Ditën e sotme, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi, Sekretari i Përgjithshëm i PS Z. Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë së Cërrikut Z. Andis Salla vizituan disa shkolla të Cërrikut për të parë nga afër masat e ndërmarra anti-COVID, për t’u njohur mbi ecurinë e procesit mësimor, si dhe shpërndanë tableta digjitale për nxënës të klasave kolektive me qëllim që ata të mos ngelen mbrapa në mësime.

Gjatë vizitës nëpër shkolla Znj. Kushi dhe Z. Balla bënë apel për respektimin e masave anti-COVID, pasi që nga dita e enjte maska do të jetë e detyrueshme në çdo ambient të brendshëm dhe të jashtëm.

“Pas datës 15, maska do të jetë e detyrueshme, jo vetëm në ambientet e brendshme, por edhe në rrugë, kështu që duhet ndërgjegjësim maksimal për të gjithë, sepse është për të mirën tuaj, prindërve e të gjithë të afërmve që keni”, nënvizoi Ministrja Kushi vizitës në shkollën 9-vjeçare “Aleks Buda”, Cërrik.

“Unë ju falënderoj që ju jeni shumë të rregullt me maskat, por duhet të bindim prindërit që edhe ata të bëjnë si ju, por tashmë jo vetëm në ambientet e mbyllura, por prej të enjtes edhe në çdo ambient të hapur. Besoj që ju do na ndihmoni të mbajmë maskën kudo, sepse kjo na mbron nga COVID-i dhe do të reflektohet menjëherë në ulje të rasteve”, theksoi Balla.

Ndërsa në shkollën 9-vjeçare “Pren Mema” Malasej, aktiviteti vijoi me shpërndarjen e tabletave digjitale për nxënësit e kësaj shkolle.

“Ne kemi sjellë disa tableta digjitale që janë të dedikuara nxënësit e klasave kolektive, që nëpërmjet platformës “akademi.al” të mos mbeten mbrapa në procesin mësimor”, cilësoi Znj. Kushi.

Ndër të tjera, Kushi nënvizoi se MASR ka marrë masa me 1 mijë kuota shtesë më mësues të rinj në sistem “që nëse do të ketë mësues që do të karantinohen, apo për shkak të zhvillimit të mësimit me disa turne ka orë suplementare, atëherë ne do t’i plotësojmë të gjitha nevojat dhe mësimi të vazhdojë”.

“Një vendim tjetër shumë i rëndësishëm është edhe dyfishimi i psikologëve nëpër shkolla” – tha gjithashtu ministrja Kushi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: