Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka vijuar takimet me strukturat dhe mbështetësit demokratë në Tiranë.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, fjalën e ka marrë edhe Besmir Semanaj, një inxhinier shqiptar që jeton dhe punon në Austri, i cili ka lëshuar akuza mjaft të rënda drejt kupolës drejtuese të selisë blu për mungesë demokracie të brendshme.

Semanaj shprehu zhgënjimin e tij të madh, duke deklaruar se udhëheqja e partisë u ka mohuar të drejtën e votës dhe të zgjedhjes vetë anëtarëve dhe kontribuesve që kanë sakrifikuar ndër vite për këtë forcë politike.

Ai theksoi se pa një reformim të thellë dhe pa kthimin e votës së lirë brenda PD-së, është tërësisht e pamundur që opozita të ngjallë shpresë te qytetarët e thjeshtë apo te votuesit pa parti.

“Kupola drejtuese e PD-së ma hoqi të drejtën për të zgjedhur. Jo vetëm mua që kam marrë avionin sa herë ka pasur zgjedhje në Shqipëri, që kjo kastë e korruptuar në pushtet të shkojë atje ku duhet të shkojë, por në këtë rast këtë të drejtë ma hoqi partia ime. Nëse ne sot nuk arrijmë të rregullojmë, të ndryshojmë shtëpinë tonë, do të jetë e pamundur të frymëzojmë qytetarët. Kupola sot ka humbur besimin e demokratëve, imagjinoni sa mund të jetë besimi i qytetarëve shqiptarë apo i elektoratit gri,” u shpreh Semanaj.

Më tej, ai bëri thirrje që demokratët të ngrihen dhe të luftojnë për të ndryshuar partinë e tyre, në mënyrë që të krijohen kushtet që diaspora të kthehet dhe të investojë në vendin e vet, pa pasur frikën e sistemeve të mbyllura politike.

“Nëse duam rotacion, duhet të luftojmë për të ndryshuar partinë për të cilën kemi luftuar për kaq vite me radhë. Nëse duam një Shqipëri ku edhe unë të vij nga Austria, të bëj biznesin tim këtu dhe të jetoj këtu, duhet ta nisim ndryshimin nga shtëpia jonë që është PD. Secili prej nesh ka kontribuuar në mënyra të ndryshme, por sot na është mohuar edhe e drejta e votës në parti. Rroftë PD!” përfundoi Semanaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb