihej si një nga pretendentet më serioze për titullin kampion në Superiore. Rënia e papritur e rezultateve, e kulmuar me disfatën e rëndë 0-4 ndaj Egnatias, ka tronditur jo vetëm ambientin brenda skuadrës, por edhe besimin e tifozëve verdheblu. Në këto kushte, sfida e radhës ndaj Dinamos merr rëndësi vendimtare për ecurinë e sezonit. Një tjetër hap fals do ta largonte ndjeshëm Elbasanin nga objektivi madhor, ndërsa vetëm një fitore do të mbante gjallë shpresat për të qëndruar në garën për titull.
Në prag të kësaj përballjeje delikate, trajneri Ivan Gvozdenović po punon intensivisht në dy drejtime kryesore: rikuperimin psikologjik të skuadrës dhe ndërhyrjet në formacion. Tekniku serb është i vetëdijshëm se ekipi i tij po kalon momentin më të vështirë të sezonit dhe se reagimi duhet të vijë menjëherë, për të shmangur një mbyllje zhgënjyese të kampionatit.
PRIORITET ANA PSIKOLOGJIKE – Ajo që ka rënë më shumë në sy në javët e fundit është mungesa e qetësisë dhe e besimit te futbollistët. Elbasani, që për pjesën më të madhe të sezonit u karakterizua nga stabiliteti dhe kompaktësia, ka shfaqur pasiguri të mëdha në lojë, gabime individuale dhe mungesë reagimi në momentet vendimtare. Humbja ndaj Egnatias ishte goditja më e fortë, pasi skuadra u dorëzua shpejt dhe nuk arriti të tregonte karakterin që e kishte shoqëruar gjatë sezonit.
Pikërisht për këtë arsye, Gvozdenoviç pritet t’i kushtojë një rëndësi të veçantë aspektit psikologjik. Gjatë seancave stërvitore të kësaj jave, fokusi nuk ka qenë vetëm te përgatitja taktike, por edhe te rikthimi i besimit te grupi. Trajneri dhe stafi i tij po përpiqen t’i bindin lojtarët se gjithçka është ende e hapur dhe se një fitore ndaj Dinamos mund të ndryshojë rrjedhën e situatës.
NDRYSHIMET NË FORMACION – Paraqitja e dobët, veçanërisht në pjesën e parë kundër Egnatias, ka bërë që trajneri të mendojë seriozisht për disa ndryshime në formacion. Disa futbollistë që nuk kanë qenë në nivelin e duhur mund ta nisin ndeshjen nga stoli, ndërsa të tjerë pritet të marrin një mundësi për të sjellë energji dhe freski në ekip. Gvozdenoviç duket i vendosur të dërgojë një mesazh të qartë: askush nuk e ka vendin e sigurt në formacion. Konkurrenca brenda grupit shihet si mënyra më e mirë për të zgjuar reagimin e skuadrës dhe për të rikthyer agresivitetin që ka munguar në ndeshjet e fundit. Synimi është që ndaj Dinamos të zbresë në fushë një Elbasan më i ekuilibruar, më i motivuar dhe me një qasje krejt tjetër.
RIKTHIME SHPRESE – Një lajm pozitiv për stafin teknik është rikthimi në pankinë i Martin Janaçek dhe Bruno Lulaj. Edhe pse të dy nuk u aktivizuan në ndeshjen me Egnatian, fakti që ata janë rikthyer në stërvitje me grupin konsiderohet një zhvillim shumë i rëndësishëm në këtë fazë vendimtare të sezonit. Përvoja, qetësia dhe pesha e tyre në skuadër mund të rezultojnë vendimtare në një ndeshje me presion të lartë si ajo ndaj Dinamos. Nuk përjashtohet mundësia që, pavarësisht se ende nuk janë në maksimumin e formës, të dy të bëjnë një sakrificë dhe të jenë gati për të dhënë kontributin e tyre, qoftë nga minuta e parë apo gjatë takimit.
