PRISHTINË Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka pritur sot në takim Ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, ku ka shprehur nevojën e domosdoshme që liberalizimi i vizave të përmbyllet si proces, meqë obligimet e dala janë përmbushur nga qeveria e Kosovës, shkruan KosovaPress.

Ai ka thënë se procesi i liberalizimit do ta ndihmonte Kosovën në realizimin e synimeve të saj në rrugën drejt BE-së. Gjatë takimit, Ministri Kuçi theksoi se përkrahja e shtetit austriak është e mirëseardhur për të vazhduar më tej në përmbushjen e obligimeve e sidomos në zbatimin e proceseve të rëndësishme në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Kuçi e ka njoftuar Ambasadoren Pfandler lidhur me adresimin e sfidave të Raportit të Progresit, Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, kurse shprehu nevojën e domosdoshme që liberalizimi i vizave të përmbyllet si proces, meqë obligimet e dala janë përmbushur nga Qeveria e Kosovës. Ministri theksoi se procesi i liberalizimit do ta ndihmonte Kosovën në realizimin e synimeve të saj në rrugën drejt BE-së dhe njëherësh e njoftoi atë se Kosova është e gatshme dhe e përgatitur të përmbushë të gjitha pikat që kërkohen, përfshirë bashkëpunimin rajonal.

Ministri njoftoi ambasadorin rreth procesit të draftimit të Kodit Civil dhe gjithashtu përmendi angazhimin e tij rreth funksionalizimit dhe harmonizimit të ligjeve në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Ambasadori Pfandler ka falënderuar Ministrin Kuçi për bashkëpunimin e deritanishëm dhe ka vlerësuar lartë progresin e arritur në vend, sidomos reformat e ndërmarra në sistemin e drejtësisë, në veçanti për procesin e liberalizimit të vizave.

Pfandler theksoi se përkrahja dhe bashkëpunimi do të vazhdojë tutje edhe në fusha të tjera lidhur me sistemin e drejtësisë në Kosovë. Në fund të takimit Ambasadori shprehu vlerësimin e tij për vazhdimin e dialogut si instrument tejet i rëndësishëm për të ardhmen e te dyja vendeve, si rrugë e vetme përpara.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb