“Gjithçka drejtohet nga sistemi nervor”, me këto fjalë u paraqit Ilir Daja pas sfidës së Kupës kundër Tiranës, një ndeshje e cila vërtetoi atë që është folur prej kohësh. Në Vlorë problemi me pagesat po reflektohet gjithnjë e më shumë edhe në fushë.


Sinjalet e para kishin ardhur në testet miqësore, por Tirana tregoi se kuqezinjtë nuk janë as të qetë e as të fokusuar maksimalisht, mjafton të shohim dy golat e pësuar. Në kushte të tilla edhe Daja e ka shumë të vështirë të motivojë futbollistët, por si profesionalist në maksimum dhe si një trajner që e njeh shumë mirë realitetin shqiptar, i shmanget gjithnjë pjesës kur pyetet për financat, fundja me të drejtë, pasi Daja nuk ka asgjë në dorë për këtë pjesë.


Në këtë periudhë kohore i është dashur të bëjë jo vetëm trajnerin por dhe psikologun, por me sa duket tek kjo e dyta ka dështuar, pasi lojtarët nuk iu përgjigjën në fushë, të paktën jo ashtu si Daja dëshiron. Pas Kupës e cila shtoi edhe më shumë vuajtjet, teksa u zgjat shumë në kohë, Daja duhet të bëjë llogaritë edhe me Teutën në kampionat, një nga ekipet më në formë për momentin në futbollin shqiptar. Gjysma e dytë e sezonit për Flamurtarin nis e të bëhet menjëherë malore.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb