Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Fredi Belerit. GJKKO ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për Belerin, i cili u zgjodh kryebashkiak i Himarës.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri u dënua me 2 vite burg nga Gjykata e Posaçme. Avokati i tij deklaroi se këtë vendim do ta apelojnë. Beleri ka pretenduar se procesi ndaj tij ka qenë i parregullt dhe se i është cenuar e drejta për t’u zgjedhor, për shkak se nuk gëzon lirinë. GJK shprehet se nuk legjitimohet pretendimi për cenimin e barazisë.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE:

Në datën 28.09.2023 në Gjykatën Kushtetuese është regjistruar kërkesa e kërkuesit Dhionisios Alfred Beleri, i cili ka kërkuar shfuqizimin, si të papajtueshme me Kushtetutën, të vendimeve nr. 46, datë 22.05.2023 të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë; nr. 19, datë 01.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2023-1313 (224), datë 25.07.2023 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, të cilat kishin vendosur ndaj kërkuesit masën e sigurimit personal “Arresti në burg” në pritje të gjykimit të tij për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal.

Kërkuesi, në thelb, ka pretenduar se gjatë procesit për vendosjen ndaj tij të masës së sigurisë personale, gjykatat kanë zhvilluar një proces të parregullt ligjor, me anë të të cilit i kanë cenuar të drejtën për t’u zgjedhur për shkak të kufizimit të lirisë personale, si pasojë e vendosjes së masës “Arresti në burg”. Për këtë arsye, ai ka pretenduar se është vënë në pamundësi që të paraqitet personalisht për kryerjen e betimit si Kryetar i Bashkisë së Himarës, i dalë fitues nga zgjedhjet vendore të vitit 2023, për rrjedhojë në pamundësi të ushtrimit të këtij mandati të fituar. Sipas kërkuesit, masa e sigurimit personal e vendosur nga gjykatat nuk është proporcionale në raport me nevojat e hetimit, interesin publik që kërkohet të mbrohet dhe gjendjen që e ka shkaktuar, pasi vepra penale për të cilën ai akuzohet dënohet me burgim deri në 5 vjet. Ai ka pretenduar edhe cenimin e parimin të barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimit, pasi nuk është trajtuar në mënyrë të barabartë në raport me shtetas të tjerë që ndodhen në të njëjtën gjendje, duke iu referuar rastit të një shtetasi tjetër, i akuzuar për kryerjen e të njëjtës vepër penale. Gjithashtu, kërkuesi ka pretenduar cenimin e parimit të prezumimit të pafajësisë për shkak se gjykatat kanë rënduar pozitën e tij si i pandehur duke shtuar argumentet e prokurorisë dhe përforcuar arsyetimin për masën e sigurimit “Arresti në burg” në gjykimin në apel.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 13.10.2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen, vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve, e cila, në datën 23.10.2023, vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh.

Gjykata, e mbledhur sot, në datën 21.03.2024, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i”, të Kushtetutës, si dhe neneve 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës për këto arsye:

  • Në lidhje me pretendimin për cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit, Gjykata vlerësoi se kërkuesi nuk legjitimohet.
  • Në lidhje me pretendimin për kufizimin e lirisë personale në cenim të parimit të proporcionalitetit, Gjykata vlerësoi, me shumicë votash, se kufizimi i lirisë personale është vendosur nga gjykatat e zakonshme për një qëllim të ligjshëm që është garantimi i mbarëvajtjes dhe integritetit të procesit penal në ngarkim të zotit Beleri. Gjykata vlerësoi, gjithashtu, se masa e sigurimit personal “Arresti në burg”, e vendosur nga gjykatat e zakonshme, nuk duket joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes.
  • Në lidhje me pretendimin për cenimin e së drejtës për t’u zgjedhur, Gjykata konstatoi se kjo e drejtë shtrihet jo vetëm mbi të drejtën për të kandiduar por edhe mbi të drejtën për të ushtruar funksionin publik të besuar nga zgjedhësit. Në këtë kontekst, Gjykata vlerësoi se vendosja e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” në ngarkim të zotit Beleri pamundëson kryerjen e procedurës së betimit nga ana e tij si kryetar i zgjedhur i bashkisë së Himarës dhe, për pasojë, ajo (masa e arrestit) përbën një kufizim të së drejtës së tij për t’u zgjedhur. Sidoqoftë, duke qënë se Gjykata arriti në përfundimin se kufizimi i lirisë personale të zotit Beleri është bërë për një qëllim të ligjshëm dhe se kufizimi është proporcional në raport me këtë qëllim, ajo (Gjykata), me shumicë votash, nuk gjeti cenim të së drejtës së kërkuesit për t’u zgjedhur.
  • Në lidhje me pretendimin për cenimin e parimit të prezumimit të pafajësisë për shkak të rëndimit të pozitës së zotit Beleri si i pandehur si rezultat i shtimit të argumenteve për justifikimin e masës së sigurimit “Arresti në burg” nga GJKKO-ja e Apelit, Gjykata vlerësoi se përforcimi i arsyetimit nga gjykata më e lartë, përsa kohë ajo (gjykata më e lartë) nuk rëndon masën e sigurimit në ngarkim të të pandehurit, nuk përbën rëndim të pozitës së tij. Prandaj Gjykata, njëzëri, nuk gjeti cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë në rastin e zotit Beleri.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: