SHKODËR

Një tjetër seancë është zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër lidhur me çështjen e ceremonisë përkujtimore të ushtarëve serbë dhe malazezë në fshatin Gajtan të njësisë Gur i Zi.

Seksioni i Antiterrorit në policinë vendore të Shkodrës më përpara ngriti një akuzë për nxitje të urrejtjes etnike por prokuroria e Shkodrës vendosi mosfillimin e këtij procedimi. Antiterrori iu drejtua gjykatës së Shkodrës duke kërkuar që prokuroria të nisë hetimet.

Kësaj here të pranishëm në sallën e gjyqit ishin vetëm njëra palë, seksioni i Antiterrorit të policisë ndërsa nuk ishte i pranishëm prokurori i çështjes Ermir Lelçaj. Seksioni i Antiterrorit i kërkoi gjykatës së Shkodrës që prokuroria të bëjë çeljen e hetimeve, kryerjen e kryerjen e disa veprimeve të tjera hetimore lidhur me ngjarjen.

Gazetari Senad Nikshiqi raporton për ‘BalkanWeb’ se në seancë u kërkua gjithashtu të hetohen përfaqësuesit e shoqatës Rozafa Moraça dhe Shën Jovan Vladimiri si organizatorë të vendosjes së kryqit serbo-malazez dhe përkujtim të ushtarëve të vrarë në 1912-1913 të cilët erdhën për të pushtuar Shkodrën.

Antiterrori kërkoi që të ndiqet penalisht Pavlo Jakoja si përfaqësues i shoqatës Rozafa Moraça si dhe të merren të dhënat edhe për personat e tjerë që kanë qenë në atë ceremonial sepse mund të kenë të dhëna të dobishme për procedimin. U kërkua nga Antiterrori që të bëhet pyetja e të gjithë personave të pranishëm në ceremonial duke përfshirë edhe të huajt që kanë qenë aty për të parë rolin e tyre dhe verifikimin e të gjithë institucioneve për të parë se e kujt është toka si territor atje ku është vendosur kryqi serbo malazez në Gajtan të njësisë Gur i Zi ndërsa gjatë kësaj seance u konfirmua se bashkia Shkodër nuk ka dhënë një leje ndërtimi për vendosjen e kryqit atje.

Gjyqtarja Izabela Radovani pyeti Antiterrorin duke i thënë se prokuroria pretendon se policia s’mund të jetë kallëzuesi por specialistët e Antiterrorit deklaruan se ata janë kallëzuesi dhe se kanë kryer të gjitha aktet e duhura procedurale. Më përpara në seancat e tjera për këtë ceremoni përkujtimore të ushtarëve serbo-malazez që erdhën para 106 vitesh si pushtues ka patur një përplasje mes prokurorisë dhe Antiterrotit në gjykatën e Shkodrës ndërsa ende nuk ka një vendim nga gjykata për të nisur ose jo hetimet nga ana e prokurorisë.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb