Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka prezantuar sot kandidatët për deputetë të kësaj force në Elbasan. Kryemadhi tha se jemi fokusuar shumë te programi i LSI për arsimin, ‘mëso dhe fito’. Ajo tha se duhet të prishim ata barriera që ka marrë peng Elbasanin, duke nisur nga politika sesi është drejtuar dhe po drejtohet qyteti.

“Sot ne jemi në Elbasan, kemi prezantuar Klaudjën, Mozën, themelues të LSI. Njëra është gjyshe, mama. Klaudja është e re, sepse e ka nisur që studente me LSI-në, Moza është gjyshe, por në moshë është shumë e re. Në Elbasan ju të rinjtë e nisni dashurinë shumë shpejt, e doni shumë njëri tjetrin, martoheni shumë shpejt dhe kjo është gjë shumë e mirë. Nuk ka asgjë të keqe, sepse është një ndjenjë që në thelb të saj ka familjen. Ne në fakt e kemi, ‘Shqipëria shtëpia juaj’, sepse një nga problemet më të mëdha që ka sot rinia është largimi i tyre nga Shqipëria. Kur flasim për shtëpinë, mendojmë prindërit tanë, shoqërinë, lagjen ku jemi rritur. Largimi i të rinjve ndodh për mungesë të punës, arsimit, apo dhe arsye të tjera. Sot të rinjve, sidomos ju që jeni artistë ju duhen hapësira për të zhvilluar talentet e tyre, siç janë muzika, piktura, etj. A ua ofrojmë këtë me sistemin tonë arsimor? Jo. Prandaj jemi fokusuar shumë te programi i LSI për arsimin, ‘mëso dhe fito’, që nga rritja e pagave të mësuesve, etj. Jo vetëm në Tiranë, por edhe në Elbasan ne kemi 3 studentë që kandidojnë në listën e deputetëve që për mua është privilegj. Sindi Laloshin që është studente për ekonomi, kemi Sindi Qafleshin për juridik dhe që ka edhe një biznes të sajin, që ka marrë një iniciativë të saj me lulet. Ashtu si Sindi që ka një biznes familjar që krijon mundësinë e të komunikuarit me njerëz të lumtur. Dhe vijmë të sportisti Franko që është rritur në LSI. Ka ardhur që fëmijë. Është kjo lidhje familjare, rrjeti që krijojmë me njëri-tjetrin dhe që përfaqësojnë vazhdimësinë. Të kandidosh në Elbasan është shumë e vështirë, për arsye financiare, mungesës së ofrimit të alternativave, apo edhe mbajtjes së premtimeve. Vetë Elbasani është një qytet sa elitar aq edhe i vështirë në komunikimin, sidomos për gratë e vajzat, të rinjtë e të rejat për tu përfshirë në politikë.
Elbasani është shumë afër me Tiranën, 17 minuta larg, 30 minuta nga Durrësi, pra i ka të gjitha mundësitë e komunikimit perfekte, prandaj të prishim ata barriera që ka marrë peng Elbasanin, duke nisur nga politika sesi është drejtuar dhe po drejtohet qyteti. Elbasani duhet të jetë një nga qytetet më të pasura për sa i përket gjithë rrjetit dhe kryeqëzimit të rrugëve. Në fakt është qyteti me numrin më të lartë të papunësisë. Jam e bindur që duke angazhuar të rinjtë e të reja, që do ta kthejmë vëmendjen në Elbasan”, deklaroi Kryemadhi.

Ajo theksoi se është çështja tek angazhimi i njerëzve në vendimmarrje për të iu imponuar politikës për të marrë vendime që i shërbejnë qytetarëve të Elbasanit. “Ju shërben juve në radhë të parë. Elbasani ka qenë djepi i arsimit, nuk mund të kthehet tani në djepin e injorancës, varfërisë. Normalja e famshme e Elbasanit, ju e dini të gjithë, historitë janë shumë të lidhura me të, qoftë për arsimin, kulturën, trashëgimninë e shumë gjëra të tjera. Këto gjëra kanë qenë në memorien tonë më përpara, e ju duhet ti riktheni. Ti riktheni në realitete, vlera dhe kam besim te ju. Ajo që mendoj unë që është shumë e rëndësishme është të gjeni forcën, kurajën dhe prandaj jemi ne këtu, për të qenë me ju, për të ju hapur rrugën që ju ta drejtoni këtë qytet, ta lulëzoni, ashtu siç lulëzon për ditën e verës, unë ashtu dua ta lulëzoni edhe në të ardhmen. Ta harrojmë të kaluarën, të shkuarën e hidhur e cila ka lënë gjurmë në jetën e elbasanllinjeve e të kthehemi në një normalitet që e bën jetën të bukur, këndshme dhe në një atmosferë. Janë shumë gjëra që duhet ti kujtojmë njëri tjetrit, gjëra pozitive dhe unë besoj vërtetë që do ta realizojmë këtë gjë”, tha kryetarja e LSI.

Kryemadhi theksoi se ekipi i LSI nuk është listë, por është një skuadër. “Është një ekip fitues. Nuk ka të bëjë me renditjen, nuk ka të bëjë me vendosjen, nuk ka të bëjë me emrin, por ka të bëjë me ekipin, frymën e ekipit, sepse fryma e ekipit është ajo që i jep fitoren gjithë skuadrës.
Në fakt e vlerëson jashtëzakonisht shumë faktin që, edhe kur e kemi diskutuar, ekipi i Elbasanit është 80 për qind feminist, që nuk ka asgjë të keqe, por edhe këtë 20 për qindëshin që e ka, e ka të ëmbël. Por, është ekipi i gjithë të rinjve dhe të rejave që ju përkrahin, që ju mbështesin në kandidaturat tuaja.
Dhe unë do t’ju ftoja që të vazhdoni rrugën që keni nisur, çojeni deri në fund, pasi jam e bindur që do ta realizoni qëllimin tuaj. Dhe ky Elbasani që sa i vështirë duket, aq i kollajshëm është, sepse çdo njeri, kushdo qoftë, do të bëjë çdo gjë për fëmijën e tij dhe unë jam e bindur që varfëria, shfrytëzimi, tjetërsimi i njerëzve ka bërë që Elbasani të bëhet kaq i zymtë, por që brenda vetes gjithë ajo energji pozitive është e fshehur sot për momentin, por më 25 prill do të shpërthejë për të shpëtuar të gjithë.
Elbasanin nuk mund ta marrë peng as Edi Rama, as Taulant Balla dhe askush tjetër. Elbasani është i elbasanllinjve dhe Elbasanin do ta shijojnë të gjithë shqiptarët, duke qenë vetë elbasanllinjtë që do të ofrojnë atë mikpritjen, të gjithë atë mirësi dhe kulturë që mbart ky qytet. Dhe unë jam e bindur për këtë dhe besoj vërtet, sepse e njoh Elbasanin shumë mirë me virtytet e veta”, deklaroi Kryemadhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb