TIRANE- Kryetari i Akademisë së Shkencave, Akademik Muzafer Korkuti, priti në selinë e Akademisë Kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, të shoqëruar nga zv/Kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Kujtim Shala, ambasadorët përkatës të dy vendeve në Tiranë dhe Prishtinë etj. Akademiku Korkuti u uroi mirëseardhjen drejtuesve kosovarë, duke theksuar që ishte i gëzuar që pjesë e vizitës së parë zyrtare të Kryeministrit së Kosovës në Shqipëri, ishte edhe takimi me akademikët shqiptarë, si një vlerësim për shkencën, shkëmbimet akademike dhe bashkëpunimin mes studiuesve dhe shkencëtarëve të të dy vendeve.

Me rastin e vizitës, Akademiku Korkuti i dorëzoi Kryeministrit të Kosovës, Akademik Isa Mustafa, medaljen “Nderi i Akademisë”, me motivacionin: “Për kontribut të spikatur shkencor e pedagogjik, për arritjet e çmuara personale në ndërthurjen e vlerave të shkencës me kapacitetet administrative të drejtimit të pushtetit vendor dhe atij qendror në të mirë të zhvillimit ekonomik e shoqëror, për mbështetjen e vazhdueshme të marrëdhënieve mes akademive tona dhe më gjerë të shkencës, si faktor zhvillimi e mirëqenie në Republikën e Kosovës”.

“Pavarësisht prej hapësirave dhe konteksteve historike, studiuesit shqiptarë dhe kosovarë kanë dëshmuar vlera dhe kontribute të rëndësishme, – theksoi Akademiku Muzafer Korkuti, – të cilat vendosen në themel të kombit dhe u shërbejnë brezave që vijnë. Akademikët dhe studiuesit kanë bashkëpunuar në shumë fusha. Ndër më të rëndësishmet janë kërkimet dhe botimet e përbashkëta në fushën e enciklopedisë, gjuhës, historisë etj. Një veprimtari e rëndësishme është ajo e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, që po vijon punën lidhur me funksionalizimin e mëtejshëm të gjuhës standarde shqipe, pasuri e gjithë shqiptarëve. Ky është viti i fundit i planifikuar për këtë projekt të rëndësishëm dhe Këshilli Ndërakademik që mbledh nga 8 akademikë nga Kosova dhe Shqipëria, do të bëjë të njohura përfundimet dhe rekomandimet e kësaj pune shumëvjeçare, të cilat më pas do të zyrtarizohen nga organet përkatëse. Drejtuesit kosovarë treguan vëmendje edhe për botimin më të fundit të akademikut Kristaq Prifti “Popullsia e Kosovës”, bazuar në të dhëna burimore nga arkivat osmane, që prezantojnë prova të rëndësishme për popullsinë e Kosovës. Promovimi i kësaj vepre do të organizohet në Prishtinë dhe Tiranë dhe faktet dhe argumentet shkencore mund të shërbejnë si referencë për kërkime shkencore në vijim. Akademiku Prifti vuri në dukje se ky studim ka qenë fryt i një pune të gjatë afro 20-vjeçare, dhe ka pasur mbështetje konkrete edhe nga autoritetet e atëhershme kosovare në mërgim. Bashkëpunimi akademik në të dy anët e kufirit ka qenë një fakt i pranishëm qysh përpara luftës së fundit 1998-1999.

Vizita e Kryeministrit të Kosovës në Akademinë e Shkencave është një tregues simbolik i angazhimit për një zhvillim të mëtejshëm të marrëdhënieve në fushën shkencore. Vetë Kryeministri Mustafa, Zv/Kryeministri Shala, si dhe zyrtarë të lartë të qeverisë dhe stafit të Kryeministrit, vijnë nga ambientet akademike dhe universitare. Akademikët shqiptarë vlerësuan lart orientimin e shtetit dhe autoriteteve të Kosovës lidhur me vlerat dhe kapacitetet akademike.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb