Një ambient i përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e lëndëve narkotike, i fshehur poshtë një koteci shpendësh në fshatin Vreshtas të Bashkisë Maliq, është zbuluar nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, duke çuar në arrestimin e një personi dhe shpalljen në kërkim të një tjetri.
Sipas organit të akuzës, në pranga është vënë shtetasi me iniciale K.L., i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, ndërsa një tjetër person po kërkohet për disa vepra penale.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, pas hetimeve të kryera me metoda proaktive.
Gjatë kontrolleve, hetuesit zbuluan një ambient të ndërtuar në mënyrë të fshehtë nën një kotec shpendësh, i maskuar posaçërisht për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike cannabis sativa. Hyrja në këtë hapësirë realizohej përmes një strukture të improvizuar që të çonte në një dhomë nëntokësore.
Sipas Prokurorisë, ambienti ishte organizuar në mënyrë profesionale, me mure të veshura me materiale termoizoluese dhe i pajisur me sisteme ventilimi, ndriçimi dhe ngrohjeje. Në të ishin instaluar llampa elektrike speciale, pajisje për kontrollin e temperaturës dhe lagështirës, tubacione për qarkullimin e ajrit, si dhe sistem furnizimi me ujë për ujitjen e bimëve.
Brenda hapësirës u gjetën zona të posaçme për tharjen e cannabis-it, ku bimët ishin varur në struktura të improvizuara. Në dysheme u konstatuan dhjetëra vazo me dhe dhe mbetje kërcelli bimësh të prera, si dhe pajisje të tjera të përdorura për kultivimin dhe përpunimin e drogës.
Nga veprimet hetimore u sekuestruan rreth 5.4 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, në proces tharjeje dhe e paketuar në doza të vogla, një sasi e vogël e dyshuar kokainë, peshore elektronike, sisteme ventilimi dhe ndriçimi, si dhe një armë në formë pistolete me bombol gazi të kompresuar.
Hetimet zbuluan gjithashtu se ambienti furnizohej me energji elektrike në mënyrë të paligjshme, përmes lidhjes direkte me rrjetin e shpërndarjes.
