Gazetari Poli Hoxha, i ftuar në emisionin “Kjo Javë”News24, ka zbërthyer prapaskenat dhe ngërçin e madh që ka përfshirë koncesionin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Duke komentuar përplasjet mes aksionerëve, Hoxha hodhi akuza të forta ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar “zyrën e Ballukut” si vendin ku u “gatua” koncesioni.

Gazetari u ndal te skema e transferimit të kuotave të kompanisë koncesionare “Vlora International Airport” (VIA). Në fillim, kompania turke “Yda Group” zotëronte 40% të aksioneve, të cilat më pas ia shiti kompanisë “Mabco Construction” të Behgjet Pacollit duke bërë që ky i fundit të marrë 98% të koncesionit, ndërsa 2% mbetën te “2A Group” e Valon Ademit.

Sipas Hoxhës, kjo vlerë shitjeje është skandaloze kur krahasohet me vlerën reale strategjike të projektit.

“Ky koncesion i madh është vendosur në zyrën e Ballukut, si muhabet kafeje. 40% i 700 milionë eurove që është parashikuar nga studimi strategjik është rreth 280 milionë euro. Ta shesësh këtë vlerë për vetëm 3 mln euro, ka diçka të madhe që nuk shkon këtu! Gjithçka fillon në zyrën e Ballukut. Ajo duhet ta dijë mirë dhe të tregojë se përse u shit kështu dhe i kujt ka qenë de facto ky aksion prej 40%? A ka qenë i Erdoganit, a ka qenë i Belindës? A doli Pacolli nga fjala dhe këta ia bllokuan projektin? Policia e Shtetit veproi egër kundër punonjësve të Pacollit në Vlorë duke i lënë jashtë kantierit. Por kush e urdhëron Policinë e Shtetit të bëhet palë në një konflikt privat aksionerësh? E urdhëron Balluku. Kjo tregon qartë se shteti ka hyrë në lojë për të mbrojtur interesat e njërës palë,” përfundoi Hoxha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb