Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi se opozita është e gatshme për të paraqitur propozimet për Reformën Zgjedhore, si një nga 9 kushtet e vendosura për çeljen e negociatave.

Teksa pohoi faktin se ishte në një linjë me kryetarin e PD-së Lulzim Basha për reformën, Kryemadhi tha se i vetmi që e pengon këtë proces është kryeministri Edi Rama.

“Nuk është përgjegjësia tek numri i votave, por tek puna që bën. Ne angazhohemi për të çuar deri në fund të të gjitha reformave. Duke nisur me reformën zgjedhore, reformën në drejtësi dhe të gjitha reformat, për t’i hapur rrugë hapjes së negociatave. Unë në fakt do dëshiroja të flisnim goxha gjatë për këtë proces, por ky është një proces qe vjen hap pas hapi. Është një proces që Bundestagu gjerman, por dhe Këshilli i Bashkimit Europian i ka bërë shumë të qartë 9 kushtet, të cilat ne i quajmë sot 9 kushtet e Bundestagut që janë shumë të rëndësishme duke filluar që nga miratimi i Reformës Zgjedhore dhe më pas implementimin e saj për t’i dhënë fund krizës politike në të cilën jemi. Ashtu siç e ka bërë të qartë dhe z. Basha që është Kryetari i Partisë Demokratike dhe drejtuesi i frontit opozitar, ne si opozitë jemi të gatshëm për të ecur përpara përsa i përket të gjitha propozimeve të reformës zgjedhore duke menduar që është shumë e rëndësishme mbyllja e detyrave të shtëpisë dhe angazhimi dhe obligimet që ka opozita shqiptare në marrëdhënie me kushtet e Bundestagut dhe ne jemi ta gatshëm dhe kemi qenë të gatshëm që me 1 dhjetor për të paraqitur propozimet tona dhe janë gati sepse në këtë situatë, në të cilën ne po kalonim pas tërmetit jemi në procesin e përgatitjet dhe të vazhdimit më tej.

Por sigurisht ka një njeri, i cili nuk do që kjo gjë të ecë sepse duke mbyllur Reformën Zgjedhore, sigurisht që z. Rama i vjen hapi i dytë i Reformës Zgjedhore që janë zgjedhjet. Megjithatë ky nuk është problemi ynë. Problemi ynë është që Shqipërisë t’i garantohen hapja e negociatave. Pse e them hapja e negociatave? E them sepse hapja e negociatave është procesi më i rëndësishëm për garantimin dhe ruajtjen e integritetit të Shqipërisë dhe shtetit shqiptar sepse nëse Shqipëria do të marrë një tjetër jo në hapjen e negociatave, atëherë e ardhmja e Shqipërisë do të vihet në diskutim. Vihet në diskutim për shkak të shpopullimit masiv që do të ndodhë. 57% e të rinjve shqiptarë që kanë ikur, ikin sepse nuk gjejnë besimin dhe nuk kanë siguri për zhvillimin e të ardhmes së tyre, për krijimin e kushteve të punës, për krijimi ne investimeve, për krijimin e biznesit apo për krijimin e familjes së tyre.
17% e tyre ikin për shkak të shkollimit sepse çdo ditë e më shumë sistemi ynë arsimor po shkatërrohet. Po shkatërrohet për shkak të politikave, të cilat në fakt kanë ardhur si një rezultat i periudhës së tranzicionit dhe për këtë jemi përgjegjës që të gjithë.

Duhet një pakt kombëtar afatgjatë për reformat që i duhen vendit. Megjithatë sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për Paktin Kombëtar, një Pakt Kombëtar që nuk është marrëveshje politike, por një Pakt Kombëtar që ka të bëjë me realizimin e reforma kryesore siç është Reforma Kryesore, Reforma Elektorale, Reforma në Arsim, Reforma në Shëndetësi, Reforma në Bujqësi, atë që tha pak më parë dhe profesor Mondi ku 50% e popullsisë shqiptare jeton në bujqësi. Sot tokat e shqiptarit janë të djerra kur ne e dimë shumë mirë që shqiptari është i lidhur me tokën, është i lidhur me shtëpinë, është i lidhur me familjen ku 80% e kësaj popullsie, e cila jeton me bujqësinë është në kushtet e mbijetesës. Mezi siguron dhe kafshatën e bukës për fëmijët e tyre. Pra ajo që është më e rëndësishme, ky Pakt Kombëtar ka të bëjë me politikat dhe hartimin e politikave afatgjata për Shqipërinë.”, tha Kryemadhi gjatë një takimi me strukturat e LSI-se ne Elbasan.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb