Nga KLODIANA LALA*

Fation Skënderi një prej personave që implikohet në një komplot të mundshëm për vrasje ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Tom Doshi dhe atij demokrat, Mhill Fufi, nuk është një personazh i panjohur për drejtësinë shqiptare. Pronari i “Truck servis” në Mëzes Tiranë, është arrestuar dhjetë vite më parë nga policia shqiptare dhe dënuar për trafik narkotikësh.

Prej ditës kur përfundoi dënimin, emri i Fation Skënderit, nuk është përfolur askund, madje për të mos thënë, që i cilësuari si “bos” i trafikimit të 120 kilogramëve heroinë, thuajse ishte harruar nga publiku. Por, akuzat publike të Tom Doshit, se ndaj tij ishte organizuar një komplot për vrasje, me urdhërues Ilir Metën, kryetar i Kuvendit, trazoi jo vetëm ujërat brenda radhëve të maxhorancës e politikës në tërësi, por nxori në skenë emrin e Fation Skënderit, ish-shoferit të zyrtarëve të lartë të policisë, e më herët oficer në Gardën e Republikës. Madje, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, duke dhënë sqarime rreth çështjes “Doshi” pranoi publikisht se Tom Doshi e kishte informuar se Fation Skënderit, një prej personave të përfshirë në këtë histori, i ishte bërë edhe atentat, fakt që është pohuar dje për “GSH” dhe nga të njohur të Skënderit. Por ndonëse emri i tij, përflitet si ndërmjetës për vrasjen e dy deputetëve, Fation Skënderi, duket se vijon jetën krejt qetësisht në Gjermani, pa u trazuar aspak, që të paraqitet në Prokurorinë për Krime të Rënda për të sqaruar pozicionin e tij në tërë këtë histori.

Ja akuza ndaj Skënderit

Por kush është Fation Skënderi, për çfarë u akuzua në 2005 dhe sa bujë bëri arrestimi i tij dhjetë vite më parë. Ish-oficeri i Gardës, pronar i një servisi në periferi të Tiranës, konsiderohej si bos i heroinës. Ai dyshohej se kishte trafikuar të paktën 120 kilogramë heroinë dhe grupi kriminal pjesë e të cilit ishte, vepronte në disa shtete të Europës. Madje, asokohe pati dhe deklarata nga zyrtarët më të lartë të kohës, lidhur me arrestimin, që u konsiderua si mjaft i bujshëm dhe një sukses i vërtetë. Por, buja duket se nuk zgjati shumë.

Pa kaluar më shumë se dy vite e gjysmë, Skënderi ja doli të rifitonte lirinë. Ai u dënua nga Gjykata për Krime të Rënda me tetë vite burg, vendim që u la në fuqi dhe nga Shkalla e Dytë e gjyqësorit. Ndërsa Gjykata e Lartë me vendimin nr.431 i datës 26.09.2008 e cilësoi fajtor Skënderin, por e dënoi vetëm me katër vite burg. Ja çfarë thuhet në këtë vendim: “Dy të gjykuarit Fation Skënderi e Gj.D., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë organizuar dhe drejtuar transportin e lëndëve narkotike të paktën në 6 raste, që i përket viteve 1999-2000. Gjykata, në parashtrimin e fakteve ka marre në konsiderate materialin fillestar mbi të cilin është regjistruar ky procedim penal dhe konkretisht një informacion i ardhur nga autoritetet gjermane (BKI Lubeck).

Hetimet konsistojnë në përgjime telefonike, nga të cilat janë identifikuar disa anëtarë të grupit dhe janë identifikuar kanalet e furnizimit të narkotikëve. Nga autoritetet spanjolle është sekuestruar 35.5 kg heroinë në Barcelonë më datë 13.05.1999, më datë 30.12.199 janë sekuestruar 51 kg heroinë në Bari-Itali, më datë 28.01.2000 janë sekuestruar 38 kg heroinë në Bullgari, më datë 26.02.200 janë sekuestruar 45.8 kg heroinë midis Bullgarisë dhe Turqisë”.

VENDIMI I GJYKATËS SË KRIMEVE TË RËNDA NR. 72 I DATËS 20.06.2007

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fation Skënderi për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal, para ndryshimeve të bëra me ligjin nr. 8733, datë 24.01.2001 dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fation Skënderi për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të letërnjoftimeve apo vizave”, parashikuar nga neni 189/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

3. Në zbatim të nenit 55/2 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Fation Skënderi me një dënim të vetëm me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

4. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale dënimin përfundimtar të të pandehurit Fation Skënderi me 8 (tetë) vjet burgim.

VENDIMI I GJYKATËS SË LARTË NR.431, I DATËS 26.09.2008

1. Lënien në fuqi të vendimit nr.43, datë 05.10.2007 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë dhe vendimit nr.33, datë 20.06.2007 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, përsa i përket dënimit të të gjykuarit Fation Skënderi për veprën penale të “Falsifikimit të letërnjoftimeve dhe vizave”.

2. Ndryshimin e këtyre vendimeve si më poshtë:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Fatjon Skënderi për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 283/1 e 25 të K.Penal para ndryshimeve të bëra me ligjin nr.8733, datë 24.01.2001, dënimin e tij me 6 (gjashtë) vjet burgim.
Në zbatim të nenit 55/2 të K.Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri Fation Skënderi dënohet me një dënim të vetëm prej 6 (gjashtë) vjet burgim. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i pandehuri Fation Skënderi dënohet me 4 (katër) vjet burgim.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb