TIRANË- Që prej ditës së parë kur në Kumanovë nisi konflikti i armatosur, opinioni publik është “mbërthyer” pas mediave dhe sidomos rrjeteve sociale për të marrë çdo informacion dhe pse jo për të komentuar luftën që solli 22 viktima.

Jo të paktë kanë qenë ata që janë përfshirë nga kjo ngjarje, jo fort e lehtë për shqiptarët e Maqedonisë. Gazetari Ylli Dylgjeri i ka ndjekur zhvillimet nga ky shtet dhe i ka komentuar hap pas hapi dhe herë-herë me nota ironie.

Një ditë pas konfliktit, Dylgjeri shkruante në faqen e tij të Facebook: “Kumanova? Sapo filloi rruga e Arbrit…Një shirit që se preu dot politika andej-këtej. E hajrit qoftë!”

Ndërsa më pas gazetari ai do të vinte në dukje mungesën e reagimit të politikanëve shqiptarë në Maqedoni për këtë ngjarje.

“Ahmeti u bë për… Rahmet! U bënë kaq ditë që ngjarjet e tmerrshme të luftës në Kumanovë po tronditin mbarë opinionin ballkanik dhe atë europian. Ndihen vetëm krismat, dhuna, flakët, armët, familjet e viktimave, loti i fëmijëve, policia maqedonase, dhe TV-të që ju priten sinjalet nga censura e shtetit fals. Ndihet edhe zoti Gruevski në një folëse pa përgjues, që “shpëtoi Maqedoninë, pa shpëtim”…Skenar i djegur ky. Luftë e paqartë. Kjo është njëra palë që ndihet. Po kush s’ndihet? Nuk ndihen deputetët dhe udhëheqësit shqiptar, që për ironi të fatit mbajnë postet dhe njëherësh mbajnë edhe posterat me kallashin si simbol të vendosur në dyert e partive politike shqiptare. Nuk ndihet as Ali Ahmeti? Vetëm për votë shkohet në Kumanovë? DHIMBJE! Bashkë me dhimbjen e civilëve të vrarë duhet të mbajmë njëherësh edhe dhimbjen për “humbjen e zërit të Ahmetit”…Larg qoftë! I paharruar Ahmeti… që u bë për Rahmet!”, do të shkruante Dylgjeri.

Pas fjalëve të tij, nuk kanë munguar as fotot si mjet për të ilustruar komentet. Në një prej tyre Dylgjeri thotë: “Politikanët shqiptarë në Maqedoni, mos bëjnë spektatorin, si këto lopët pas portës…”

Pas dorëheqjeve të njëpasnjëshme mbrëmjen e së martës në Maqedoni, gazetari Dylgjeri komenton sërish.

“Përgjumja dhe përgjimi. Ministri i Mbrojtjes i Koresë u përgjum… dhe e vranë! Ministri i Brendshëm i Maqedonisë u përgjua…dhe u shkarkua!”, shprehet ai.

Në fund gazetari Ylli Dylgjeri e mbyll me një ‘kërkesë’ të veçantë. Në emër të popullit të Maqedonisë ai kërkon që gazetari Blendi Fevziu të jetë Ministër i Brendshëm i këtij vendi.

“Maqedoni. Duam Fevziun Ministër të Brendshëm! Faktori shqiptar në Maqedoni, pas ngjarjeve të dhimbshme të Kumanovës dhe dorëheqjes së Ministres së Brendshme, shikon si kandidaturë të gjetur edhe në zbatim të marrëveshjes së Ohrit, gazetarin Blendi Fevziu”, shkruan ai.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb