Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern rezultoi pozitive me  COVID-19 me simptoma të moderuara, tha zyra e saj në një deklaratë të shtunën.

Ajo nuk do të jetë në parlament për planin e qeverisë për reduktimin e emetimeve të hënën dhe buxhetin të enjten, thuhet në deklaratë.

Ardern kishte qenë simptomatike që nga mbrëmja e së premtes, por të shtunën në mëngjes pasi bëri një test të shpejtë antigjen rezultoi pozitive.

Ajo ka qenë në izolim që nga e diela, kur partneri i saj Clarke Gayford rezultoi pozitiv.

Për shkak të testit pozitiv, Ardern do t’i kërkohet të izolohet deri në mëngjesin e 21 majit, duke marrë përsipër çfarë detyrash mund të bëjë në distancë.

Zëvendëskryeministri Grant Robertson do t’i drejtohet mediave në vend të saj të hënën.

“Kjo është një javë historike për qeverinë dhe jam e mërzitur që nuk mund të jem aty për të,” tha Ardern në deklaratë.

“Plani ynë i reduktimit të emetimeve përcakton rrugën për të arritur qëllimin tonë të karbonit zero dhe buxheti adreson të ardhmen afatgjatë dhe sigurinë e sistemit shëndetësor të Zelandës së Re”, tha ajo.

Ardern tha gjithashtu të shtunën se vajza e saj Neve kishte rezultuar pozitive të mërkurën.

“Megjithë përpjekjet më të mira, për fat të keq unë i jam bashkuar pjesës tjetër të familjes sime dhe kam rezultuar pozitive për COVID 19”, postoi Ardern në faqen e saj zyrtare në Instagram.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb