Vrasja e Boris Nemtsov është e fundit në radhë e një serie vrasjesh misterioze të njerëzve të pakënaqur me pushtetin, thuajse të padiskutueshëm, të Vladimir Putinit në Rusi. Edhe se provat nuk ekzistojnë, vrasja e një prej liderëve të opozitës hedh një hije dyshimesh mbi presidentin rus.
Shumë prej atyre që kanë dashur t’i vënë shkopin nën rrota ‘Carit’, kanë përfunduar ose mbrapa hekurave ose në varreza.

Ndoshta më i famshmi, është rasti i Anna Politkovskaia: një gazetare e gazetës ‘Novaya’, gjithnjë e gatshme për të denoncuar qeverinë autoritare të Putinit dhe abuzimet e kryera në forcat ruse në Çeçeni. Politkovskaia u vra me pistoletë më 7 tetor të vitit 2006 në ashensorin e ndërtesës ku banonte në Moskë.

Por në një periudhë kohore prej 9 vjetësh, akoma nuk është hedhur dritë mbi krimin. Qershorin e kaluar, procesi i tretë gjyqësor për vrasjen e reporteres u shoqërua me dënime të rënda për të gjithë të dyshuarit.

Dikush tjetër që ka pasur probleme me drejtësinë pasi ka “mërzitur” Putinin është Mikhail Khodorkovski¸ish-pronari i naftës ‘Yukos’, dhe ish-njeriu më i pasur në Rusi. Përfundoi pas hekurave pasi kishte financuar opozitën dhe mbeti atje për 10 vjet, derisa lideri i Kremlinit vendosi ta falë në vitin 2013. Tani Khodorkovski jeton jashtë vendit.

Ndërkohë i eliminuar fizikisht rezulton Alexander Litvinenko, ish-spiun i Moskës i helmuar me polonium radioaktiv në vitin 2006 në Londër. Litvinenko ishte bërë një bashkëpunues i rëndësishëm i shërbimeve sekrete.

Alexiei Navalni, opozitari më i madh i liderit të Kremlinit, duket se u nxor jashtë loje me një mënyrë tjetër: atë gjyqësore.

Blogeri anti-Putin, së bashku me Nemtsov, ishte një nga organizatorët e marshit anti-krizë të pranverës e parashikuar për të dielën e 1 marsit. Manifestimi u anulua dhe u zëvendësua me një ceremoni në kujtim të Boris Nemtsov.

Por sidoqoftë Navalni nuk mund të marrë pjesë në asnjë aktivitet. Juristi ndodhet në burg dhe do të qëndrojë atje deri më 6 mars për një dënim 15 ditor për prishje të qetësisë publike, në shpërndarjen e fletushkave në mbështetje të marshit antikrizë.

Alexei Navalni dhe vëllai i tij, Oleg, janë dënuar edhe më 30 dhjetor të vitit të kaluar me 3 vite e gjysmë burg për mashtrim.

Një tjetër oligark antiPutin, Boris Berezovski, u detyrua të arratisej në Angli për të shmangur “luftën” me kundërshtarin e tij. Vdiq dy vjet më vonë në rrethana misterioze. U fol për vetëvrasje.

Ish-kampioni i botës në shah, Garri Kasparov, një nga eksponentët më të njohur të opozitës, që ka marrë pjesë në manifestimet anti-Putin në sheshin Bolotnaia në vitin 2011, 2012 dhe 2013, tani jeton mes Shteteve të Bashkuar dhe Kroacisë nga frika e përballjes me akuzat gjyqësore.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: