Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj ka rrëfyer seancën e sotme të parlamentit përmes kronikës së tij satirike.

Gjekmarkaj përshkuan me mënyrën e tij debatin opozitar dhe lëvizjet e ministrave si dhe deputetëve të PD e PS.

NGA AGRON GJEKMARKAJ
Kronikë e një dite sulmi!
Dita nuk zhgënjeu. Ajo i kapi pritshmëritë. Opozita ishte e gjitha në sulm si kurrë më parë e bashkuar. Revolucioni sapo ka filluar. Sot ai ngriti siparin. Çështja Mcgonigal ishte kapaku.
Bilbilat e tij u dëgjuan ngado dhe Bilbilenjve s’u dridhej më qerpiku.
Doktori, Krye Zëvendës Lideri e të tjerë mungonin të përjashtuar që nga seanca tjetër. Dhunë e kartonit na preu krahët.

Salianji e Boçi vringëllinin logjikën e shpatat. Fjalët i kishin gjyle. Ato binin mbi samarin e qeverisë, byku i së cilës shpërndahej andej-këtej si flokë dëborë.
Mua mu afrua një e panjohur pak si e shëndetshme, më kërkoi një firmë, po i thashë prezantohu moj e bekuar kush je?! Iku ajo. Më la batall pa firmuar.

Majko i lutej Tritanit!
“… O berber, të keqen-o!
me ngadalë briskun-o!
mos i preç mustaqet-o…”! Po ndalej ay ??
Boria e partisë, Albana me një elegancë të përgjithshme e të pashoqe politike përpiqej t’i mobilizonte trupat. Jepte e merrte deri në mallëngjim. Me patos dhe epizëm udhëhiqte deputetët drejt Facebook-ut dhe si në dasmë na filmonte me kamera.
Babo nuk u pa asgjëkundi. Të vetët çapiteshin në mendime të trishta.
Askush nuk e di ku ndodhet. Opozita e kërkon ai nuk duket.
Tao sot ishte më pak trim se zakonisht, më i heshtur e reflektiv, kur pritej të hidhej si luan. Oshtimat e ngjarjeve e kishin tkurrur.

Elisa mundohej të thoshte “jam Babo, jam Babo” po Gaz Bardhi nuk i zinte besë dhe me zë hakërryes i kërkonte ballafaqim. O Babon o rashë e vdiqa. E Babo s’ka i thoshte Lindita, në daç merr Elisën, në daç plas!
Kur Bardhi me të madhe bërtiste “çfarë femrash jeni ju” gratë e qeverisë dridheshin, trembeshin, tkurreshin!
Nga një strukje diku aty vetëm Elisa mori guximin me zë të mekur t’i thoshte ç’ke me gratë si Kapedani tek filmi?!

Po ai i uruari as donte t’ia dinte, u turr, desh e bëri pistil Nikon i cili u frik dhe u bë sa një grusht pas gardistëve.

Peleshi ashtu i mundur ngulazi shihte Çyrben e qeshur mes zallamahisë gjithë pezëm. Ai po mbante me gajret Enin dhe të tjerët. Trimëria e Jyrgisit po i shkaktonte zili. Kafshonte buzën e qortonte veten pse nuk jam më kurajoz teksa bëhej sa një grusht.

Margeriti me një ftohtësi teutonike a gjermanike mejtohej mbi rëndësinë apo kotësinë e gjërave. Si ujë mbi pelerinë i rrëshqiste çdo gjë. Kësisoj derisa foli Ina. Llaf i saj sikur e ngrohu dhe u çel pakëz. Ishte fuqia e mallit në kohë jallane.

Tezja kishte uri. Një dy cimbiste biskota.
Bora gati me lot në sy belbëzonte “pse nuk vjen Babo, e heshtur është Bela, qan xhaxhi Ulsiu, përtypet teze Mirela”?!

Teta Gerta e shihte po s’kishte xhevap për t’i dhënë. Pa dy a tri herë nga Olta për ndihmë po ajo ia preu shkurt “hë se do t’i kalojë mos u mërzit”! Bela pasi kaloi tunelin e Llogarasë dukej më e ftohtë me tunelin e politikës në atë paradite.

Eduart Shalsi i krehur si Fadil Hasa tek “Mao Ce Duni” luante shah kur prej tij kërkohej qëndresë.
Blendi Çuçi mallkonte ditën që lindi. Ai shihte me zili Krifcën e portokallosur në ngjyra që i ka marrë ministrinë e Bujqësisë. Më mirë të me shpinte Babo drejtor të akademisë së barinjve, mbikëqyrës ndërzimesh se ministër i brendshëm më 11 Shkurt. Mllefi i tij nuk i ngjante atij të Erjonit.

Braçja kishte të ftohtë! Herë pas here skërmiste dhembët për t’u ngrohur nga mendimet e veta. Mimi di Puçini ishte bërë natë, asnjë pipëtimë. Në zymtësi admironte madhështinë e vet.

Etilda hije dhe psherëtimë, më shumë metaforë se prani.
Toni i lutej Zotit si në ditën e gjykimit. Jorida edhe pse kishte ardhur drejt e nga Stokholmi nuk ishte e akullt. Pandehma e revolucionit e kishte bërë mbresëlënëse në njerëzillek. Klosi mendonte më të keqen, luftën e gjatë, një copë sallam hungarez i dilte nga setra herë pas here.

Tigrushi i ulur në rreshtin e fundit e ka pranuar tashmë fatin e tij dhe citon Biblën “bekuar të fundit që do të jenë të parët”.

Kështu u sos edhe kjo ditë që më gjet si dëshmitar teksa për idealet e mëdha njerëzit e ndershëm bëheshin copash. Kronika duket e pafuqishme për t’u bërë vend kaq shumë emocioneve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb