Muaji mars nisi me një masakër të tmerrshme në Tiranë, ku tre gra kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjera kanë mbetur të plagosura.

Ishte Dan Hutra i cili mëngjesin e djeshëm shkoi në banesën e prindërve të ish-partneres së tij në Paskuqan, duke qëlluar me breshëri kallashnikovi, e duke lënë të vdekura në vend dy 30-vjeçare, ndërsa të plagosura mbetën nënë e bijë.

Konkretisht Hutra ka ekzekutuar me gjakftohtësi Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Të plagosura kanë mbetur Elena Hysa, 35 vjeçe, ish-bashkëjetuesja dhe nëna e fëmijës së tij, si dhe Kujtime Hysa, e ëma e ish-bashkëjetueses së tij.

E gjithë ngjarja ka ndodhur në sy të djalit të tij, rreth 1 vjeç.

Pak para kësaj ngjarjeje, Hutra ka shkuar në banesën e ish-të dashurës së tij, 40-vjeçares Marjana Gurakuqi, duke e dhunuar dhe plagosur me thikë dhe duke i marrë asaj një shumë të konsiderueshme parash.

Aktualisht ajo ndodhet në spital, ndërsa ka dëshmuar para efektivëve të policisë.

Ndërkohë rreth të njëjtës orë, në Kamzë, është ekzekutuar po me armë zjarri 31-vjeçarja Etleva Kurti, motra e të dënuarit me burgim të përjetshëm, Vladimir Kurti.

Por ky i fundit ka akuzuar se vrasësi i motrës së tij është pikërisht Dan Hutra, pasi sipas tij ky i fundit e kishte kërcënuar Kurtin në burg duke i thënë se do të vriste atë dhe të motrën.

Por Hutra nuk është një personazh që policia nuk e njeh apo nuk kishte dëgjuar kurrë më parë… përkundrazi, ai cilësohet si një njeri me rrezikshmëri të lartë, i dënuar disa herë.

Në vitin 2003 ai ka marrë peng nënën dhe kunatën e tij si dhe ka përdhunuar kunatën tjetër. Për këtë krim ka kryer vetëm 3 vite burg duke i hapur kështu rrugë kryerjes së një krimi tjetër.

Në 10 dhjetor 2007 ai ka vrarë më thikë bashkëshorten e tij Dafina Havalja, vetëm 22 vjeçe. Pas vrasjes ai ka marrë trupin e saj, e ka vënë në krevat e për të mbuluar gjurmët i ka lënë thikën në dorë.

“Po, unë e kam vrarë gruan time, Dafinën, me thikë. Jemi grindur dhe më pas e kam goditur, por gjithçka e kam bërë pa vetëdijë”, deklaronte ai në atë kohë.

Veç të tjerash, në prani të kufomës ai ka pirë birra dhe cigare dhe i ka hedhur ato gjithandej nëpër banesë, duke i dhënë fund xhelozisë së lindur që prej tetë muajsh, kur ai u martua me vajzën nga Klosi.

Hutra fillimisht u shpall në kërkim por u arrestua 3 ditë pas ngjarjes në afërsi të Kukësit brenda autobusit të linjës Tiranë – Kosovë dhe në mars 2009 u dënua nga gjyqtarja Fatmira Hajdari me 24 vjet burgim për “vrasje me paramendim”.

Por në aplikim të gjykimit të shkurtuar u dënua përfundimisht me 16 vjet burgim.

Teksa ndodhej në burgun e Drenovës në vitin 2013, Hutra u akuzua se në qelinë e tij ka mbajtur 2 celularë e 4 sharra që kanë ndihmuar në arratisjen e disa të dënuarve në 23 nëntor 2013 mes të cilëve edhe Admir Tafili.

Hutra është me origjinë nga një zonë me Admir Tafilin dhe mësohet se në burg ka pasur lidhje të ngushta me “ideatorin” e arratisjes nga burgu i Drenovës.

Hutra ka dalë shpejt në liri pasi rezulton që është arrestuar sërish në 16 qershor 2022 për “dhunë në familje”, pra rreth 14.5 vite pas vrasjes.

Gjithsesi për dhunën në familje ka kryer sërish vetëm 8 muaj burg dhe është liruar vetëm dy javë më parë.

Por si është e mundur që një njeri me precedentë të rëndë kriminalë të pengmarrjes, përdhunimit dhe vrasjes në të treja rastet brenda familjes, lihet sërish i lirë?!

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb