Nga Genc Burimi
Tallja bajate dhe populiste e Kryeministrit me “babëzinë” e përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë për rroga të paimagjinueshme për shqiptarin e thjeshtë fsheh një të vërtetë më të hidhur. Rama është autori i babëzisë për të cilën ai akuzon të tjerët. Kjo ndodhi kur Rama rriti me gati dyfish rrogat e të besuarve të tij në administratën e lartë të shtetit gjatë periudhës 2022–2023, pa marrë parasysh se një ditë do t’u paguhej e njëjta faturë edhe gjyqtarëve. Rrogat e këtyre të fundit janë të lidhura me forcë kushtetuese me ato të drejtorëve të administratës.
Kriza që po përjetojmë sot, ku dhjetëra miliona euro rroga u detyrohen sot sistemit të drejtësisë, rrjedh pikërisht nga kjo hile e Ramës në kurriz të buxhetit. Ajo vjen po ashtu dhe nga një dobësi konceptuale e reformës së vitit 2016, ku sistemi i pagave në drejtësi u frymëzua nga modeli amerikan (i cili paraqet rreziqe) në vend të atij evropian.
Ndaj, konflikti i paprecedentë që po paralizon sistemin gjyqësor në Shqipëri nuk është një kërkesë sindikalistësh militantë për rritje pagash, por një përplasje shumë më e ndërlikuar që duhet zbërthyer në detaje. U duhet shpjeguar shqiptarëve pse me të ardhurat e tyre modeste duhet të përballojnë rroga të jashtëzakonshme për drejtësinë, të cilat jo vetëm që asnjë vend në rajon nuk i ka, por përbëjnë një kuriozitet edhe më gjerë në Evropë.
Gjeneza e problemit: Premtimi i madh i vitit 2016 dhe hilja e mëpasshme e Ramës
Për të kuptuar këtë krizë, duhet të kthehemi në korrik të vitit 2016, kur Kuvendi i Shqipërisë, nën monitorimin e rreptë të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, miratoi Reformën historike në Drejtësi. Kushtetuta u ndryshua për të përthithur midis të tjerash një nen, atë 138, që shtron si parim se: “Paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen” (përveç në raste krizash kombëtare ekonomike ose lëvizjesh nga posti të gjyqtarit).
Kushtetuta nuk hyn në detaje se mbi ç’bazë paguhet një gjyqtar. Këtë e bën ligji organik, që ka fuqi si një ligj kushtetues. Në rastin francez për shembull, ashtu si në shumicën e vendeve evropiane, ky ligj organik (i vitit 1958) ka parashikuar enkas një tabelë me nivele pagash për sistemin e drejtësisë, që nuk ka lidhje me sistemin e pagave të nëpunësve të tjerë. Domethënë, nëse ngrihen pagat e nëpunësve të tjerë, kjo nuk ndikon mbi ato të drejtësisë dhe anasjelltas. SHBA-ja e ka ndryshe. Pagat në drejtësi janë funksion i pagave në administratë apo i pagave të të zgjedhurve. Është pikërisht ky sistem amerikan që u importua në Shqipëri përmes Ligjit Organik nr. 96/2016, i cili përcaktonte se paga e një magjistrati (gjyqtar, prokuror) ka si bazë atë të një nëpunësi të lartë të kategorisë së drejtorit të një departamenti në Kryeministri. Në shifra reale, kjo përkthehej kështu: paga e referencës për një gjyqtar fillestar (Shkalla e Parë, domethënë më e ulëta në drejtësi) u barazua me pagën e nëpunësit më të lartë të administratës shqiptare, atë të një Drejtori Departamenti në Kryeministri, ose asaj kohe rreth 132,100 lekë të reja.
Kjo rrogë minimale në drejtësi rritej sipas një sërë koeficientësh nëse gjyqtari punonte në gjykatat e apelit, në SPAK apo në GJKKO, si dhe nëse gjyqtari kishte vite vjetërsie në punë, rrezik profesional etj. Ky sistem funksionoi deri kur Rama vendosi të bëjë një hile trashanike. Ai vendosi që, për klientelizëm, t’u shtoje rrogat nëpunësve të lartë, për më tepër që inflacioni mbërtheu ekonominë shqiptare si atë ndërkombëtare pas dy krizave të njëpasnjëshme: COVID-it dhe luftës në Ukrainë.
Disa paga të larta në administratën e Ramës patën rritje gati dyfish. Kjo do të duhej të përthehej automatikisht, sipas ligjit në fuqi (96/2016), me një rritje të njëjtë të pagave në sistemin e drejtësisë, që ishin të lidhura pazgjidhshmërisht me pagat e administratës së lartë shqiptare. Hilja e Ramës konsistoi në faktin që rritja e rrogës në administratë të mos konsiderohej si pagë, por si bonus. Bonusi ka veçorinë që lidhet me një performancë të përkohshme dhe përthehet si shpërblim për një punë të mirë, por jo si pagë bazë. Veçse, nëse bonusi do të mbetej për një kohë të gjatë në pagë, ashtu siç ndodhi, atëherë ai s’quhet më bonus por pagë, dhe gjyqtarët do ta denonconin këtë maskaradë. Për t’u mbyllur gojën dhe për t’i lënë mundësi vetes t’ua rriste prapë më vonë rrogat të preferuarve të tij në administratë, Rama vendosi pa asnjë kompleks në vitin 2023 të ndryshojë ligjin organik 96/2016, të cilat ai vetë i kishte miratuar më parë mbi pagat e gjyqtarëve. Me ligjin e ri, pagat e gjyqtarëve nuk lidhen më me ato të drejtorëve të departamenteve në Kryeministri. Domethënë Rama mund t’ua rrisë këtej e tutje legalisht rrogat të tijëve pa u detyruar të bëjë të njëjtën gjë me gjyqtarët. Si referencë të re page për gjyqtarët parlamenti i Ramës vendosi pagën e Presidentit të Republikës.
Në pamje të parë, gjykatësit dhe prokurorët dilnin të fituar, meqenëse paga e Presidentit është mbi tri herë më e lartë se paga më e lartë në administratë (rreth 450,000 lekë të reja kundrejt 132,000 lekë të reja). Por hilja e Ramës ishte edhe më e sofistikuar: jo e gjithë paga e Presidentit, por vetëm pak më shumë se një e treta e saj (36%) do të shërbente si bazë për rrogën e gjyqtarëve (domethënë rreth 156,800 lekë bazë). Me këtë manovër, Rama i linte pagat e gjykatësve dhe prokurorëve pothuajse aty ku ishin dhe i kishte duart e lira të bënte klientelizëm me pagat e drejtorëve të departamenteve në Kryeministri.
Rama po i merrte kështu gjyqtarët për budallenj. Faktet ishin kokëforta. Në vitin 2023, në krahasim me vitin 2016, drejtorëve në disa raste u ishte dyfishuar rroga, kurse gjyqtarëve u kishte mbetur akrepi i sahatit i bllokuar te rroga e vitit 2016. Ndonëse si referencë bëhej tani rroga e Presidentit, kjo merrej për bazë vetëm në një të tretën e saj ose më saktë në 36%.
Avantazhi tjetër i kësaj manovre djallëzore për Ramën ishte se atij as nuk i bëhej vonë ta rriste më vonë rrogën e Presidentit, një post ky honorifik në Shqipëri. Domethënë, pak gjasa do të kishte që edhe rrogat e gjyqtarëve të rriteshin një ditë. Një skemë hileje tejet e mirë menduar dhe e sofistikuar. Ekzakt i njëjti problem , jo hileje por dizavantazhi për drejtësinë, është shfaqur edhe në SHBA, ku rrogat në drejtësi lidhen me ato në administratë apo me rrogat e politikanëve të zgjedhur në qeveri. Për populizëm në fushatë bëhen premtime që rrogat e të zgjedhurve nuk do të rriten më, dhe peng i këtij premtimi bëhen edhe gjykatësit. Ky është një fenomen që nuk ndodh në Evropë, ku sistemi i pagave në drejtësi nuk është i lidhur me sistemin e pagave në korpuse të tjera (politikanë, administratë e lartë etj.).
Kundërsulmi i gjyqtarëve që arrijnë dhe fitojnë në Gjykatën Kushtetuese
Për ta zbrapsur manovrën hileqare të Kryeministrit, gjyqtarët — dhe më pas Gjykata Kushtetuese që u dha plotësisht të drejtë atyre — u bazuan tek domethënia e nenit 138 të Kushtetutës, i cili përcakton, siç e pamë, se rroga e një gjyqtari s’mund të ulet. Por, me hilet e Ramës që ngriti rrogat e drejtorëve duke harruar ato të gjykatësve, rrjedhimisht rrogat e këtyre të fundit konsiderohen se janë ulur në raport me nivelin ku duhet të ishin nëse do të bazoheshin, sipas ligjit, tek rrogat e drejtorëve.
Biles, për këta gjyqtarë (dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i shkurtit 2026 u dha të drejtë) jo vetëm që rroga duhet t’u shtohet ekzakt si ajo e drejtorëve të Ramës — domethënë gati deri në dyfishim — por plus kësaj, t’u paguhen gjykatësve dhe prokurorëve gjithë këto vite kur rrogat s’ishin rritur, çka përbën një shumë të prapambetur prej dhjetëra miliona eurosh.
Gjyqtarët nuk mjaftohen me kaq. Ata e konsiderojnë po ashtu si të paligjshëm ndryshimin e ligjit sipas qejfit nga Rama në vitin 2023, kur ai vuri si referencë për pagën e një gjyqtari 36% të pagës së Presidentit. Ligji i reformës në drejtësi i vitit 2016 ishte më avantazhues për gjyqtarët, pasi ai i referohej 100% pagës më të lartë në administratë, asaj të drejtorit të departamentit në Kryeministri që rritet ndërkohë që paga e Presidentit nuk rritet ose fare pak.
Edhe në këtë pikë, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë ankesës së gjyqtarëve. Sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, duke filluar nga 1 gushti 2026, ndodhin këto pasoja:
a) Qeveria duhet të rritë pagat e sistemit të drejtësisë aq sa janë rritur ato të drejtorëve të lartë;
b) T’u paguhet gjykatësve dhe prokurorëve deri në qindarkën e fundit rritja e rrogës që kur kjo filloi realisht para disa viteve tek nëpunësit e lartë si bonus;
c) Të shpallet e pavlefshme referenca e re e vitit 2023 me 36% të pagës së Presidentit. Referencë ligjore për pagat në drejtësi mbetet ligji 96/2016, domethënë paga e plotë e një drejtori departamenti në Kryeministri.
Është një fitore totale për gjyqtarët. A do ta pranojë Rama?
Reagimi i Ramës dhe strategjia e tij e re
Asistuam këtë të dielë në një kundërsulm të egër verbal nga ana e Kryeministrit, i cili fliste nga makina sikur të ishte një temë podkasti dhe jo një debat thelbësor institucional. Rama goditi nga njëra anë me shprehjet më të shëmtuara personelin e drejtësisë në KLGJ dhe KLP që i hapi gjyq qeverisë për rritje pagash, duke i trajtuar si: “dy shëmbëlltyrat e anës së errët të medaljes së reformës në drejtësi, dy trupa të mbingarkuara me njerëz, paga, shpenzime, por me një produktivitet që lë shumë për të dëshiruar”.
Nga ana tjetër, Rama sulmoi Gjykatën Kushtetuese që u dha të drejtë gjyqtarëve, duke e trajtuar atë sikur të ishte në konflikt interesi: “Dua të them vetëm sesa shqetësuese, sa e shëmtuar, sa vulgare është atmosfera e krijuar nga një konflikt pushtetesh… Janë një palë që kanë këtë interes”.
Sipas të gjitha gjasave, mazhoranca e Ramës më 17 shtator pritet ta verë parlamentin dhe drejtësinë para faktit të kryer duke e mbajtur referencën për pagën e gjyqtarëve te paga e Presidentit, me një përmirësim vetëm prej 2% (nga 36% në 38%). Pra, s’do të ketë për gjykatësit as pagesë të shumave të prapambetura dhe as rikthim tek referenca e pagës që vuri reforma në drejtësi. Kjo reforme kishte si bazë rrogën e drejtorit të departamentit në Kryeministri dhe jo rrogën e pjesshme të Presidentit të Republikës, një shpikje e Ramës.
Me këtë manovër të re legjislative që do të bëjë më 17 shtator, Rama kujton se do t’ia hedhë Gjykatës Kushtetuese sepse tregon se po ua rrit pak a shumë pagat gjyqtarëve (referenca kalon nga 36% në 38% të pagës së Presidentit), por pa paguar detyrimet e praprambetura prej dhjetëra miliona eurosh. Vështirë se Gjykata Kushtetuese do të mbyllë sytë. Vendimet e saj janë ligjërisht të padiskutueshme, që do të thotë se rritja mesatare e pagave në drejtësi duhet të jetë jo 2%, por 51%!
Konkluzion
Ja sesi në një dekadë, për shkak të një reforme të gabuar fillestare të sistemit të pagave në drejtësi, të cilës iu shtuan manovrat hileqare të Edi Ramës, arrijmë sot në paga deri në 10 mijë euro në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi rroga më e lartë ekuivalente nuk i kalon 1,500 euro, pa folur për vende fqinje në BE si Greqia dhe Sllovenia ku nuk ekzistojnë në drejtësi rroga me 5 shifra në euro.
Dhe për çfarë rezultatesh? Pas bombës së pazgjidhshme të kadastrës, Rama i lë këtij vendi në jetë të jetëve bombën financiare të pagave në drejtësi. Shqiptarët do të jenë të detyruar të paguajnë taksën më të lartë në botë për drejtësinë, por të pakten të kenë një kompensim: që përgjegjësit politikë të katrahurave të japin llogari para drejtësisë. Le të bëhet ligj, te rritja e pagave në drejtësi të futen sekuestrimet dhe dënimet financiare që drejtësia operon tek sistemi hajdut politik në Shqipëri perfshirë dhe sekuestrimet nga trafiqet e drogës. Drejtësia të shpërblehet me frytet e punës së saj. Për kur kërkesa për heqje imuniteti te ish-zëvëndëse Kryeministres? Për kur marrja në pyetje e Kryeministrit mbi skandalet e shumta qe kanë shokuar dhe shokojnë opinionin piublik? Drejtësia lyp pagat që ja garanton Kushtetuta, por dhe populli lyp drejtësi, një e drejtë po aq e mirë gdhendur në të njëjtën Kushtetutë. Le të frymëzohemi në raportin Drejtësi – Popull , nga shprehja amerikane, win-win…
