“LSI është një familje” Kështu deklaroi kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi paraditen e sotme në Vlorë.

Kryemadhi ka qenë sot në Vlorë ku ka prezantuar kandidatët e LSI-së për deputetë. Kryemadhi tha se Vlora i ka dhënë identitet Shqipërisë. Ajo falënderoi përfaqësueset dhe përfaqësuesit e LSI-së në këtë qark duke theksuar se iu është mirënjohëse pasi përballuan presionin dhe terrorin psikologjik të një kaste në ikje.

“Vetëm Vlora mund të bëjë këtë frymë, këtë entuziazëm, këtë forcë, këtë besim dhe këtë patriotizëm. Vlora është një qytet, që për hir të së vërtetës i ka dhënë identitet Shqipërisë, i dha pavarësinë Shqipërisë, i dha forcën Shqipërisë, i dha frymë, i dha jetë, por i dha edhe bukuri.

Vetëm në Vlorë mund të shikosh një mrekulli të jashtëzakonshme që Zoti ia ka dhënë, këtë diell, këtë atmosferë, që edhe shiu kur bie është i bukur, sepse edhe vlonjatët dhe vlonjatet janë të bukur. Por nuk iu ngel hatri sarandjotëve, sepse edhe Saranda është shumë e bukur dhe në fakt të gjithë jemi bërë xhelozë kur u bë ndarja administrative, kur u bashkua Vlora, Himara, Saranda e Delvina dhe ne thamë: Si mund të bashkohen dhe nuk ruajtën raportet që kanë ruajtur me qarqet e tjera. Por, aty kupton forcën, karakterin, mentalitetin, gjuhën, shpirtin, edhe ajo egërsi që kanë këto zona bregdetare, ngjitet dhe shprehet me dashuri njerëzore.

Unë në fakt ju jam shumë mirënjohëse të gjithëve. Ju jam shumë mirënjohëse grave dhe vajzave vlonjate, i jam mirënjohëse Shqiponjës, Junës, Monikës, të gjitha grave dhe vajzave, që në ditët më të vështira qëndruan në LSI, luftuan në LSI dhe mbi të gjitha përballuan, presionin, dhunën dhe terrorin psikologjik të një kafke në ikje.

Si mund të mos jem krenare për Vefin, që sot është shtatzënë, e cila në asnjë moment, që studente, nuk iu nda LSI-së. Si mund të mos jem krenare për Xhilin, për atë djalë të mrekullueshëm, që në momentet më të vështira nuk mungoi njëherë për të thënë: Jam këtu me ju!

E pra kjo është LSI-a. LSI është një familje, që shumë persona, kur thanë që LSI është një parti familjare, menduan se bënë dëm, por jo. Përkundrazi, familja është qeliza që mban kombin në këmbë. Familja është qeliza që mban shtetin në këmbë. Familja është dashuria e nënës dhe babait për fëmijën. Është dashuria që kemi secili nga ne për fëmijët, për prindin, për motrën, për vëllain, për gjyshërit, për historinë, sepse vetëm dora e nënës që rrit fëmijën, e rrit me dashurinë për familjen, për flamurin, për vendin. E pra, familja për ne është gjithçka, familja për ne është e shenjtë. Respekti për prindërit është i shenjtë dhe i patjetërsueshëm. Sepse në fund të fundit, këta jemi ne. Ne jemi familja e vërtetë shqiptare, që e ka në themel të saj dashurinë dhe respektin për vendin, për flamurin, për vlerat e familjes dhe për vlerat e respektit”, deklaroi Kryemadhi.

Kryetarja e LSI tha më tej se sot më shumë se kurrë Shqipëria dhe Vlora kanë nevojë për djemtë dhe vajzat e saj

“Sot tek vija  rrugës, ndalova dhe takova disa miq midis Fierit dhe Vlorës dhe më thanë: A do ta rrëzojmë më 25 prill?
Kë u thashë të rrëzojmë?
Të rrëzojmë këtë të çmendurin, se na shkatërroi!
I thashë: Ai nuk është i çmendur, ai është i keq. Po! Sepse mjafton të pyesim secilin nga ata që ka kaluar COVID-in e dimë se sa i ka kushtuar fatura financiare e ilaçeve. Se sa kanë paguar shqiptarët nga xhepi i tyre për COVID-in, aq do të paguajë sot Edi Rama dëmshpërblim për një televizion që e mbylli, vetëm e vetëm se donte ta mbyllte, ishte arrogant, ishte abuzues dhe kërkon të tjetërsojë çdo gjë.
Ju vlonjatët e dini më mirë se kushdo tjetër se ç’ po ndodh me shtëpitë tuaja. Se ç’ po ndodh me bizneset tuaja e me detin tuaj. Dhe më shumë se ju, nuk e vuan askush tjetër, por unë jam e bindur që surpriza e 25 prillit është nga Shkodra gjer në Vlorë. Ashtu sikurse e ka thënë edhe Migjeni: Ngrihuni dhe bjerini, korrini dhe shtypini të gjithë ata që grabisin qytetarët, që grabisin pronat e qytetarëve, të gjithë ata që grabisin bizneset tuaja duke ju gjobitur, të gjithë ata që marrin çdo ditë jetën tuaj, frymën tuaj, ajrin tuaj, sepse janë të pangopur, sepse nuk kanë dashurinë e familjes, sepse nuk kanë dhënë dashuri për familjen dhe për prindërit e tyre dhe kjo është arsyeja që ata e urrejnë popullin e tyre.
Por ne më 25 prill do të shkojmë në kutitë e votimit, do të votojmë numrin 6 dhe unë do t’ju kërkoja të votonit numrin 6. Sepse do të votojnë Luan Ramën socialistët e zhgënjyer, se të rinjtë dhe të rejat votojnë Grisejdën, Anxhelën. Se gratë votojnë Lirinë, Entelën apo këdo tjetër. Se burrat votojnë Taqon, Ilirin. E pra, ajo që është e rëndësishme është që të gjithë të shkojmë dhe të votojmë. Të votojmë LSI-në. Pse? Sepse është e vetmja forcë politike që për hir të së vërtetës në të gjithë jetën e saj 17-vjecare dhe në 30 vitet e tranzicvionit, që ka rritur breza politikanësh të rinj, duke filluar që nga Erisa Xhixho që sot është Nënkryetare e LSI-së dhe ishte që prej themelimit të saj kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim. Për të vazhduar me Endrit Braimllarin që ishte kryetari i dytë i LRI-së dhe sot është Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së. Apo te Klajda Gjosha, te Kejdi Mehmetaj, Floida Kërpaçi e kështu me radhë.
Hapjet e dyerve të LSI për të rinjtë dhe të rejat, për djemtë dhe vajzat shqiptare nuk është thjesht fasadë, por është politikë për ti rikthyer ata në Shqipëri, për t’iu dhënë fatet e këtij vendi, që të bëjnë politikat, të marrin vendime për to dhe ti zbatojnë ato. Ky është misioni i LSI: Ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve! Ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e të rinjve dhe të rejave tanë! Ti kthejmë djemtë dhe vajzat tona në Shqipëri që të jetojnë, të punojnë dhe të realizojnë ëndrrat e tyre këtu.
Sot më shumë se kurrë Shqipëria dhe Vlora kanë nevojë për djemtë dhe vajzat e saj. Sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për të gjithë ne. Prandaj në këto 25 ditë që kanë ngelur mos ndalni, derë më derë, shtëpi më shtëpi, mik më mik, ashtu sikurse po kthehen djemtë dhe vajzat që janë në Amerikë, në Greqi, në Itali që të votojnë në Shqipëri, ashtu duhet të shkojmë edhe ne derë më derë për ti bindur njerëzit që të shkojnë të votojnë në qendrat e votimit, atje ku janë dhe të godasin me votë të gjithë ata që nuk i kanë mbajtur premtimet dhe të vlerësojnë më votë djemtë dhe vajzat e tyre dhe ata që e mbajnë fjalën e dhënë. Ne e mbajmë fjalën, sepse ne jemi si ju, ne jetojmë si ju, ne punojmë si ju dhe ne do të vdesim këtu në Shqipëri”, u shpreh Kryemadhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb