Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka prezantuar sot kandidatin për deputet Ardian Alushi në Mallakastër. Kryemadhi deklaroi se Mallakastrës do i kthehet identiteti dhe do vihet në punë rafineria e naftës.

Ajo shprehu kënaqësi për pritjen dhe takimin me disa fëmijë, ndërsa u ndal më pas tek problematikat në zonë.

“Në radhë të parë dua t’iu falenderoj të gjithëve që janë pjesëmarrës. Në fakt pritja ishte fantastike, sepse kur erdha ishin shumë fëmijë. Nuk kishin ardhur për mua, por për stërvitje, sepse mesa duket ishin fëmijët e ekipeve zinxhirë të ekipit të Bylisit. Ishin të jashtëzakonshëm dhe u ndjeva shumë mirë, sepse kishte një energji pozitive, që na mungon në jetën tonë të përditshme. Na mungon energjia për shkak të politikës, për shkak të agresivitetit, për shkak të problematikave që kanë jo vetëm njerëzit, por e gjithë shoqëria shqiptare. Dhe ai sinqeriteti fëmijëror, ajo dashuri dhe çiltërsi jo vetëm që është energji pozitive, por edhe motivim dhe një angazhim shumë i madh.
Unë gjatë gjithë kësaj kohe kam qenë në shumë qytete, sidomos në qarkun e Fierit, por edhe në Shqipëri dhe rrethet e vogla si xhep, siç është Mallakastra, Patosi, Roskoveci apo qytetet të tjera, janë vende të cilat po vijnë duke u shteruar dhe po shpopullohen. Është shumë ë vështirë që të shikosh fëmijë në rrugët e qyteteve apo edhe në fushat e sportit, sepse familjet e reja po largohen çdo ditë e më shumë.

Bato përmendi pak më përpara problematikat që ka Mallakastra, jo vetëm në bujqësi, blegtori, por edhe në sektorin e naftës. Unë nuk jam aq kompetente për të folur për sektorin e naftës, saç mund të flasë një nga njerëzit të cilët ju e njihni shumë mirë, Ardian Alushi, i cili kandidon nën siglën e LSI-së në listën tonë. Ai ka qenë drejtor i ARMO-s dhe të gjithë punonjësit e ARMO-s e mbajnë mend dhe e dinë shumë mirë që kur ai ishte drejtor, jo vetëm që kishin rrogat më të mira, jo vetëm që ARMO ishte në punë nga mëngjesi deri në darkë, por edhe çmimi i naftës në tregun shqiptar ishte shumë më i ulët dhe punëtorët dhe naftëtarët që punonin në ARMO merrnin gjithmonë në fund të vitit shpërblime. Pra paguhej një naftëtar apo një punonjës i rafinerisë së naftës më shumë se një ministër, se kryeministri, presidenti e kështu me radhë.
Dhe problemet e naftës, siç i di Ardiani, por si Ardiani edhe shumë e shumë të tjerë, dhe aq më shumë ju që jeni këtu, ish-inxhinierë, ish-naftëtarë, ish-laborantë, apo gratë naftëtare që i kemi takuar në grevën e urisë, janë njerëz që e njohin problematikën e naftës, por edhe të gjithë historinë e saj dhe dinë edhe rrugëzgjidhjen e problemeve që ka”, deklaroi kryetarja e LSI.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kryemadhi tha se nëse këtij qyteti nuk do t’i kthejmë atë identitet, që është identiteti i rafinerisë, i prodhimit të naftës, do të jetë shumë e vështirë që ky qytet të vazhdojë dhe të banohet. “Përkundrazi do të vazhdojë dhe të shpopullohet me ritme më të shpejta, sepse nëse deri dje rafineria punonte 1, 2 apo 3 muaj, tashmë ajo ka shkuar drejt mbylljes totale. Kështu që një nga obligimet dhe angazhimet tona është rikthimi në punë i menjëhershëm në punë i saj, por edhe trajtimi me dinjitet i punëtorëve të rafinerisë së naftës.
Ne e dimë shumë mirë dhe kemi kohë që po e ndjekim, që në kohën e grevës së punëtorëve së Poçemit të pompave dhe të Ujësjellësit të Mallakastrës dhe që nga ajo kohë jemi bërë më familjarë për problematikat. Kejdi po ashtu edhe si bijë Mallakastre, por edhe si vajza e dy prindërve që kanë punuar në rafinerinë e Ballshit. Janë jo vetëm obligime politike, por edhe detyrime morale, njerëzore që ne i kemi ndaj jush. Nuk dua të flas më shumë për angazhimet politike, sesa dua të angazhohem më shumë tek marrëdhënia jonë njerëzore, për të arritur në ato 5 prioritete tonat kryesore që ne kemi si LSI, që kanë të bëjnë me aspektin ekonomik, por në lidhje jo vetëm me Mallakastrën, por të gjithë qarkun e Fierit, kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me sektorin e naftës, ku 22% e Prodhimit të Brendshëm Bruto vjen nga sektori i naftës, që derdhen të ardhura në buxhetin e shtetit”, tha ajo.

Sipas Kryemadhit, sektori i naftës jo vetëm që nuk paguan asnjë detyrim në buxhetin e shtetit, por përkundrazi, është një naftë që del jashtë kufijve të Shqipërisë dhe nuk kthehet më këtu, qoftë edhe me atë çmim që ikën.
“Por përkundrazi vjen 2-3 herë më e shtrenjtë seç del nga Shqipëria. Prandaj unë do doja t’iu falënderoja juve shumë, por dua të falenderoj edhe Ad Alushin, të cilin e kanë shumë merak këta rilindasit, sepse thonë është trim, është i vendosur. Në fakt unë nuk kam parë ndonjë mallakastriot që nuk është trim. Historikisht Mallakastra ka pasur një nga rezultatet më të larta se çdo bashki tjetër dhe jam e bindur se do ta mbajë. Por edhe shtrihet kudo, me shumë mallakastriotë që nuk janë në Mallakastër apo në rrethinat e saj, por edhe në qytetin e Fierit, në Tiranë, Durrës e kudo.
Unë u jam shumë mirënjohëse dhe i jam mirënjohëse edhe Adit, por edhe Kejdit, që na e kanë bërë punën në qarkun e Fierit shumë më komode, shumë më të thjeshtë, shumë më interesante, por edhe më të dashur. Sepse ndonjëherë ne bëhemi edhe skeptikë për t’i parë gjërat ashtu siç janë. Por kur gjen njerëzit e duhur, kur gjen djemtë dhe vajzat e duhura, sigurisht që gjërat janë më të thjeshta, janë më të drejtpërdrejta, janë edhe me bio”, tha Kryemadhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb