Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, i është kundërpërgjigjur presidentit kroat për deklaratën skandaloze se “perëndimi e ka aneksuar Kosovën prej Serbisë“.

Plenkoviç tha se askush s’e ka aneksuar Kosovën, pasi Kosova është shtet i pavarur dhe shtet që Kroacia e njeh.

“Sa jam unë në dijeni askush nuk e ka aneksuar Kosovën. Asnjë shtet. Kosova është shtet i pavarur të cilin e ka njohur Kroacia. Aneksim është kur Rusia okupon territor të Ukrainës, organizon referendum të rremë dhe ia bashkon ato pjesë Rusisë. Kosova është shtet i pavarur, sovran, që e kemi njohur. Askush nuk e ka aneksuar”, tha kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

Kryeministri Plenkoviç ka shtuar më tej se presidenti Milanoviç me deklaratat e tij “po e turpëron Kroacinë”.

Megjithatë, ai konsideron se “për fat të mirë miqtë tanë në bashkësinë ndërkombëtare dhe shtetet mike e dinë se çfarë ndodh në Kroaci dhe cilat janë qëndrimet e kujt”.

Skandali diplomatik i presidentit kroat sot është kundërshtuar edhe nga Unioni i Shqiptarëve në Kroaci.
Ata shprehen shumë të habitur në lidhje me deklaratat e presidentit Millanoviç.

Ky union ka vënë në pah edhe raportet e mira që gëzon Kosova me Kroacinë. “Republika e Kroacisë ishte ndër të parat që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe vendosi marrëdhënie diplomatike dhe politike bazuar në partneritetin, bashkëpunimin dhe ushqyerjen e vlerave evropiane”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb