Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi po zhvillon ditën e sotme një takim me banorët në zonën e Sulovës, Njësia administrative Klod, ku ka dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre. Gjatë fjalës së saj Kryemadhi premtoi para banorëve se LSI shumë shpejt do të dalë me qasje të qarta për fermerët.

Po ashtu ajo tha se fermerët nuk marrin asnjë mbështetje nga qeveria. Kryemadhi tha se na ndajnë 100 ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa shtoi se është populli ai që të ndëshkon me votën. Nga ana e tyre fermerët shprehën shqetësimet se janë të skualifikuar nga karburanti pa akcizë, pasi kushtet nuk i përmbushin.

Ndër të tjera ata thanë se kanë nevojë për politikanë të terrenit dhe jo të fjalëve e premtimeve të pambajtura.

PJESË NGA BISEDA E KRYEMADHIT ME FERMERËT
Altin Toska:
Bashkia Cërrik është gati 100 për qind me profil bujqësor, dhe ne kur shkojmë takojmë fermerët ata thonë që kanë vetëm tre probleme: Na hiqni ujin kur duhet, na e sillni për të vaditur kur duhet, na bëni të mundur infrastrukturën që të shkojmë dhe të vijmë nga ara, pastaj aty ku duhet edhe dora e shtetit më shumë janë subvencionet dhe tregu.

Monika Kryemadhi: Pra garancia e shitjes së prodhimeve, sepse edhe vetë fermerët thanë që pandemia i ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë.
Fermer i zonës: Atëherë sikurse e shohim, këtu ne në këto momente duhet të ishim drejt fundit të sezonit, por për shkak edhe të pandemisë, edhe mos koordinimit edhe nga struktura të tjera të shtetit, sepse Shqipëria ka një hapësirë prej 50 mijë hektarë pasqyrë ujore, duke filluar nga ujëmbledhësit e bujqësisë, liqenet natyrale edhe basenet e mëdha dhe së fundmi janë shtuar edhe dy basene të tjera, ku janë 1400 hektarë që është HEC-Banja dhe Moglica. Shqipërisë, po të bëjë një llogari, i duhen minimumi 50 milion rasate, sepse para viteve ’90 kanë qenë 25 qendra të tilla si këto. Sot në Shqipëri ka ngelur vetëm 1, e cila mbahet me forcë, pasi nuk funksionon sepse shteti nuk ka programe për zhvillimin e peshkimit. Pra e kanë lënë një sektor inekzistent. Një sektor që realisht është gjynah për Shqipërinë, sidomos peshkimi i ujërave të brendshme, sepse është më i kontrolluar dhe ne i kemi të gjitha resurset. Në çdo cep të Shqipërisë mund të zhvillohet akuakultura, për shkak se kemi burime hidrike të mëdha. Çdo gjë që është ndërtuar, janë me kontributin e vetë familjarëve, të cilët kanë punuar në emigracion dhe kanë ardhur këtu duke investuar. Shteti ka qenë inekzistent në lidhje me subvencionim e peshkimit. Të gjithë peshkatarët e dinë shumë mirë që asnjëri, edhe në skemat e IPARD-it edhe në skemat e AZHBR-së, peshkimi i ujërave të brendshme nuk përfshihet fare. Ka ngelur vetëm subvencionimi i flotave detare që nuk dihet se çfarë përfaqësojnë. Por Shqipëria nuk ka vetëm peshkim detar, por nuk është vetëm ky lloj peshkimi që duhet ta përfaqësojë Shqipërinë.

Monika Kryemadhi
: Ne jemi në kuadër të hartimit të politikave dhe shumë shpejt do të dalim edhe me një qasje të qartë, të kthjellët dhe të panegociueshme përsa i përket ndihmës ekonomike që duhet ti japim fermerit dhe çdo njeriu që merret me bujqësinë, sepse sot të merresh me bujqësi është një nga profesionet më të vështira dhe është shumë e vështirë që të gjejmë të rinj dhe të reja që të punojnë dhe të kontribuojnë në mënyrë të tillë, sepse nuk marrin shpërblimin e duhur për punën që ata bëjnë. Por nga an tjetër të gjitha janë të lidhura bashkërisht me elementin e punësimit të mirëpaguar, por edhe me ndihmesën që shteti duhet ti bëjë atyre. Shumë shqiptarë largohen nga Shqipëria për të punuar në bujqësi jashtë vendit në emigracion.

Kryemadhi: Ti Altin ke një detyrë të madhe sepse do të përfaqësosh LSI-në në Cërrik. Ke qenë kryetar bashkie e janë bërë shumë investime kur ke qenë ti. Ne e kemi mbajtur fjalën me Cërrikun dhe duam të krijojmë hapësira pafundësisht që të mos largohen të rinjtë, të krijojmë mundësinë e një punësimi të mirëpaguar. Ne donim të hapnim pikën e remontit të mjeteve bujqësore prej 3 milionë dollarë, por do ta zhbllokojmë sërish, sepse Cërriku është mu në mes të një hambari bujqësor, siç është zona e Sulovës. Detyra jonë është jo veç të evidentojmë problematikat, por edhe ti japim zgjidhet. Kandidimi yt me siglën e LSI-së, do të na japi jo vetëm përgjegjësi e angazhim, por edhe më shumë përgjegjësi morale dhe politike për Cërrikun. Nuk duhet të ndalojmë asnjë ditë asnjë moment dhe ato premtime që do të bëjmë ti realizojmë me faza, 100 ditëshin e parë, 100 ditëshin e dytë. Ne 100 ditë na ndajnë sot nga 25 prilli.

Fermer i zonës:
Shembullin klasik e kemi, po të shohim nga e gjithë zona jonë, po të shohim edhe në fushën e agrikutlurës, janë eksperienca që kanë ardhur nga Greqia dhe nga Italia, ku shqiptarët kanë emigruar dh i kanë sjellë këto eksperienca. Po të shohësh ne deri dje nuk kishin plantacione me pjeshkë, ndërsa sot i kemi që janë të mrekullueshme. Kemi sera pafund dhe të vjen keq kur shikon banorë të cilët po i lënë, po i braktisin këto sera dhe po largohen nga vendi. Sivjet ka qenë një vit i mbarë për ullishtën, të gjithë fermerët që kanë pasur një super prodhim, edhe kjo do rritet, sepse ullishtat kanë qenë të reja.

Monika Kryemadhi: Një nga problemet që diskutuam edhe pak më parë ishte edhe çështja e vajit të ullirit që ka ngelur pa shitur, ndërkohë ka pasur kërkesa për të.

Fermer i zonës: Janë gati 100 hektarë vreshta dhe është pa shitur akoma rakia e vjetshme, lërë më prodhimi i sivjetmë i 2020-s së famshme. Po në 2021-n ku do shkojmë ne? Unë aktualisht kam 15 kuintalë raki në shtëpi, 1 ton e gjysmë raki. Se ku do ta çoj rrushin? Do ta marr ta hedh? Jo. Do ta bëjmë raki. Vjen ky moment tani dhe ne do fillojmë do ta hedhim në plehra, do ta krasitim, lërë punën e krahut, dhe s’më ka ngelur gjë tjetër veçse të marr çantën në krah dhe të iki në Greqi apo ku të mundem për bukën e gojës. Se fëmija im nuk do t’ia dijë, do bukë të hajë, do të shkojë në shkollë. Mua nuk më shitet prodhimi. Ku të shkoj? Çfarë të bëj me të? Kemi respekt për ju, pasi na bëhet qefi kur shohim njerëz që interesohen për ne.

Fermer i zonës: Ky është një nga mashtrimet e radhës të qeverisë. Nxjerr skemën e subvencionimit të karburantit dhe vendos një kriter qeveria, që duhet të kesh minimumi 0.4 hektarë, që i bie po themi 4 dynym. Tani ju zotëri e dini shumë mirë që ligji 7501 i vitit 1991 e ka përcaktuar qartë që unë si individ nuk kam marrë më shumë se 2.5 dynym, të paktën në zonën time. Kështu ti më skualifikon. Atëherë për kë e ke bërë? E ke bërë për këta që i ke dhënë me qindra hektarë toka, se vetëm këta përfitojnë. Ti si shtet nuk ke pse më penalizon mua. Kështu që fermerin e ka skualifikuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: