“Kur zëri i tyre nuk dëgjohet, revolta bëhet e pashmangshme!” Me këtë klimë pakënaqësie, në vend, studentët dhe të rinjtë kanë vijuar protestat në Tiranë, duke i zhvendosur ato në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.
Të rinjtë përballen me arrogancën e pushtetit, kushtet e vështira të jetesës, çmimet e larta, me kushte mësimore të cilat vetë studentët shprehen të pakënaqur, me konvikte në gjendje të mjerueshme dhe jo dinjitoze për rininë që është e ardhmja e vendit.
Tubimi i sotëm u shoqërua me përplasje me policinë, përdorim masiv të gazit lotsjellës dhe incidente me zjarrvënie. Pasi studentët i vunë zjarrin disa institucioneve duke djegur karrige e tavolina, ndonëse është hedhur masivisht gaz lotsjellës në drejtim të tyre kjo nuk i ka sprapsur ata.
Përplasjet u shënuan edhe pranë Kryeministrisë, ndërsa demonstruesit u shpërndanë në zona të ndryshme të kryeqytetit, përfshirë “Piramidën” dhe Kryesinë e Kuvendit ku edhe hapën derën me forcë dhe ndezën zjarr në hyrje të godinës.
Gjatë protestës, një biznes pranë zonës së “Kullave Binjake” është përfshirë nga flakët, ndërsa janë raportuar edhe incidente të tjera me djegien e koshave.
Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, protestuesit kanë vijuar qëndrimin në rrugë, ndërsa thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij kanë shoqëruar tubimin.
Por protesta ka marrë edhe përmasa politike, me demonstruesit që kërkojnë largimin e qeverisë.
Në sfond janë edhe debatet për çështjen e AKSHI-t dhe zhvillimet që lidhen me Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH), të cilat kanë shtuar vëmendjen publike ndaj institucioneve.
