Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi i kërkon qeverisë të rishohë masën për kufizimin e lëvizjes në këmbë apo liridaljen me orar për shkak se mund të rrisë rrezikun e infektimit.

Sipas tij, ata që e kanë ndarë mendjen të dalin nga shtëpia do e gjejnë mënyrën kurse për të tjerët ka një rrezik që të sulen të gjithë në fashat e orareve të lirshme drejt dyqaneve, bankave apo farmacive për të shkaktuar edhe grumbullime masive që mund të shkaktojë infektim me koronavirus.

 

STATUSI I ASTRIT PATOZIT

LIRIDALJA ME ORAR MUND TA SHTOJË RREZIKUN E INFEKTIMIT

Në rast se koncepti i karantinës masive në shtëpi është që të evitojmë infektimin të gjithë njëherësh, atëherë nuk ka asnjë kuptim kjo liridalja jonë me orare. Sepse në kohën e lejuar i bën njerëzit të grumbullohen masivisht në të njëjtat pika jetike, që janë dyqanet e ushqimeve, farmacitë dhe bankat. Dhe pastaj na rroftë izolimi për 23 orët e tjera, në rast se për 5 minuta takohemi me të gjithë komshinjtë e lagjes në supermarket.

Nga ana tjetër, nuk ka asnjë logjikë që ushqimoret dhe farmacitë të qëndrojnë hapur gjithë ditën, ndërkohë, kur ato mund të “sulmohen” nga blerësit vetëm në dy fashat orare, që ka caktuar qeveria. Kam përshtypjen se ata që e kanë ndarë mendjen të dalin nga shtëpia, do ta gjejnë në të gjitha rastet mënyrën dhe e gjithë çështja është të mos e bëjnë këtë të gjithë njëkohësisht.
Nuk dua aspak të hap një debat të panevojshëm, sepse është momenti më i papërshtatshëm për këtë, por mendoj se kjo masë duhet të rishikohet, duke ndjekur praktika të tjera të vendeve më të prekura në Europë, sepse kam frikë se këtë lloj kufizimi me orar e kemi vetëm ne.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb