Kryetari i PAA, Agron Duka i rreshtuar prej kohësh në krahun e Opozitës s Bashkuar tha se deklarata ‘ hëngshin kokat’ që bëri në Rama në 2018 për kriminelët është pikërisht dorëzimi i shtetit përballë bandave.

Ai thotë se shteti nuk ka strategji për të luftuar krimin dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve si dhe zgjidhja fillon me ndëshkimin e atyre që kanë lejuar degradimin e kësaj situate.

STATUSI I AGRON DUKËS

Kur kryeministri deklaronte ‘hëngshin kokat e tyre’ pranoi se drejtuesi më i lartë i shtetit nuk ka asnjë strategji për të luftuar krimin e organizuar dhe, mbi të gjitha, se kjo mazhorancë nuk kontrollon territorin.

Një shtet modern, një shtet funksional, ngrihet mbi monopolin e përdorimit të forcës, një monopol që në Shqipëri nuk ekziston më prej kohësh. Ortakëria e mazhorancës aktuale me krimin ka cënuar sovranitetin shtetëror, për pasojë, shtetit i ka mbetur vetëm roli i varëmihsit. Vrasja në qarkun e Lezhës konfirmon pikërisht këtë degradim, ndërsa ‘hëngshin kokat e tyre’ mbetet deklarata me të cilën shteti heq dorë nga garantimi i rendit dhe sigurisë për qytetarët e tij.

Por cila është zgjidhja? Sigurisht nuk ka përgjigje të lehta dhe as zgjidhje të shpejta. Kur u zbeh diferenca midis politikanit dhe të fortit, u zhduk edhe diferenca midis shtetit dhe bandave. Prandaj, kur një shtet bie, ringritja nuk kërkon vetëm ndëshkimin e atyre që kanë lejuar degradimin e tij duke futur në institucionet përfaqësuese dhe vendimmarëse elementë të botës së krimit. Kërkon një rithemelim që nis nga angazhimi i gjithë faktorëve konstruktivë të shoqërisë, të cilët duhet të heqin dorë nga indiferenca dhe të bëhen ndryshimi që kërkojnë nga partitë dhe politikanët. Sepse Shqipëria nuk është e partive, por është e shqiptarëve që veprojnë nëpërmjet tyre. Sa më shpejt të jemi të vetëdijshëm për këtë, aq më shpejt do të vij ndryshimi që presim dhe do të kemi shtetin që meritojmë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb