Nga Agron Gjekmarkaj
Kronika magjepset nga trimat dhe evidenton tradhetaret e Babos!
“Qyqja, mi none, qyqja, mi none,” u dëgjua mërmërima e Ekonomit kur pa Klodi Spaqinē të veshur si vajzat me kordele të kuqe!
Kësaj i thonë: Babo digjet e Klodi krihet, i pëshpëriti Evisi te veshi, duke ia kapur xanxën.
Në fillim Zoti të merr mendjen, pastaj të tjerat avash avash ! Gaz Bardhi, ti merr të gjitha njëherësh! Erzin te parin. Është bërë si xhebraili, nga dosja del, në dosje hyn!
Tezja, qerratesha plakë, nuk bëri ish pa patur pula, u bë def, ç’ më duhet mua, mejtoi , Vlora me Gysin.
Ky i fundit, thonë që e paskësh thirrur për ta qortuar në zyrë për disa leje e gjëra në Jug dhe ajo ishte përlotur! Aty i ka thyer zemrën. Ditmari bën be që ajo është e ndjeshme, se ja di hukamat e fshehtësisë dhe e ka vuajtur.
Sypetrit Malaj lëshonte vetëm krisma nga pas bam bum , bum bam prej stresit e frikës, aq sa Niko i tha: hallall bataretë e Opozitës, se nuk mbajnë erë, po ti paske ngrënë kërmë, more jezit he te shplafte mortja , nuk paske patur një pike meshirë!
Stomaku i bente zhurma si makinëkorrese!
Delina mbante një shami të lagur me ufuth molle, si në protesta kur hedhin gaz lotsjellës! Sa e hiqte leshonte një pasthirrme sekelldie.
Ministri i Brendshëm boli Demir Demo hyri fshehurazi, siç i ka hije një trimi, dhe iku tinez me krenari lepuri! Nuk lypte telashe! Thonë do dalë vetë me dyfek mbi supe fustanelle veshur hypur mbi kale si Osman Gazepi dikur në Berat për të bërë terbiet krimin e organizuar.
Njeriu i trashë Gonxhe, (nga shëndeti më i gjerë se i gjatë, se nga mendja është birbo e allishverishexhi, edhe pse nuk di shkrim e kendim) bëri një xhiro me englendisje mamuthi sa për t’u dukur dhe iku! Ç’ më duhet mua, i tha në korridor, jam me zemër të ngrirë, se më ka thirrur gjashtë herë Gysi te vendi. I thuhej jo atij, he, i thuhej jo? Një ditë u rebelova i bera bisht : jam në Butrint. Po mirë, më tha, të pres kurdo të kthehesh. Ç’të bëja, i shkova në mesnatë, pimë nga një gotë nga ajo vera e përfolur! E mirë ishte, të lepije buzët.
Ata që kanë shkuar në studion e tij për të bërë hajer, për të ndërruar pozicionet, rrinin kokëulur si zaif dhe kishin të hequra barkut!
Nëpër dhëmbë, njeri tha: të bëjmë shoqatën “evleterit e Gysit” dhe të mbrojmë njeri jatrin nga telashet. Jo, tha dikush, ai ishte më i ri se ne. Qysh ne qenkemi bij, le ta quajmë “besëlidhja e shenjtë”. Kështu u la! Ata qe kane ngrënë dacka abstenuan.
Vetëm Klosi doli të fliste si shyta (dhia që kërkonte brirët e humbi edhe veshët) e llomotiti mbyturazi nja dy-tre fjali, si ajo ferferima nëpër poture! Pastaj, duke u tulatur dhe me marramendje, u ul në vend! Askush s’i tha puna e mbarë! Ca lëshuan llafe të liga, e ka nga pagjumësia, se vesi të punon qindin, helbete!
Seanca e të enjtes ishte surreale, gjithë namuzi i mazhorancës mbeti në dorë të Qefseres! Fol, i thanë Koçisë, fol, beja fora, tregoje veten, ç’mund të bësh për Babon tonë në këto kohë zavallesh, se po të ishte Etilda këtu, e përmbyste bankën e drunjtë të qeverisë, si monumenti “ Nene Shqiperi “ do na printe?!
Jepi, ndizë, i thanë Nufit, lëshoji raketat e tua, shtypi butonat , tunde more i paudhe , shkrepe, digje, bëje zhari, falja dreqit gjithë ata edepsezër aty poshtë!!! Jo more, jam njeri i paqtë, jam i kalemit , i mendimit , arma ime eshte kultura tha, dhe u fsheh nën tavolinë!
Pirro Dëngu e pa me përbuzje. Po të isha unë aty, si dikur, tani sillja ushtrinë dhe i bëja zap , i zinin me duar e kjo mesele mbyllej me ballin lart, se ne kemi ngritur prapanicat e ulur kokën, sot sokëlliu! Një lot sa një arre i ra mbi dysheme!
Thërrisni Karakaçin, lëshuan kujen, të vijë e të bëjë betejë, të luftojë si Oso Kuka, se na mbyti opozita, këshilloi Bora teksa vetē i frynte një pipeze!
Eh, tha Igli, ku ta kapësh Enea Larasken (sipas dialektit të jugut Karakaçe = laraske)!! Kembet e lehta faqja e bardhe ai pastaj e ka zet te foluren. Po mbase luan gishtin insistoi Bora, eh jo per ketē pune bezani Igli po per ate tjetren e vertit !
Në këtë mërzi e maraz, Shalsi, me lehtësinë e papërballueshme të qenies, nxorri dy rriska bukë me gjalpë dhe me ca feta sallami brenda dhe i hëngri, si të ishte në një planet tjetër! Ferkoi edhe plencin! Fatmir Xhafa krejt si në këngen e bregut “thelleza që shkel mbi vese” ashtu pa u ndjere si firaun nuk u pa më.
Ju lutën Damos me lot në sy, motrani e shoqeni, fol, dil se të bën Neta petulla ty , dil mbro Babon se pisk puna ! Me qejf, tha, do ta bëja, po kam orarin e palestrës, Babo ka thënë mendje e shendoshë në trup të shendoshë, pastaj ai ka besim te Zeniqeja, jo tek unë, nuk e zhgënjej dot, nuk ja kam prishur kurrë!!!
I shihte Kostaqi qartë e më qartë dhe vuante thellë e më thellë. Ah, të isha deputet aty, të shihin ata zulleper , si i piqja në hell një nga një, si të ishin shelegë Lume dhe një damar ishte gati t’i dilte nga balli e të merrte arat si nafta qe plas nga toka!
Bah, mezallah, tha Koçia pas një hezitimi te gjatë!
Për këtë ditë të zezë kemi Qefseren, e cila, e dalë si nga legjendat, çapitej mbi një fjalim të bërë hazer nga të tjerët!
Disa të shastisur shqiptonin si në jerm një fjalë të çuditshme: “kartela, kartela”! Kidi, gjasme për ta mbrojtur, po sikur i nguli një kamë, tha: se ju jeni të pashpirtë, i kujtoni edhe lëndimin e damarëve!
Braçja trokiti, si edhe herë të tjera, në dyert e kronikës! Ai pyeti: qysh e dini që Mamica me Taon vanë në konak të Babos? Na e ka thënë Babua vetë, i thamë, na e kërkoi si nder që të përhapim llafin që Mamica gjet rrugën e Perëndisë dhe ju trazovaçet e vegjël të hidhni nga dora biçakët boll bëte loje lufterash!
Braçja u skuq kur i konfiduam se ty do të presë Qefserja për të bërë autokritikën, i shoqëruar nga Erjo Mile si dëshmitar pa lule pa llokume pa portret. Pastaj ajo i shpie koncentratin! Ervin Hoxha pyeti Ogin, të ngrihem tu bej gjëmen ? Ajo e ndali , rri mbaj shenime e dorezoji listen “Kronikes” se nuk je ende gati pas traumave qe ke pesuar ! Ky është veprim më i dobishem.
Erjon Malaj u binte tëmthave me grushte – ç’ më gjeti, ç’ më gjeti – ja dha piskamës!!! Nuk flet askush, fshihen more, u ankua. Fol ti, s’dua thotë njeri, se më ka vdekë gjyshi vjet, kam përvjetorin, nuk më bën zemra. Fol ti, i them tjetrit. Mos ma kthen, kam parë ëndërr mbrëmë, sikur këputa gjuhën me dhëmbë dhe jam si pa qejf. Ti do llafosesh ? Ah jo me ka pjelle pela në fshat kam gezim ejani tu qeras !
S’do askush e qante: ah, axha Tao, axha Tao, si më le vetëm në ditë të kiametit! U befsha tullac u befsha po ndeja me fillikat lebetitej !!
Epo, Tao e vërtit llafin, qerratai i ka vënë synë karriges së Nikollaqit! Pret tetorin. E pe edhe Babua me gjithe dertet qe e kanë kapluar i kishte falur një buzëqeshje të madhe e bujare për të ilustruar diçiturën ne facebook se ai paskësh çuar flamurin e Shqipërisë në selamet edhe me radar të fikur!
Askush mos pastë hallin e Bledion Nallbase !
Kishte rënë në një të madhe ndërdyzje! Shihte Mamicën me fustan blu e frynte bulçinjet, duke tërhequr një toskanelo, pako gjë, pako gjë e hajthme tepër, kerrthi i fliste vetes! Sikur e ka tkurrur Rutja ! Në mos tjetër, tha, duhet fituar kjo betejë, ta kem atë fustan për ditën e gjykimit si qefin! Termeja ju afrua e i tha “mbahu vella s’ja ka gjetur njeri fundin merakut është pyll i pambarim! Lis pas lisi thyhet sepata”
Syri i keq i socialistëve qe ate nate me Babon qe e keqyri me babezi, vështrimi i lig, kishte rënë mbi Jorushin e Tabakëve. Pantallonat e rinj, si kauboj, ishin çarë për fat afër këpucëve! Për e lengata shkoi me aq dhe nuk ia ndali hovin!
Kryezevëndës Lideri hyqymeti Flamur komplimentoi “Kronikën” me fjalë të kursyera, pa yrysh , të gjitha te peshuara që ajo të thellohet në autokritike , pa rënë në pesimizëm! Nderkohe Bernard Banushi çiarçifi i toskerisë thur plane të medha tymi i të cilave do dalë shumë shpejt mbi oxhak !
