Nga Ahmet Bushati

Pjesa e dytë
Ahmet Bushati indi në Shkodër më 1929, në një prej familjeve të njohura të fisit të madh të Bushatllinjve dhe ai është ndër të parët që i’u bashkuan Lëvizjes Antikomuniste të Studentëve Shkodranë, në vitet e para pas mbarimit të Luftës. Arrestohet e dënohet më 1948-ën dhe vuan gjithsej 7 vjet burg. Mbas daljes nga burgu, punon si punëtor dhe më vonë teknik pyjesh në rrethin e Krujës. Ka kryer me korrespondencë Fakultetin Filologjik në degën Gjuhë-Letërsi si dhe ka studiuar gjuhë të huaja, si: italisht, frëngjisht e anglisht. Më 1991-in kthehet në Shkodër, ku nga viti 1992 deri më 1996-ën, ka shërbyer në detyrën e kryetarit të Këshillit Bashkiak të rrethit të Shkodrës. Është gjithashtu një nga personalitet e Shoqatës së ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë të Shkodrës. Ka botuar here pas here shkrime në shtypin e përditshëm, si dhe libra me kujtime, kryesisht për krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe vuajtjet e tij në kampe dhe burgje.

Kujtimet e Ahmet Bushatit

Tre muaj mes jetës dhe vdekjes

Vijon nga numri i kaluar

Në këtë dhomë burgu, ishte edhe Ragip Lohja, vëllai ma i vogël i Hysen Lohjes, edhe ai i burgosun, por që në atë kohë, ndodhej në kamp pune. Ragipi dikur kishte përfaqësuar Shqipnin në Paris në garën e atletikës në 100 metra shpejtësi.

Edhe Shaqir Omari në atë dhomë ishte dhe për të, thuhej se ishte shumë bujar, e se i shkonte muhabeti me të gjithë, pavarësisht moshës. Meqenëse ai kishte shkuar jetën nëpër malsi, kënaqësi të veçantë te ai njeri, duhej të gjejshin malsorët kryesisht. Në një dhomë me ne ndodheshin edhe disa postribas të vjetër, ndër të cilët, Isuf Hasani, prej Urës së Shtrenjtë, që me trup vinte i shkurtër dhe i shëndetshëm, trim e besnik i sprovum, si dhe i lidhun me disa shtëpi të para në Shkodër.

Njeni ndër ata postribas, që do t’i pëlqente me u ngacmue me Isuf Hasanin, do të ishte plaku tjetër, Çel Murati, që në krye të tyre, kishte zënë njërën qoshe të dhomës. Çela, që me trup vinte i hollë e i gjatë e ishte i squt, miqsor, e me humor, me Isuf Hasanin, do të gjente rastin, që pa ju fsheh të tjerëve, t’i kujtonte histori nga të rinisë së tyre të kahershme, gjë për të cilën, Isuf Hasani, ishte edhe më i gatshëm se sa Çela. Aty edhe Myrto Dani, Bajraktari i Drishtit, një babaxhan i vërtetë e i dashun si zor njeri tjetër, i cili për sa kohë që të bisedonte me ndonjë njeri, do t’i qëndronte atij, me buzë në gaz.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Aty gjithashtu ishte edhe Abdullah Sahiti, i biri i Bajraktarit të Rasekut, Sahit Duli, heroit të “Kryengritjes së Postribës”, i përmbajtun e bujar, që mbante pranë vetes e ndihmonte një kosovar prej malësisë së Gjakovës, me emrin Xhem Sadria, një trim i vërtetë, si do të tregonin ata që e kishin njoh ma parë. Aty ishte dhe Nuz Halili, Dervish Nuzi, e ndonjë tjetër, postribas, kurse Hajdar Tafa, Muho Fetahu, Emin Zyberi, Selim Raci, Shaban Hyseni, etj., duhet të ishin ndër dhomat e tjera të burgut, pa fol për të tjerë postribas që në atë kohë ndodheshin në Kampin e Orman Pojanit. Diku ngjit me ta, ishte dhe Abdulla Salihi, i Pukës.

…I mirë ose, jo, por tip i veçantë me atë dhomë burgu, do të ishte edhe një far Gjush Pistulli, që s’pushonte kurrë së foluri, (veç kur flinte) e që në zëmrën e tij, fashizmi, edhe pse i dalun mode dhe i përbuzur prej të gjithëve, kishe lënë një vatër të pashueme zjarri. Duke xhestikulu me duar, e duke nxjerrë përjashtë do dhambë të mëdhenj që kishte, Gjushi, do të na u afronte miqësisht ne, të rinjve, e si një prej palkoje, do të thirrte disa herë me zë: “Eji, eji, eji, voi giovani”! Ose hera-herë, do të na u drejtonte, duke tundur gishtin përpjetë e duke na qujt gjithë entuziazëm: “Gioventu, gioventu”! Kishte raste kur do të na deklamonte edhe vargje nga himni i rinisë fashiste, e sado që unë disa herë i kisha thënë: “Gjush, fashizmi kudo në botë ka marrë fund njëherë e përgjithmonë e, se ne e kemi pas luftue atë, edhe më parë, e se me dalë nevoja, e luftojmë prap”. Po a mos i hyshin në vesh Gjushit këto fjalë të miat?! Aspak! Kur si pëlqente, bënte sikur nuk i dëgjonte, e për të mos prish qejf, e lënë shtegun të hapur, u largonte duke qeshur.

…Një ditë, aty në dhomë, sollën dy të burgosur që kishin moshën tonë, të cilëve u bënë vend në hyrje të dhomës. Morëm vesh se ishin prej Mirdite. Ndër ma të parët, shkuam ne për t’i taku. Njëri prej tyne, quhej Ndue Fusha, që kishte një pamje prej zotnie, një pamje fisnike e tërheqëse, ndonëse të zbehtë, si tuberkuloz galopant që ishte. Qëndrimi i tij i përmbajtur e me kurajë, fliste për një djalë me cilësi të mira, me nga një shtëpi me emër në Mirditë. Po kaq i mirë ishte dhe tjetri, shoku i tij, si vëlla, Gjon Marka Ndoj, me një natyrë tepër të çelët e komunikuese. Si shumë i shkathët e lidhun që ishte me Ndojën, s’ju ndante asnjëherë, ditën as natën. Ishte jo vetëm vëlla, por edhe si motër, sipas nevojës që kishte ai.

Kur Ndoj kishte qenë 16 vjeç, në vitin 1945, kishte pas bë një vit burg. Me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës, e kishin arrestu përsëri e dënu me vdekje, e shpëtu prej pushkatimit me ndërhyrjen e babës së Bardhok Bibës. Nuk do të kalonte shumë kohë, e Ndoj, për dhimbjen e tanë një burgu të madh të Shkodrës, do të vdiste në dhomën nr. 3. të të sëmurëve me turbekuloz.

Më kishin raportu, pse unë kisha prishë rregulloren dhe një ditë për këtë gjë, më çuan lart në Drejtori, tek Shaban Haxhija. Njëherë tjetër, për të njëjtin “faj”, si rasti i përsëritur që kishte qenë, më ndërruan dhomë, duke më çu në atë me nr. 2., e cila edhe pse ishte e naltume me nja dy këmbë shkallë dhe e shtrume me dërrasa e më me shumë ajër dhe dritë se ajo me nr. 3., mëndja prap se prap, do të më mbeste tek kjo e fundit, si i mësuem që kisha qenë me të dhe me njerëzit e saj.

Në këtë dhomë me nr. 2., si shok timin, do të gjejsha Ernest Përdodën, i cili qysh atëherë, pinte duhan shumë, e që për ta ndez, e ndezte pa ra kurkund dielli mbi tokë, e natyrisht, pa pasë fut gjë në gojë, edhe pse fytyrën qysh atëherë, e kishte jeshil.

Sidoqoftë, me kalimin e disa ditëve, në këtë dhomë, bana disa shokë të mirë, mbi të gjithë, Hilmi Kamatën, me të cilin u lidha fort dhe përgjithmonë. Më patën vendos në mes të Bajram Xhemaliut, (me fytyrë vrima vrima), që ishte prej Kalasë së Dodës, që deri para pak vitesh, kishte mësuar në Medresenë e Tiranës, e që dinte edhe pak anglisht. Mik m’u bë edhe Preng Biba, nga Mirdita, një njeri mjaft mizantrop, por edhe shumë serioz dhe i talentuem në prodhime objektesh artistike në miniaturë, të nxjerrë prej bërthamave të pjeshkave, e celuloidit. Njëherë, si mbas sugjerimit tim, prej një celulodi të zi, ai më nxori me mjaft finesë, një shqipe, me krahë të ngritur, gati për fluturim, ndërkohë, që me sqep, tentonte të këpuste zinxhirët që ja kishin lidh këmbët. Për kujtim, shqipen me gjithë simbolikën që kishte, unë ja dërgova, Simes.

Për rreth dy muaj që qëndrova në këtë dhomë, me Bajramin dhe Prengën, do të hanim bashkë.

Në verë të vitit 1951, kur unë ndodhesha në kamp pune andej kah Peqini, Preka bashkë me Prelë Tomën prej Nikçit të Malësisë së Madhe, e me një shok tjetër të tyre prej Dukagjini, ishin arratisë prej burgut të madh e dalë në Jugosllavi. Mbas një qëndrimi relativisht të gjatë, nëpër kampet famëkëqij të Jugosllavisë, ata ishin nda përgjithnjë prej shoqishojt e Preka duke pasë përfundue në Amerikë, ku i rekrutuem ma vonë, prej forcave ushtarake amerikane të “Ndërhyrjes së Shpejtë”, një ditë kishte gjetë vdekjen në luftimet e Vietnamit.

Nuk po gjejsha qetësi në vetvete, përderisa të mos kisha zbulue personin që më kishte raportu për lëvizje nga dhoma, i cili një ditë mund të raportonte edhe të tjerë, e për gjë edhe ma të rëndësishme. Për këtë qëllim, një ditë vendosa të kalojë në dhomën nr.3, ku kisha qenë ma parë e të rrijsha aty, me një shok timin, Tomë Sheldinë. Ndërsa bisedojshim me Tomën, mbaja vazhdimisht nën vëzhgim, çdo lëvizje që ndodhte aty në dhomë. Qëndrojsha në pritje që të lëvizte ai person, që më kishte raportuar në drejtori dy javë më parë, e që natyrisht, s’e dija se cili ishte.

Momenti për të lëvizë ai person erdhi dhe unë e pashë kur ai, duke besue se me Tomën s’e kishim mendjen, te një lëvizje e tij – dredhoi, kah dera e dhomës e rrëshqiti si hajdut jashtë saj. Që të mos u kuptonte prej të tjerëve, ai u kthye shumë shpejt në dhomë dhe u ul si “engjëll”, në vendin e tij ngjitur me derën. Toma më thonte që unë të largohesha, mbasi edhe qëllimi ishte arritë, kurse mua nuk m’u dukte e mjaftueshme, përderisa aty të mos kishte ardhë polici, që t’u provonte prej të gjithëve spiunimi nga ana e një të burgosuri, gjë që vetëm atëherë do të me jepte rast për ta demaskuar para dhomës. Polici nga ana e tij, s’i pati lanë qëllimisht pak kohë me kalue, hyni në dhomë e kur gjoja papritmas më pa, u drejtua kah unë duke më shiku si me çudi: “Po ti këtu? Hajde me mua”! e më çoi fill e te drejtori i burgut, i cili do të më komunikonte dënimin prej tri ditësh birucë.

…Për ne të rinjtë, që për herë të parë ndodheshim brenda një ambienti njerëzish me moshë, formim e interesa të tjera do të na bënte përshtypje sjellja e tyre e përgjithshme, respekti e qëndrimi dashamirës, që kishin për njëri-tjetrin, ndjenja e tyre kolektive e një fisnikni që ndoshta prej vuajtjes u manifestonte prej shumicës aty. Me njëri-tjetrin, ne disa herë do të kishim pasë për objekt të bisedave tona, faktin se si njerëzit aty ishin aq të mirë, gjë që s’e kishim ditë më parë.

Në këtë dhomë jo të madhe burgu me nr. 2, unë gjeta burra të vjetër që respektoheshin prej të gjithëve, si zotnitë: Sheuqet Muka, Shyqyri beg Kopliku e të tjerët, me më pak moshë. Në këtë dhomë ndodhej edhe Xhelë Baci, që në atë kohë po lexonte, “Chefs d’Oeuvres” nga letërsia franceze e që kur t’i pëlqente shumë ndonjë prej atyre novelave të zgjedhura, kishte dëshirë që t’ua lexonte edhe të tjerëve. Xhela ishte i talentuem në letërsi, ndonëse shkollën e Fultzit e kishte kry shkëlqyeshëm për Agronomi.

Në atë dhomë ishte edhe ish-revolucionari e komunisti i zhgënjyer Gjeto Keqi, që s’do ta braktiste asnjëherë humorin e tij prej malësori, që aty lexonte edhe në frëngjisht e që siç kemi tregue, vazhdonte me manifestu edhe një dell poetik. Shoqërinë me mua e deklaronte të lidhur qysh prej “fqinjësisë” së birucave, që kishim pasë në Sigurim, kur ai, për çdo kundërshtim timin ndaj hetuesve, në shenjë solidariteti me mua, do të m’i binte mbrapa murit me grusht disa herë.

Në atë dhomë përgjegjës do të ishte Pretash Nika.

Me pogradecarin Todi Ruhu, isha bë mik, i cili ishte njeri i butë e i sinqertë e që ndër të tjera, do të më tregonte sesi mbas çlirimit, kur ishte pasë mbajtë një mbledhje e oficerëve të zgjedhun në Tiranë, mes të cilëve edhe ai, që me atë rast kishte pyet: “Tani që me Jugosllavinë jemi kaq të lidhur, çfarë do të bëhet me Kosovën”? Dhe Enver Hoxha që ,formalisht nuk e drejtonte atë mbledhje, i ishte përgjegjë: “Kushdo që të dojë të mirën e Kosovës, duhet të urojë që Kosova të mbetet me Jugosllavinë, për kushtet më të mira, që ajo do të ketë për ndërtimin e socializmit në vendin e saj”.

Në këtë dhomë lidha shoqëri edhe me tre mirditas, që dikur në mos gabohem, kishin qenë student të gjimnazit të Shkodrës e konviktor të “Malet Tona”, që i kishin emrat: Kolë Skana, Preng Bajraktari e Ndue Zefi Ndoci. Ali Taipi, prej lagjes “Dudas” ndodh i burgosun se kishte strehue një mikun e tij ballist, nga jugu, majorin Bilbil Hajdini. Aliu ishte njeri i mirë e shumë i dashtun e pavarësisht moshës disi të vjetër që kishte, do ta shihja gjithmonë të qeshur e me humor.

Kolë Ndou, bajraktari i Shalës, ishte burrë i qetë e i mençur. Pa qenë aspak artificial, do t’u dukte mjaft impozant, tek rrinte në vendin e tij me prestigjin e një njeriu, që edhe në fatkeqësi kërkon të ruajë e justifikojë rëndësinë e një parie malesh. Kolë Ndou, me një palë mustaqe të mëdha, që anash i’u zgjateshin drejt, nuk lëvizte kurrë prej vendit të tij dhe dy mesoburra prej Dukagjinit, njëri prej të cilëve i gjatë e me emrin Nikë, do t’i qëndrojshin vazhdimisht pranë, në shenjë respekti të madh, e do t’iu gjindshin për gjithçka, pa e lënë me prekë gjë me dorë.

Kolë Ndoun, gjithë kohën do ta shihje ndenjun këmbëkryq, me trup të mbajtun drejt e me llullë të ndezun. Po t’i shkojshe për “vizitë”, aq shumë iu bënte qefi dhe aq shumë të nderonte në atë rast, sa kur u largojshe prej tij, do të ndjejshe se ke marrë me vete kënaqësi për një bisedë të ngrohtë. Ndue Lala prej Mirdite kishte pasë shkue një jetë të tanë me vuajtje e peripeci. Ishte burrë i squtë e njerëzor e kishte edhe një mënyrë të qartë e të rrjedhshme të të treguemit, sa ngjarjet në gojën e tij merrshin bukuri të veçantë e mua më ngjallnin aq kureshtje e interes, sa ndenja me të, më jepte vazhdimisht kënaqësi.

Ndoj në atë kohë, duhej të ishte rreth pesëdhjetë vjeç burrë. Kishte një fytyrë si në rozë të zbardhët e me do njolla ngjyrë kafe të stamposura nëpër të. Me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës, e kishin arrestu e dënu me vdekje dhe për tre muaj kishte qëndruar nën peshën e rëndë të atij dënimi.

Një varfëri e skajshme e një koncept i rrjedhun prej saj, e kishin çue atë e shokët e tij dikur, që të grabitshin bagëti me forcën e pushkëve, deri edhe në viset e largëta të Kosovës e të Çamërisë, me qëllim që të mundësojshin mbijetesën e fëmijëve, të grave, pleqve që kishin ndër shtëpia. Me një motiv të tillë ata do të justifikojshin çdo grabitje, do të ndiheshin krenarë për guximin e treguem në këso rastesh e sa ma i largët që të kishte qenë vendi i aksionit të tyre, aq më shumë nder do të sillshin ndër vendet e tyre, kur të ktheheshin, kurse të ramët në përpjekje e sipër me armë ndër ato raste, kujtoheshin si ata që bien ndër lufta për atdhe.

Në dhomën nr. 1 ku unë isha fut fshehtas nja dy-tri herë, figura më interesante dhe më e nderueme, përfshi edhe dy dhomat e tjera, do të ishte pa asnjë dyshim ajo e Sheh Ali Bogdanit prej Bicajve të Lumës. Unë personalisht, nuk kam pasë rast e mundësi të takohem asnjëherë me të. E shihja me atë trupin e tij modest – por tepër të proporcionuem – të mbështjellë brenda një xhybeje të gjatë ngjyrë kafe, duke pasë në krye një prej atyre fesave të ulët, që zakonisht përdornin besimtarët mysliman në kohë lutjesh, shtue edhe një mjekër të butë si mëndafshi e të bardhë si bora, që i zbriste hijshëm deri poshtë mbi gjoks, e mbi të gjitha një hir që i ndriste si me mister, në një fytyrë të bukur e me tipare fisnike, duke të bë me thanë që ai ishte vetë “Muhameti” i zbritun në tokë.

Siç do të na tregojshin të burgosurit që ishin në një dhomë me të, ai gjithë kohën e shkonte i tretun në meditacione të thella e lutje, drejtue Zotit. Kultura fetare e sidomos përkushtimi ndaj Zotit, që bashkë me mençurinë e prestigjin e tij njerëzor, kishin bë që ai të ishte, si e thamë edhe më lart, njeriu më i respektuem.

Ma i zgjedhuri ose i dashtuni i tij pa asnjë rival, do të ishte Elez Troshani, për vokacionin fetar që kishte, si edhe për adhurimin – si për një shenjt – që ai ushqente për Sheh Alinë. Elezi, i shoqënuem prej një polici, gjithë ditën, do të punonte si farmacist jashtë burgut dhe me t’u kthyem mbasdreke në burg e deri pak para se të binte me fjetë, ai do të kalonte gjithë atë kohë i ulur në gjunj e vetëm në gjunj, para sheh Alisë, si para Zotit.

Studimet fetare, sheh Aliu i kishte krye në Stamboll. Dy djem prej Shishtaveci me mbiemrin Ndërguti, njëri prej të cilëve me emrin Ragip, do t’i qëndronin vazhdimisht pranë sheh Aliut e do t’i shërbenin me të gjitha.

Në dhomën nr. 1 ne kishim shokët Ruzhdi Çobën, si dhe studentët: Thabit Rusi, Rrok Pali, Refik Bushati, Gjon Ljarja, Lec Bruçaj etj., në atë dhomë edhe plaku prestigjoz Ramadan Aga, Dan Hasani, si gjithnjë krenar e me autoritet e që gëzonte shëndet të mirë, pavarësisht tetëdhjetave që po u afronte. Aty dhe zotnia Zef Haxhia, si dhe Riza Hoti, baba i shokut tim, Burhan Hoti, në buzëqeshjen dashamirëse të të cilit mua vazhdimisht do të m’u dukte se lexojsha jo vetëm lidhjen time me të birin, po edhe mirënjohjen e tij si prind, për arsye se s’ia kisha nxjerrë të birin, gjatë hetuesisë në Sigurim. Aty ishte edhe hoxha trim e i respektuem, Hafiz Musa Dërguti, kushëriri im Ruzhdi Baja, Rasim Hebovija, Qemal Dibra, dentist Xhabit Dibra, Gani Ymeri, Paulin Kel Pali, sikurse edhe më i vorfni, tuberkulozi, trimi e besniku, shoku i ynë atëherë e më pas, Mark Lleshi.

Priftërinjtë ishin më vete. I shihnim fare pak, vetëm kur shkonim në WC. Prej tyre kishin mbetë pa shkue në kamp ata që ishin të sëmurë ose krejt të paaftë për punë fizike, si dhe ndonjë që për me justifikue qëndrimin brenda grupit të vogël të puntorisë, mund të bënte një punë të specializueme në dobi të drejtorisë. Ndër priftërinjëve, një i tillë mund të ishte patër Leon Kabashi, me të cilin arrinte të komunikonte në mënyrë të pakuptueshme prej të tjerëve, vetëm Ramadan Sokoli, sigurisht i interesuem për punimet në pikturë, që ai ndoshta kishte në dorë. Me sa mbaj mend, aty patën qenë edhe: monsinjor Koliqi, Patër Frano Kiri, Patër Mark Harapi, e Patër Gegë Lumaj, se edhe Patër Rrok Gurashi, prifti me të cilin qeveria komuniste, përmes Tuk Jakovës, vazhdonte – siç thojshin – pa rezistencë, tratativat për shkëputjen e Kishës prej Vatikanit.

Ashtu si e priftënve, diku në anë të asaj ndërtese, ishte edhe dhoma e grave, ku ndosheshin Zoja Adile Boletini, si dhe më të rejat: Drita Kosturi, Agime Pipa, Terezina Pali, Vitore Kuka, Ana Daja, Bedrije Ashiku, një mirditore me emrin Prendë, që ne të burgosunit qytetar, shokëve tanë mirditorë ua quejshin “Prenda e bukur”, sepse me të vërtetë ishte shumë e bukur, që me njerëzit e malit, ishte tregue shumë trime e besnike. Do të na u dhimbte, kur mbas një viti të dëgjojshim se ajo kishte vdek, në burg prej sëmundjes së tuberkulozit. /Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb