Kur sheh pamjet e atentatit të dështuar në Elbasan, të tmerron menjëherë ideja se në çdo kafene ku ulemi për pak minuta çlodhje e për të pirë një kafe, mund të gjendet aty pranë një njeri që është i armatosur, që pret me qetësi momentin e përshtatshëm për të vrarë një njeri.
Por, përtej vetë aktit kriminal, ka diçka tjetër në ato pamje që të trondit edhe më shumë, ajo që ndodh përreth.
Dhe për më tepër, gruaja që ndodhet në tavolinë me autorin. Nga pamjet e kamerave të sigurisë duket se ajo nuk shfaq ndonjë reagim alarmi në momentin kur burri tërheq këmbëzën e armës në kokën e tjetrit. Më pas vijon të sillet me një qetësi që të lë pa fjalë dhe madje paguan edhe faturën.
Nga video nuk mund të kuptojmë çfarë dinte ajo, çfarë kishte dëgjuar apo nëse ishte në dijeni të planit. Por qetësia e saj dhe mënyra se si vijon të sillet në raport me veprimet e burrit të trondit. Çfarë ndodh me një njeri që ulet pranë një arme dhe një plani vrasjeje dhe e përjeton atë si diçka normale?
Gratë kanë një rol të rëndësishëm në shoqëri, jo sepse janë domosdoshmërisht më të brishta apo më pak të prirura ndaj dhunës, por sepse shpesh kanë një ndikim të fortë në mënyrën se si ndërtohen marrëdhëniet, si menaxhohen konfliktet dhe si vendosen kufijtë moralë brenda familjes dhe komunitetit. Ky rol bëhet edhe më i rëndësishëm kur përballë kemi dhunën.
Një grua apo një burrë në ato kushte nuk duhet parë automatikisht si bashkëfajtore, sepse pamjet e një kamere nuk na tregojnë çfarë dinte apo çfarë përjetonte. Por shoqëria ka nevojë që gratë, ashtu si burrat, të jenë një forcë që e zbut konfliktin, e refuzon dhunën dhe nuk e pranon armën si diçka normale. Çdo njeri, pavarësisht gjinisë, përballë një krimi duhet të ketë një kufi moral që i thotë “Kjo nuk mund të ndodhë para meje dhe unë të sillem sikur nuk po ndodh”.
Dhe pastaj janë të tjerët… njerëzit në tavolina. Disa që nuk lëvizin. Disa që ngrihen në këmbë dhe shohin me kureshtje çfarë po ndodh. Një skenë që, në vend të panikut dhe reagimit të menjëhershëm, duket sikur prodhon fillimisht habi dhe kureshtje.
Sigurisht, reagimi psikologjik i njerëzve në ato pak sekonda është i ndryshëm. Përballë një ngjarjeje të papritur dhe të dhunshme, disa njerëz mund të ngrijnë, disa mund të mos kuptojnë menjëherë çfarë po ndodh, ndërsa të tjerë mund të reagojnë vetëm pasi rreziku të jetë larguar.
Por ajo pamje të lë gjithsesi me një pyetje: A jemi mësuar aq shumë me dhunën sa ajo nuk na trondit më siç duhet? Jemi mësuar me armët, me atentatet, me lajmet për vrasje, me konfliktet që përfundojnë me plumba, sa rrezikojmë të humbasim ndjeshmërinë ndaj tyre. Vrasja po humbet pak nga pak efektin e rëndë dhe po kthehet në një tjetër ngjarje të kronikës së përditshme. Kjo është shumë e frikshme.
Një nga treguesit e kulturës së një shoqërie është mënyra se si ajo reagon përballë dhunës. Nuk është vetëm numri i krimeve që duhet të na shqetësojë, por edhe mënyra se si njerëzit reagojnë kur krimi ndodh para syve të tyre. Sepse kur dhuna fillon të mos na trondisë më, problemi është se po shndërrohemi në një shoqëri që po mësohet me vrasjen.
Nuk dua të besoj se jemi bërë kaq të ftohtë. Nuk dua të besoj se kemi arritur në pikën ku arma në dorën e një njeriu nuk na bën të ngrihemi nga karrigia. Ku një e shtënë nuk na bën të kuptojmë se dikush mund të jetë humbasë jetën.
Kjo është çështje e humbjes së ndjeshmërisë njerëzore dhe ndoshta kjo është kriza jonë më e madhe. Jo vetëm se ka njerëz që vrasin. Por se po rrezikojmë të bëhemi një shoqëri që mësohet me vrasjen. Një shoqëri që mësohet me të keqen, një ditë mund të mos trembet më dhe të bëhet preja e saj.
Aty nis rënia e vërtetë.
