Nga Hysen Selmani
Pjesa e tridhjetë e kater
Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Vijon nga numri i kaluar

Aleksandri, 8 maj 1947
“I ndershmi Mit’hat Bej. Është e pamohueshme që për të përballuar kërcënimet dhe rreziqet e ardhura prej jashtë edhe të gjendjes kaotike, që ekziston brenda Shqipërisë dhe gjithë shqiptarët e lirë, të frymëzuar prej ndjenjave thjesht nacionaliste e, duke mos qenë të influencuar prej konviksionit politik ose ideologjik, kanë zhvilluar deri sot, në çdo rast të volitshëm, nga një aktivitet. Kjo është bërë, duke kërkuar njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave të pacenueshme, për sa i përket Indipendencës dhe integritetit tokësor kombëtar.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ky aktivitet, megjithëqë ka qenë i lavdërueshëm dhe dobiprurës, duhet të forcohet edhe më shumë. Po ashtu, do të kishte përfundime më efikase, po të ishte se përpjekjet e lartpërmendura, që kanë si qëllim mirëvajtjen dhe sigurimin e të ardhmes, do të ishin të koncentruar dhe të dirigjuar prej një komiteti, të formuar prej personash nga të gjithë partitë nacionaliste. Pikërisht, për t’ja arritur këtij qëllimi, aq të dëshirueshëm për mbrojtjen e çështjes kombëtare dhe për zhdukjen e mosmarrëveshjeve dëmtuese, për suksesin definitiv të përpjekjeve të zhvilluar, kemi bërë thirrje. Dhe, siç ju ka lajmëruar më parë, Abdul Sula, gjithë patriotëve të grupeve të ndryshme, flitet për mbledhjen e një Komisioni Konsultativ këtu, për të këmbyer lirisht mendimet për realizimin e një fronti të përbashkët. E, nuk është nevoja të kujtojmë se, në çdo rast rreziku, kur e ka lypur bashkimi kombëtar, mbledhjet historike të së kaluarës, kanë dhënë përfundime të frytshme, në dobinë e interesave të larta të Atdheut.

Zhvillimi dhe tendencat e situatës ndërkombëtare e rrethanat e sotme, e bëjnë edhe më tepër të nevojshme, që një mbledhje e tillë të realizohet sa më shpejt. Kjo, duke patur si bazë bashkëpunimin, me pëlqimin e të gjithëve, që çdo parti, të jetë e lirë të ndjekë parimet që ka caktuar, derisa të realizohet stabilizimi dhe rrënjosja e plotë e sovranitetit kombëtar, në Atdheun tonë. Atëhere, fjala e fundit do të jetë populli, për të shfaqur lirisht vullnetin e tij, kuptohet, përsa i përket formës së Qeverisë që dëshiron. Duke pasur bindjen e plotë se ju, ashtu dhe gjithë patriotët e lajmëruar, nuk do të mungoni të jepni kontributin tuaj në këtë rast të nevojshëm të çështjes kombëtare, e për së shpejti me të gjitha udhëzimet, ka për t’u dërguar kolonel Husein Selmani. Mbreti ju bën të fala”.

Ju lutem Mithat Bej, merrni përshëndetjet e mija më të përzemërta.
Miku i Juej
Husein Selmani
“I dashuri Hiqmet Bej.
Deri tani u përpoqëm mjaft, që të dërgonim një person atje. Por, tani po vjen kolonel Husein Selmani. Kjo vonesë, është shkaktuar nga mungesa e autoriteteve italiane këtu, për dhënie vize. Prandaj, po vijmë në propozimin e parë tuajin, që të zgjidhet nga një person prej çdo grupi, d.m.th., tre ose katër persona. Po hollësirat, do t’i merrni nga unë (kolonel Selmani). Këta persona, do të vijnë këtu dhe natyrisht, shpenzimet kanë me qenë tonat.

Rregullimin e kësaj, po ua lë ta bëni si do ta shihni më të arsyeshme. Derisa të vijë unë, (kolonel Selmani) jam i mendimit se ky takim, do të jetë në interesin e përgjithshëm edhe në dobinë e avenirit të Shqipërisë e integritetin e saj. Dhe, për independencën, që pa ndryshime ideologjike është natyrisht, ideali më i lartë i çdo shqiptari.

Njëkohësisht, për hir të Atdheut, të mos bëhet asnjë veprim sado i vogël, që mund të lëshojë në rrezik mbrojtjen dhe sigurimin e interesave të larta kombëtare. Pikërisht, kjo ka qenë arsyeja që ka shkaktuar mosveprimin tonë, deri tani. Po, në këtë mënyrë, kemi lajmëruar shqiptarët, brenda e jashtë Shqipërisë. Edhe një gjë tjetër, me sa ka qenë e mundur, e natyrisht siç ju bëmë të ditur se: shpenzimet, do të paguhen nga ana jonë. Mbreti, ju bën të fala të gjithëve dhe juve veçanërisht.
Pritni i dashuri Hiqmet Bej, të falat e mija më të përzemërta”.
I yti
Husein Selmani
Mbreti Zog I-rë, pasi mori premtimet e çështjes së sistemimit të emigrantëve shqiptarë, me anën e dy Legatave Mbretnorë Shqiptare, të Turqisë dhe të Egjiptit, ju dërgoi nota Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe. Ai e bëri këtë, duke kërkuar njohjen zyrtare të një Qeverie Shqiptare në mërgim. Dhe këtë gjë bëri me të vetmin qëllim, për të mbrojtur integritetin tokësor të Atdheut. Në atë kohë, ishte i kërcënuar shumë keq, prej Fqinjëve e veçanërisht Greqisë.

Dy muaj pas dorëzimit të notave të lartpërmendura, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe Britania e Madhe, ju përgjigjën Mbretit Zog, duke i thënë se; hë për hë, s’kishte mundësi formimi i një Qeverie Shqiptare në mërgim. Ndërkohë, i sugjeruan që të formohet një Komitet Politik dhe për këtë qëllim, erdhën të dërguarit e Departamentit Shtetit Amerikan në Aleksandri dhe filluan bisedimet me Madhërinë e Tij, Mbretin Zog, mbi formimin e këtij komiteti. Ata qëndruan dy javë dhe u vendosën. Ata ishin, Zotni Beria, Shef Seksioni i Departamentit të Shtetit, dhe kolonel Fils, atashe ushtarak amerikan. Gjithashtu, ishte edhe një ndihmës. Ishte vendi, ku u vendos dhe u nënshkrua dhe jo thjesht një dëshirë. Ishte e askujt dhe e paanshme. Por, tani pritej autorizimi i Washingtonit.
Romë 24 gusht 1947
I dërguari i Mbretit Zog, kolonel Husein Selmani, ishte në Romë me 24 gusht 1947. Ai bëri një mbledhje, ku morën pjesë disa nga personalitetet e urdhëruar:
1-Mehdi Frashëri, 2-Hiqmet Delvina, 3-Kapidan Gjon Marka Gjoni, 4-Dr.Qemal Jusufati, 5-Ismail Vërlaci, 6-Dhimiter Berati, 7-Ernest Kuliqi, 8-Ferid Dervishi, 9-Sotir Avrami, 10-Ekrem Libohova. Kolonel Husein Selmani, në bazë të urdhrave të marra prej Madhnis se Tij, Mbretit Zog, ju komunikojë këto:
1. Përsa i përket dorëzimit të emigrantëve shqiptare, që u kërkonin nga Qeveria Komuniste, Beograd e Tiranë, kjo ka marrë fund. Pasi Aleatët, kishin vendosur me i hedh poshtë kërkesat e komunistëve të Tiranës. Kështu, kjo frikë u sigurua e nuk ekziston më një frikë e tillë.

2. Gjithashtu, Shtetet Arabe, me Mbretin Faruk në krye, kanë pranuar me gjithë zemër, instalimin e emigratës shqiptare në vendet e tyre, me të gjitha të drejtat, sikurse arabët. Emigrata, do të vendoset në tri qendra kryesore: Egjipt, Syri dhe Jordani.

3. Në vend të një qeverie në mërgim, do të formohet një Komitet Politik, i përbërë prej të gjitha grupeve nacionaliste, me qendër në Kairo. Kryetar i këtij Komiteti, sipas dëshirës të Mbretit, do të jetë Mit’hat Frashëri, duke pasur rreth tij si anëtar, njerëz të ‘Ballit Kombëtar’, të Organizatës Kombëtare ‘Lëvizja e Legalitetit’ e të ‘Bllokut Indipendent’ dhe të njerëzve, paparti eventualisht.

Mbledhja, përfundoi me një entuziazëm të pa përshkruar, shkruan adjutanti. Ai pranoi të gjitha konditat dhe pa asnjë kusht, ata pranuan që të vihen në dispozicion, si të dëshirohet prej Mbretit. Në këtë mënyrë, u vendos kështu dhe për herën e parë me këto bisedime, u shpërndamë. Pas kësaj mbledhje, tek kolonel Husein Selmani, erdhën dhe vizituan; Xhemil Dino, Ajet Libohova, Nexhmedin Viriani, Zef Seregji, Ekrem Vlona, Kol Bib Mirakaj.
“Natyrisht, thotë adjutanti,- dhe këtyre ju komunikua mesazhi e mbetën të kënaqur. Gjithashtu, iu bë të njohur, edhe vendimi i marrë e i vendosur nga mbledhja. Me datën 30 Gusht 1947, më erdhi inxhinier Xhafer Deva, dhe me shfaqi se; ky vinte në emër të Dr. Xhelal Mitrovicës, Prof. Rexhep Krasniqit, të Tahir Zajmit, e të tjerë kosovarëve. Ai më deklaroi se, me gjithë zemër e besnikëri, vihemi në dispozicion të Madhnis Tij, Mbretit Zog. Pastaj, më dha një letër për me ja parashtruar Mbretit, në emrin e tij.

Ku shtoi, duke shprehur se; unë dhe Dr. Xhelal Mitrovica, shpresojmë të kemi fatin e lumtur, me i parashtruar personalisht Madhnis Tij, Mbretit, homazhet, bashkë më besnikërinë tonë, e mbarë Kosovës. Ju lutem, pranoni mirënjohjet tona të thella, Xhafer Deva, përfundonte letra. Më 1 shtator 1947, më erdhën Dr. Xhelal Mitrovica, Ali Draga, Sulejman Kryeziu, të cilët ishin në dijeni, se ka qenë po në emër të tyre, inxh. Xhafer Deva. Po të njëjtat bisedime, u zhvilluan edhe me këta”.

Pasi u mbaruan bisedimet dhe vizitat në Romë, si me shqiptarët ashtu dhe me autoritetet italiane, lajmërova kampin “Barleta”, se do ta vizitoja me datën 4 shtator 1947, shkruan adjutanti. Aty në Barleta, ishte dhe Mit’hat Frashëri e një pjesë e madhe e shqiptarëve, si: Hasan Dosti, Vasil Andoni, Zef Pali, Mehmet Alltuni, Isa Lika, Kadri Cakrani, e shumë personalitete të tjerë. Në Aleksandri, isha për çdo ditë në lidhje me telefon mbi gjithë sa zhvillohej. Deri këtu, të gjitha punët venin krejtësisht në bazë të programit e, kishin shpresa se edhe me autoritetet italiane, do të përfitojmë mbi sa i përkiste emigracionit.

Barleta, 4 shtator 1947
I dërguari i Mbretit Zog, kolonel Husein Selmani, vizitoi kampin Barleta. Atje, ai u prit me shumë përzemërsi, prej Z. Mit’hat Frashëri, Hasan Dostit, Dervish Rexhepit, Kadri Cakranit, Vasil Andonit, Zef Palit, Halil Macit, Irfon Ohrit, Mehmet Alltunit, Isa Likes, Vehip Runës e shumë të tjerëve. Pasi u përshëndetën, me të gjithë, kolonel Husein Selmani me Mit’hat Frashërin’ së bashku vizituan gjithë kampin. Ishin të tre grupet së bashku. Si mbaroi vizita e kampit, kolonel Husein Selmani, për herë të parë, bisedoi me Mit’hat Frashërin, në prezencën e Vasil Andonit e të Baba Rexhepit. Mit’hat Frashëri, e priti mesazhin e Mbretit Zog, me një kënaqësi të jashtëzakonshme dhe pa asnjë ndryshim, pranoi ardhjen në Egjipt, për t’u vënë në krye të detyrës kombëtare.
“Mit’hatit, i shpjegova edhe mbi sa u bisedua në Romë, d.m.th., se ishim krejtësisht dakord. Pasi mbarova gjithë bisedimet, me Mit’hat Frashërin, bashkë me ta, kam shkuar tek përgjegjësi i ‘Bllokut Indipendent’ dhe tek të Organizata Kombëtare ‘Lëvizja e Legalitetit’. Me Mit’hatin bashkë, e aty, takimi mori një formë krejtësisht si një bashkim kombëtar. Kuptohet, përsa u përket interesave të Atdheut, sepse çdo grup në të, ruante tendencat e veta për më vonë.

Pasi morëm fund të gjitha bisedimet e, mbetëm krejtësisht dakord e të kënaqur, u shtrua një drekë. Atje merrnin pjesë më se 300 persona. Ishin të gjithë grupet, së bashku me Mit’hat Frashërin, me përgjegjësin e ‘Ballit Kombëtar’, Irfan Ohri e Kol Mirakaj, me përgjegjësit e ‘Bllokut Indipendent’, Vehip Runa, Mehmet Alltuni e Isa Lika, me përgjegjësit e Organizatës Kombëtare ‘Lëvizja e Legalitetit’. Dreka, kaloi me një kënaqësi, plot gaz e vllaznim. U shkëmbyen fjalime. I pari, mori fjalën Vehip Runa, pastaj Mit’hat Frashëri dhe më në fund, kolonel Husein Selmani. Të gjitha fjalimet ishin patriotike”.

Kolonel Husein Selmani, pasdreke, shkoi në Hotel. Aty prapë priti gjithë ata që dëshironin për t’u parë e biseduar me të. Ishte gjithnjë Mit’hat Frashëri, më vete. Deri sa është nisur për Regio-Emilia, hëngri edhe ai darkë me ta. Pastaj, ata kanë biseduar mbi shumë ngjarje, që i përkasin çështjes së Shqipërisë, si edhe rreth përpjekjeve, në rrethin e luftës, mbi pretendimet e pengimet, që na kishin sjelle grekët”. Siç e shihni edhe sot, që edhe ajo vetë është në tym e flakë, prej komunizmit”, përfundon adjutanti.

Mbreti Zog tregon, pse nuk u lejua, që të luftojë përkrah Greqisë?!
“Kisha mbledhur të gjithë Këshillin, që kishte studiuar e vendosur për rregullimin e emigracionit shqiptar. Atje ishin; Mehdi Frashëri, Hiqmet Delvina, Dhimitër Berati, Kapidan Gjon Markagjoni, Ismail Vërlaci, Ernest Koliqi, Ekrem Vlona, Tahir Kolgjini, Dr. Kemal Jusufati, Ferid Dervishi, Sotir Avrami, Ali Këlcyra, Koço Muka, Ragip Frashëri”, kujton adjutanti, që ndodhet vetë në Itali. Ndërsa është folur për të ardhmen e mërgatës, një problem i madh është për të gjithë, se çdo të bëhet me familjet e tyre. Mbreti, në kujtime, premton se: “është i preokupuar për të ardhmen e djelmërisë të emigrantëve shqiptarë dhe për sistemimin më të mirë për to, duke siguruar çdo përkrahje, në mënyrë që ata të përparojnë dhe të kulturohen”.

Organizmi i mërgatës shqiptare në Rexhio-Emilia
Adjutanti, u rrëfen se si ka mundur, që t’i bashkojë dhe në të ardhmen, t’i thërrasin të gjithë në Siri, Egjipt dhe Jordani. E gjithë mërgata qetësohet dhe pranë Mbretit, afrohen edhe Ernest Koliqi, Gjon Marka Gjoni, Eqerem bej Vlora, Ali Këlcyra etj. Edhe qeveria italiane, tregon interes, ndërsa zv/ministri i Jashtëm Italian, takon adjutantin, duke e siguruar për refugjatët. Duket sikur gjërat shkojnë shumë mirë, por papritmas, kolonel Hysein Selmani, thërritet në Egjipt. Këshilli për rregullimin e emigracionit, ka emrat e Mehdi Frashërit, Hiqmet Delvinës, Dhimitër Beratit, Kapidan Gjon Markagjonit, Ismail Vërlacit, Ernest Koliqit, Eqerem bej Vlorës, Tahir Kolgjinit, Dr. Kemal Jusufatit, Ferid Dervishit, Sotir Avramit, Ali Këlcyrës, Koço Mukes, Ragip Frashërit

Regjio Emilio, 7 shtator 1947
Kolonel Husein Selmani, pasi përfundoi takimet me të gjitha në Kampin Barleta, i shoqëruar deri në stacion, prej Mit’hat Frashërit e gjithë përgjegjësit e grupeve të ndryshme, u nis. “Ishin afër 300 persona, që më shoqëronin në mbrëmjen e datës 6 Shtator 1947, kur u nisëm për të vizituar Kampet e Regjio Emilios. Ata ishin të lajmëruar e, në mëngjesin e datës 7 Shtator 1947, arritëm në kamp. Në Regjio Emilio, priteshim prej të gjithë përgjegjësve të grupeve, Salih Myftia, me përgjegjësit e Legalitetit dhe Faik Qukut, me përgjegjësit e ‘Ballit Kombëtar’ e tjerë. Ishim pothuaj se, më tepër se 100 persona. Brenda tyre, ishin edhe disa boshnjakë, si Hasan Ago Senica, e të tjerë”.

Pasi u përshëndetëm, u drejtuam të flisnim me përgjegjësit e grupeve. Ai vizitoi të gjithë kampet, ku u ndje një kënaqësi e madhe. Pasi u vizituan kampet, ai shkoi më parë në qendrën e Organizatës Kombëtare ‘Lëvizja e Legalitetit’ tek Salih Myftija, në prezencën e Hysen Prishtinës, Neshat Kolonjës, Mahzar Pustinës, Selami Damanit, Omer Beshirit dhe ju komunikoi, mesazhin e Mbretit. Atje, u prit me një brohori e kënaqësi të madhe, mandej ju vura në dijeni, përmbi sa u bisedua në Romë, vijon adjutanti. Si u vendos unanimisht u pranua.
Pas kësaj, unë shkova në qendrën e ‘Ballit Kombëtar’ tek N/Kolonel Faik Quku dhe aty në prezencën e tre përgjegjësve të ‘Ballit’, edhe këtu, po me të njëjtën frymë, u prit mesazhi. Dhe bisedimet, ishin tepër të sinqerta dhe Faik Quku, ishte në dijeni mbi bisedimet me Mit’hatin. Këtyre, ju sqarova në hollësi, për bisedimet e Romës dhe ata mbetën dakord. Pasi mbarova me përgjegjësit e partive, thirra Dervish Biçakun, Sadik Shaskën, Qemal Begun. Ai bisedoi gjatë e gjerë me ta, “e këtyre veçanërisht, ju dhashë të falat e Mbretit”. Ai i kishte miq të ngushtë, por ishin të kaluar pak nga mosha. Ata mbeteshin gjithmonë, për një bashkim, në mes të emigracionit shqiptar.

Pasi u mbaruan të gjitha, si vizitat po ashtu dhe bisedimet, u shtrua një drekë prej të tre grupeve. Ajo kaloi në një harmoni të përzemërt e, krejt vëllazërore. Pothuaj, se u harruan çdo lloj grindje e mëparshme. Adjutanti kujton, se ndjeu një kënaqësi të veçantë rreth bukës dhe asnjë fjalim, nuk u zhvillua. “Vetëm se, kishte qeshje e dashuri në mes njeri- tjetrit, e mbi te gjitha, ishte dashuria për Mbretin Zog. Pas dreke, kolonel Selmani, shkoi në Hotel, ku aty priti koloninë shqiptare të Milanos dhe kaloi në Milano dhe priti disa njerëz prej Parësisë Boshnjake. Aty, kishte me vete një major Italian, Profesor Omer Beshirin, dhe Mahzar Pustinën. Si mbaroi të gjitha vizitat, të kolonisë shqiptare në Milano, “natyrisht aty ishin Zonja dhe Zotni edhe boshnjakët e të tjerë”.

Kolonel Husein Selmani, në Milano, ngarkoi Omer Beshirin dhe Xhemal Ferrën e Qemal Shtinon. Ai rregulloi një kokteji për të gjithë kolonelët, aty në sallonet e Hotelit. Kjo u bë sepse ai, nuk kishte kohë, për me ju kthye vizitat. Koktejli kaloi mjaft mirë. U shkëmbyen mjaft fjalime, po kolonel Selmani, ngarkoi Profesor Beshirin, t’ju përgjigjet. “Kjo ishte një kënaqësi e paharrueshme, në mes të kolonisë shqiptare, në Milano”, vijon adjutanti. Kolonel Husein Selmani, pasi mbaroi çdo gjë në Milano, u kthye në Regjio-Emilio. Aty shkoi e u bëri nga një vizitë, dy oficerëve britanike e amerikanë, që ishin përgjegjës të kampeve. Ata e pritën shumë mirë dhe e siguruan se, çdo gjë që t’ju vijë përdore, nuk ka për të munguar, për plotësimin e mungesave, që mund të ndihen. Pas kësaj, kolonel Selmani, i falenderoi dhe doli. I dërguari i Mbretit Zog i I-rë, që ishte kolonel Husein Selmani në Regjio Emilio, para se të nisej për Romë, i rrethuar më tepër se 1000 vetë, burra, gra, fëmijë, kur po ndaheshin prej tyre, nuk ju durua dhe nga mallëngjimi i tepër, ju drejtova këto fjalë, po në emrin e Mbretit, duke ju thënë:
Motra e vëllezër të dashur.
Madhnia e Tij, Mbreti Zog, pas këtyre tragjedive që po kalon populli ynë i dashur, jo vetëm shpirtërisht, por edhe me çdo mjet që ka sot në dorë, ka ndërhyrë dhe ka bërë ç’është e mundur, për t’jua plotësuar nevojat. Dhe me ju ardhë në ndihmë, në të gjitha pikëpamjet, për sistemimin e emigratës, sikurse tregon edhe mesazhi i Mbretit. Veçanërisht, Mbreti, është i preokupuar për të ardhmen e djelmërisë të emigrantëve shqiptarë dhe për sistemimin më të mirë për ta. Ai do të përpiqet duke siguruar çdo përkrahje, në mënyrë që të përparojnë dhe të kulturohen. Ai ka shpresë të plotë se: këto vuajtje që po kalojmë sot, do të marrin fund dhe do t’ja arrijmë qëllimit të përbashkët, si vëllezër që jemi, të një gjaku dhe të një toke.

Për këtë, shpresojmë se atje ku do të emigrojë rinia shqiptare, do të ketë të gjitha përkrahjet morale dhe materiale, për të ecur përpara, në rrugën e kulturimit. Në mënyrë që, kur të vijë dita, t’i shërbej me së miri, interesave të larta të Shqipërisë”. Mbas këtij bisedimi, menjëherë kolonel Selmani, hyri në tren dhe u nis për në Romë. Ai i salutoi të gjithë, dhe emigrantët nuk u shpërndanë, deri sa treni nuk dukej më, shkruan ai. /Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb