Disa vende maten me kilometra katrorë. Disa vende maten me peshën që mbajnë në histori. Sazani i përket kategorisë së dytë. Kanali i Otrantos është porta e Adriatikut. Në Vlorë gjendet çelësi i saj.
Në hartë është një pikë e vogël. Në gjeopolitikë është porta jugore e Adriatikut. Në politikën shqiptare është pasqyra ku takohen lakmia, pushteti dhe frika. Të treja njëherësh, pa turp.
Thuhet se zhvillimi është gjithmonë lajm i mirë. Thuhet se çdo vinç është progres. Thuhet se çdo resort është mirëqenie. Thuhet se çdo kullë është modernitet.
Historia na mëson diçka tjetër. Jo çfarëdolloj betonizimi ndërton shtet. Ka edhe betonizim që mbulon gjurmë.
Krimi i organizuar nuk ka nevojë vetëm për porte dhe parajsa fiskale. Ka nevojë për institucione që nuk bëjnë pyetje. Ligje që shkruhen për investimin dhe jo për interesin publik.
Shqiptarët, nga i gjithë spektri ideologjik, liberalë, nacionalistë, ambientalistë dhe të majtë radikalë. Tiktoktistët dhe konspiracionistët bashkë, janë duke protestuar çdo mbrëmje. Ata nuk ndajnë të njëjtën ideologji, por ndajnë të njëjtin ndjesi. Atë të përjashtimit dhe braktisjes nga një elitë politike vetë-shërbyese dhe e shkëputur nga populli.
Kjo ndjesi nuk kufizohet vetëm ndaj opozitës formale parlamentare. Ajo shtrihet edhe ndaj të gjithë klasës politike. Në Shqipëri kemi pasur një administrim jo-transparent të pasurive publike dhe marrëveshje të favorshme vetëm për interesa të veçanta. Ngjarjet e fundit, nuk janë një rast i izoluar, por simbole më të fundit dhe më të dukshme të këtij modeli.
Problemi ynë nuk është më thjesht dhe vetëm korrupsioni. Identiteti ynë kombëtar po tjetërsohet. Shteti ka humbur aftësinë për të dalluar interesin kombëtar nga interesi privat. Një shtet që nuk dallon këto dyja, nuk qeveriset më. Ai thjesht administrohet si mundet, jo si duhet.
Ky nuk është më një debat për një ishull, një gadishull, një lagunë dhe një lumë. Ky është një debat për modelin e shtetit. Një shtet serioz nuk pyet vetëm sa do të investohet. Pyet kush investon? Pyet nga vijnë paratë? Pyet kush përfiton? Pyet çfarë humbet vendi kur “fiton” vetëm investitori?
Këto janë pyetjet që dallojnë një republikë nga një territor. Një shtet serioz nga një shtet qesharak. Çdo komb ka nevojë për njerëz kurajoz që dinë të thonë “jo”.
Shqiptarët nuk janë kundër zhvillimit. Ata janë kundër idesë se zhvillimi mund të ndërtohet duke dobësuar ligjin, duke relativizuar interesin publik, duke heshtur përballë pyetjeve legjitime.
Demokracia nuk matet vetëm me zgjedhje. Matet me aftësinë e qytetarëve për t’i thënë pushtetit se jo gjithçka është në shitje. Ekziston a një humnerë midis një shteti që zhvillon territorin dhe një pushteti që shet territorin.
Në thelb të këtij zemërimi që po artikulohet në rrugë qëndron edhe një realitet ekonomik i pakontestueshëm. Shqipëria mbetet ende një vend i varfër, ku modeli i zhvillimit bazohet fort mbi ndërtimin dhe turizmin. Kjo ka prodhuar një pasuri të përqendruar në duart e një rrethi të ngushtë të lidhur me pushtetin. Shqiptarët e zakonshëm janë përjashtuar gjithnjë e më shumë nga përfitimet reale të kësaj rritjeje.
Në shumë raste, kostoja e këtij modeli është e dyfishtë. Nga njëra anë, çmimet e larta të jetesës dhe të turizmit e kanë bërë bregdetin një hapësirë gjithnjë e më të paarritshme për vetë shqiptarët. Nga ana tjetër, sektori i turizmit dhe ndërtimit po mbështetet gjithnjë e më shumë te fuqia punëtore e huaj me paga të ulëta. Ndërkohë një pjesë e madhe e shqiptarëve vazhdojnë që të emigrojnë drejt vendeve të BE-së në kërkim të të ardhurave më të larta.
Në këtë sfond ekonomik dhe social, perceptimi i korrupsionit endemik dhe i favorizimeve politike në menaxhimin e pasurive publike e ka thelluar më tej hendekun mes qytetarëve dhe kësaj elite politike. Debatet mbi çështjet e ndjeshme të drejtësisë dhe integritetit institucional, janë tregues të një problemi më të gjerë. Ato shpalosin modelin e funksionimit të shtetit të së drejtës dhe të ritmit të reformave të kërkuara në procesin e integrimit europian.
Protestat nuk janë thjesht reagim i izoluar, por shfaqje e një zhgënjimi të grumbulluar ndaj një modeli zhvillimi dhe qeverisjeje të mbyllur. Ky është dallimi që po vendoset sot. Jo vetëm në Sazan. Jo vetëm në Vjosë-Nartë. Por në vetë idenë se çfarë Shqipërie duam që t’u lëmë brezave që vijnë. Nuk duhet harruar asnjëherë se, ishujt nuk e tradhtojnë kurrë vendin e tyre. Njerëzit, ndonjëherë, po.
