Programi elektoral i PS-së dhe kryeministrit Rama për zgjedhjet e 14 majit është lufta kundër opozitës me sloganin “Vetëm Përpara”, mbjellja e pemëve dhe tallavaja.

Por në këtë periudhë kryetari i bashkisë së Tropojës dhe vartësit e tij kanë vendosur të bëjnë edhe një piknik kolektiv jashtë Shqipërisë, gjithçka me shpenzimet e bashkisë.

Sipas dokumentit zyrtar pikniku do të fillojë në 5 maj dhe do të përfundojë në 8 maj kur charter-i do ti sjellë në aeroportin e Kukësit.

Për këtë piknik kryetari i bashkisë së Tropojës, njëherësh edhe kandidat i partisë socialiste në zgjedhjet e 14 majit, Rexhë Byberi ka shpallur tender në 26 prill 2023.

Tenderi u bë me urgjencë në 27 prill dhe në të janë porositur 18 bileta avioni për në Bazel të Zvicrës me akomodim në hotel, dy vakte ushqim dhe shërbime të tjera transporti, taksi, vizita dhe argëtime.

Nisja e shefave të bashkisë së Tropojës do të bëhet në 5 maj 2023, ndërsa kthimi në 8 maj ose 6 ditë para zgjedhjeve. Në motivin e udhëtimit të qëndrimit 4 ditor në Bazel të Zvicrës, thuhet se shefat e bashkisë do të shkojnë për çështjen e studimit shkencor, temën e të cilit nuk e kanë treguar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: