Spanja është çerekfinalistja e radhës e Kupës së Botës, pasi mposhti Portugalinë me rezultatin minimal 1-0 në një përballje dramatike të vendosur në minutat shtesë.
Heroi i takimit ishte Mikel Merino, i cili, vetëm pak minuta pasi u aktivizua si zëvendësues, shënoi golin e fitores në minutën e 91-të, duke i siguruar “La Roja”-s kualifikimin dhe duke vazhduar serinë mbresëlënëse pa pësuar gol në këtë turne.
Festimet shpërthyen menjëherë brenda dhe jashtë stadiumit në Dallas, ku mijëra tifozë spanjollë krijuan atmosferë festive me këngë, daulle dhe thirrjet tradicionale “Ole, Ole”.
Në krahun tjetër, zhgënjim i madh për Portugalinë, e cila i jep fund aventurës në fazën e 1/8-ave. Ndeshja pritet të mbetet edhe si paraqitja e fundit e Cristiano Ronaldos në një Kupë Bote. Sulmuesi 41-vjeçar konfirmoi pas takimit se ky ishte turneu i tij i fundit botëror. “Herë fiton, herë humbet dhe duhet të vazhdosh përpara. Për të qenë i sinqertë, po, kjo ishte Kupa ime e fundit e Botës. Do të kem kohë të mendoj më vonë për pjesën tjetër të karrierës sime,” tha Ronaldo në zonën e intervistave pas ndeshjes.
Edhe trajneri Roberto Martínez njoftoi largimin nga drejtimi i kombëtares portugeze, duke deklaruar se me këtë humbje përfundon edhe cikli i tij në stolin e Portugalisë.
Në çerekfinale, Spanja do të përballet me Belgjikën, me synimin për të vazhduar rrugëtimin drejt titullit të dytë kampion bote.
