Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, iu drejtua maturantëve, mësuesve dhe prindërve të shkollës “Protagonistët” me një mesazh frymëzues, duke i ftuar të rinjtë të ndërtojnë jetën mbi vlerat e dijes, përgjegjësisë, karakterit dhe dashurisë për tjetrin.
Në fjalën e tij, kryepiskopi theksoi se emri i shkollës është një ftesë për çdo nxënës që të mos jetë spektator i jetës, por protagonist i saj përmes punës, mendimit dhe shërbimit ndaj së mirës.
“Të jesh protagonist nuk do të thotë të kërkosh lavdi të jashtme, por të zbulosh dhuntitë që Perëndia të ka dhënë dhe t’i vësh ato në shërbim të së mirës”, u shpreh ai.
Duke u ndalur te rëndësia e arsimit, Kryepiskopi Joan tha se shkolla nuk duhet të kufizohet vetëm në transmetimin e njohurive, por duhet të ndihmojë të rinjtë të zbulojnë dhe të zhvillojnë talentet e tyre, duke theksuar se secili ka dhunti të veçanta dhe nuk duhet ta krahasojë veten me të tjerët.
Ai solli si shembull shëmbëlltyrën biblike të talantave, duke nënvizuar se çdo njeri ka përgjegjësinë të zhvillojë dhe të shumëfishojë aftësitë që i janë besuar.
“Nuk e kemi garën me të tjerët, por me veten tonë. Nëse e kuptojmë këtë, do të shmangim zilinë, krenarinë dhe lavdinë boshe”, tha Kryepiskopi.
Në fjalën e tij ai vuri theks të veçantë edhe te formimi shpirtëror, duke theksuar se arsimi ndriçon mendjen, ndërsa edukimi shpirtëror ndriçon zemrën dhe formon karakterin.
Kryepiskopi vlerësoi gjithashtu rolin e mësuesve, duke i cilësuar ata jo vetëm transmetues të dijes, por edhe udhërrëfyes e shembuj që ndikojnë në jetën e nxënësve përtej klasës.
Në përfundim, ai u bëri thirrje të rinjve të mos i tremben sfidave dhe të ndërtojnë jetën mbi përpjekjen dhe vlerat njerëzore.
“Bëhuni protagonistë të së mirës, të paqes, të përpjekjes dhe të dashurisë”, ishte mesazhi me të cilin Kryepiskopi Joan mbylli fjalën e tij, duke uruar njëkohësisht mësuesit, prindërit dhe të gjithë komunitetin e shkollës “Protagonistët” për vijimin e misionit të tyre në edukimin e brezave të rinj.
Fjala e plotë
𝐁ë𝐡𝐮𝐧𝐢 𝐩𝐫𝐨𝐭𝐚𝐠𝐨𝐧𝐢𝐬𝐭ë 𝐭ë 𝐬ë 𝐦𝐢𝐫ë𝐬, 𝐭ë 𝐩𝐚𝐪𝐞𝐬, 𝐭ë 𝐩ë𝐫𝐩𝐣𝐞𝐤𝐣𝐞𝐬 𝐝𝐡𝐞 𝐭ë 𝐝𝐚𝐬𝐡𝐮𝐫𝐢𝐬ë
Fjala e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan drejtuar maturantëve dhe komunitetit të shkollës “Protagonistët”
Me gëzim të veçantë gjendem sot midis jush në këtë mjedis të dashur shkollor ku takohen ëndrrat e të rinjve, përkushtimi i mësuesve dhe shpresa e prindërve. I përshëndes me dashuri atërore drejtuesit e shkollës, mësuesit, nxënësit, prindërit dhe të gjithë bashkëpunëtorët që e mbështetin këtë vepër edukative. Vetë emri i shkollës “Protagonistët” është një ftesë dhe një përgjegjësi. Ai na kujton se çdo nxënës nuk është spektator i jetës, por thirret të marrë pjesë me guxim, me mendim, me punë dhe me zemër. Të jesh protagonist nuk do të thotë të kërkosh lavdi të jashtme, as të dalësh mbi të tjerët, por të zbulosh dhuntitë që Perëndia të ka dhënë dhe t’i vësh ato në shërbim të së mirës. Në këtë kuptim shkolla bëhet një familje më e gjerë ku mësohet gjuha e përgjegjësisë, e bashkëpunimit dhe e mirësjelljes. Prandaj këto takime nuk janë vetëm ceremoniale. Ato janë një rast për të menduar së bashku për arsimin, formimin shpirtëror dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Çdo njeri mbart një udhëtim të veçantë.
Nuk është e nevojshme që të gjithë të jenë njësoj, të ecin me të njëjtin ritëm apo të shfaqin të njëjtat talente. Bukuria e një shkolle qëndron pikërisht në këtë shumëllojshmëri. Njëri ka prirje për shkencat, tjetri për artin, një tjetër për gjuhët, për sportin, për komunikimin, për organizimin, për kujdesin ndaj të tjerëve. Detyra e arsimit është t’i ndihmojë fëmijët t’i zbulojnë këto dhunti, t’i kultivojnë me punë dhe t’i përdorin me përgjegjësi. Asnjë nxënës nuk duhet të mendojë se është i pavlerë vetëm se ka vështirësi në një fushë.
Do të doja t’ju jepja një këshillë nga dituria e Shkrimit të Shenjtë, nga shëmbëlltyra e talantave (Mtth. 25:14-30) ku një njeri i dha një shërbëtori pesë talanta, një tjetri dy dhe të tretit i dha një. Talanta është një fjalë siriake e cila ka kuptimin e një peshe. Ajo ishte një peshë ari, për shembull 25 kilogram një talant dhe ai që kishte pesë i punoi ato dhe bëri pesë të tjera. Ai që kishte dy talanta i punoi ato dhe bëri edhe dy të tjera. Ai që kishte një talant e groposi atë, sepse nuk donte ta punonte atë. Kur u kthye zotëria i thotë të parit: të lumtë shërbëtor besnik, hyr në gëzimin e zotit tënd.
Të njëjtën gjë i thotë edhe të dytit, ndërsa të tretit ia merr talantin dhe ia jep atë atij që kishte më shumë.
Prandaj, gjithsecili nga ne duhet t’i shumëfishojë talantat, sepse vetëm kështu ne plotësohemi.
Kjo do të thotë që gjithsecili nga ne, edhe ju të dashur nxënës, nuk e keni garën me të tjerët, por të gjithë ne e kemi garën me veten. Nëse do ta shohim në këtë prizëm, pa dyshim që ne do të shmangemi nga shumë zili, lavdi boshe, krenari, zemërime karshi të tjerëve. Asnjëherë nuk e kemi garën me të tjerët, por e kemi me veten tonë. Dhe unë besoj që në këtë shkollë ju e keni mësuar dhe këtë vlerë. Vështirësia nuk është fundi i rrugës, por shpeshherë është porta e pjekurisë. Kur lodhemi, kujtoni se rritja kërkon durim, ashtu si fara që nuk mund të bëhet menjëherë pemë. Arsimi është një dhuratë nga më të çmuarat që shoqëria mund t’i japë njeriut.
Ai nuk është thjesht grumbullim njohurish, mësim datash, formulash apo rregullash. Ai është një hapje e mendjes, ushtrimi i gjykimit, aftësi për të pyetur, për të dalluar dhe për të kuptuar botën. Njohuria është një fuqi e madhe, por çdo fuqi ka nevojë për drejtim. Një nxënës mund të fitojë shumë njohuri, të ketë aftësi të mëdha dhe të arrijë suksese të dukshme, por nëse i mungon orientimi i brendshëm, këto dhunti mund të mbeten të ftohta, madje të dëmshme.
Këtu hyn rëndësia e formimit shpirtëror. Ai nuk e pengon mendjen, përkundrazi e pastron dhe e udhëheq. Formimi shpirtëror është edukimi i zemrës. Ai nuk është diçka e huaj për shkollën, as një shtresë e rastësishme pranë mësimeve të përditshme. Ai është thellimi i asaj që arsimi kërkon të ndërtojë një njeri të plotë. Arsimi ndriçon mendjen dhe formimi shpirtëror ndriçon zemrën. Arsimi mëson si të lexojmë librat. Formimi shpirtëror na mëson si të lexojmë veten, njëri-tjetrin dhe jetën me përulësi. Ai kultivon të vërtetën, dashurinë, respektin, ndjeshmërinë, faljen, durimin dhe përgjegjësinë. Pa këto virtyte njohuria mund të mbetet e thatë, ndërsa suksesi mund të bëhet i zbrazët.
U gëzova kur dëgjova nga të gjithë mësuesit dhe nxënësit që nuk jemi të plotësuar vetëm thjesht nga njohuritë e mësimit, por nga forcimi i karakterit. Mësuesi nuk është vetëm transmetues i lëndës. Ai është shoqërues, udhërrëfyes, dëshmitar dhe shpeshherë një kujtim i paharrueshëm në jetën e nxënësit. Nxënësit mund të harrojnë disa hollësi të mësimeve, por rrallë harrojnë një fjalë inkurajuese, një vështrim respekti, një dorë të shtrirë në çast vështirësie. Prandaj mësuesi edukon jo vetëm me atë që thotë, por sidomos me atë që ai është. Në një kohë kur sot përballemi me shumë zhurma të ndryshme, me shumë ndikime dhe me shumë pasiguri, prania e një mësuesi të urtë është një bekim. Puna e tij shpesh nuk duket menjëherë, por frytet e saj shfaqen pas vitesh në karakterin dhe zgjedhjet e nxënësve.
Të dashur nxënës, ju jeni në një periudhë të bukur dhe vendimtare të jetës. Çdo ditë në shkollë ka qenë një mundësi për të mësuar diçka të re, por edhe për t’u bërë pak më të mirë. Mos kini frikë nga përpjekjet. Ajo që arrihet lehtë, shpesh harrohet shpejt. Ajo që fitohet me mund, mbetet më thellë. Bëhuni protagonistë të së mirës, të paqes, të përpjekjes dhe të dashurisë.
Duke përfunduar, dëshiroj të shpreh urimin tim të përzemërt për të gjithë komunitetin e shkollës “Protagonistët”.
Uroj që kjo shkollë të vazhdojë të jetë vend dijeje, gëzimi, disipline dhe frymëzimi; vend ku nxënësit nuk mësojnë vetëm për të kaluar provime, për të kuptuar më mirë jetën dhe për të ndërtuar karakter të fortë. Uroj që mësuesit të kenë durim, ndriçim dhe gëzim në misionin e tyre të përditshëm.
Uroj prindërit që kanë bashkëpunuar gjithmonë me shkollën me besim dhe përgjegjësi, sepse edukimi i fëmijëve kërkon përpjekje të përbashkët, siç e thotë një proverb i dëgjuar afrikan që të edukosh një fëmijë duhet një fshat, domethënë duhet shoqëria. Le të mos harrojmë se një shkollë e mirë nuk ndërton vetëm të ardhmen e nxënësve, por edhe të ardhmen e vendit. Ju uroj të gjithëve që Zoti t’ju bekojë, ndriçojë e shenjtërojë.
